Profeti Jonas mes 40 shenjtoreve

Profeti Jonas mes 40 shenjtorëve

Imazhe të reja të zbuluara në muret e bazilikës së 40 Shenjtorëve në Sarandë, sjellin dëshmi të reja mbi traditën e pikturës murale të krishterë në vendin tonë. Krahas figurës së Krishtit, në muret e bazilikës ravijëzohet edhe një nga skenat më të shquara të Dhjatës së Vjetër. Bëhet fjalë për historinë e profetit Jonas (Jonah), i cili u hodh në det për të shpëtuar anijen nga stuhija dhe ndenji tri ditë në barkun e një balene. Dalja nga barku i balenës pas tri ditësh ishte një profeci për atë që do t’i ndodhte Krishtit më vonë, vdekjes dhe ringjalljes (daljes nga barku i tokës) pas tri ditësh. Piktori dhe studjuesi Gazmend Muka, i cili po merret me studimin e kësaj picture tregon me hollësi, mënyrën e pikturimit, datimin, shfaqjen për herë të parë të këtij imazhi, etj.

Po kryeni një studim të thelluar mbi imazhet e afreskëve në Bazilikën e 40 Shenjtorëve. Ç’të reja zbulojnë këto imazhe?

Gjatë ekspeditave në vitin 2001, konstatuam gjurmët e një portreti të pikturuar, disa harqe të pajisura me kryq, si dhe motive floreale. Zbulimi nga mbivëniet dhe restaurimi pikturave murale në disa kapela të kriptoportikut me qemere katakombalë, është padyshim një vlerë e madhe në fondin tonë deri diku të pakët në artin paleokristian. Në shtresën e parë ku figurohen vetëm harqe dhe kryqe me mbyllje në krahët në formë spirance, të përdorura në pikturat e katakombeve të krishtera. Kjo fazë korrespondon me periudhën kur midis subjekteve kristianë ishte më i rëndësishëm Krishti, i cili fillimisht paraqitej nëpërmjet simboleve të kryqit, peshkut të integruara me simbolin e bukës, qingjit etj. Më vonë duke filluar shek IV shfaqet tipi fizionomik i Krishtit me një natyralizëm helenistik drejt formave joorganike. Qëllimi i artit kristian në këtë periudhë ishte të shprehë me të dukshmen të padukshmen, kuptimin trashendent të perëndisë. Ai shfaqet para nesh konkret, por do të shprehë abstrakten. Çdo objekt në të ka një vlerë simbolike, duke paraqitur një kuptim abstrakt. Ky art nuk tregon apo paraqet histori me një renditje kronologjike, por ide që duhen kuptuar sapo përballesh me një imazh të krishterë. Shtresa e dytë e pikturës duket se korrespondon me etapën e parë të artit të hershëm të krishterë(paleokristian). Kjo duket dhe nga figurimi episodik i tyre pa ndarje me njëra- tjetrën dhe në sfonde të qarta.

Ku qëndrojnë vlerat e pikturës paleokristiane?

Pikturat duken të lehta pa shumë ngarkesa vendesh identifikuese. Ato sjellin fillimet e ngjizjes së artit të krishterë në pikturë, ku doktrina figurative paleokristiane, ndërtoi një vizion metafizik, dematerializim të realitetit, zhdukjen e hapsirës, prespektivës, horizontit, të gjithçkaje konkrete, duke krijuar një “sy të brendshëm”. Gjithçka materiale bëhet trasparente, duke ofruar vlera shpirtërore, si një braktisje e estetikës klasike tradicionale.

Më konkretisht?

Duke hyrë në kriptë nga hyrja veriore, në kapelën e parë me qemere katakombalë, arrijmë të dallojmë në faqen veriore fragmente të shumta degësh palmash. Në pamundësi të gjetjes së elementeve të tjerë, kujtojmë se një sfond i tillë rezervohet në pikturën paleokristiane për skenën “Krishti vë në vendin e vet Ligjin e Moisiut”. Në kapelën e dytë gjurmët e ngelura nga piktura murale, jep mundësi më të mëdha në konsultimin e disa skenave të krishtera. Nga piktura e shtresës së dytë, në kapelën e dytë, në anën jugore kemi dy figura me aureola në ngjyrë blu të hapët, ku dallojmë paraqitjen e Krishtit, deri diku mjaft e dëmtuar, por që njihet lehtësisht nga rekuizita e tij. Krishti tërheq nga mjekrra një shenjt me tunikë të bardhë me shirita te zinj, veshje mjaft e njohur në pikturën paleokristiane. Portreti i shenjtit të kujton ikonografinë e atribuuar Shën Teodor Stratilatit (oficer në ushtrinë e perandorit Licin, të mundur nga Kostandini i Madh në 324) të figuruar ne bazilikën e Shën Dhimitrit në Selanik, ndërtuar në shek.V, ndonëse në një skenë në mozaik me një stil të maturuar bizantin të realizuar në shek. IX (Shën Maria dhe Shën Teodori në lutje). Portreti i shenjtit që tërhiqet nga mjekrra, afron një plastikë pikturimi, që procedon në mënyrë klasike në realizimin e hijes dhe dritës, ndryshe nga kanonet ikonografike të formatizuara më vonë. Në këtë skenë njohim tipin Krishtit Kryeprift (archiereus) që largon mëkatet dhe i tërheq besimtarët në lutje. Në “Letrën drejtuar Hebrenjve”, detyra e Krishtit përmblidhet qartë: “Nuk kujdeset për bagëtinë, por për fisin e Abrahamit”. Gjesti i tërheqjes nga mjekrra, duket mjaft i rrallë dhe nuk gjen krahasim në pikturat e krishtërimit të hershëm të njohura deri më sot.

Ç’mund të na thoni për imazhet e tjera?

Në mes të faqes jugore kemi një shenjt që lutet. Figura e Lutësit me duar të ngritur nga qielli, simbolizon nderimin, përkuljen thellë ndaj Perëndisë dhe bëhet në ambientin kristian formula ikonografike që paraqet kristianin e ndjerë dhe martirin në veçanti, tipi i besimtarit të cilit Krishti i jep aspektin e jetës. Figura e lutësit, haset gjerësisht në fillimet e pikturës së krishterë. Në vazhdim, pas Lutësit, shohim një enë apo kanistër dhe dy mbajtëse buke dhe peshqish të figururar sipër saj, duke na sugjeruar skenën e shumëfishimit të bukëve, që korrespondon me mrekullinë e Krishtit. Tek skena e shumëfishimit të bukëve, Krishti shumëfishon nga pesë bukë dhe dy peshq, dymbëdhjetë kanistra. Pas skenës sëshumëfishimit të bukëve, në qoshen jugperëndimore njohim skenën e ngjalljes se Llazarit, duket një sarkofag i hapur dhe një figurë e përkul anash tij, Llazari, si dhe një figurë jo shumë e lexueshme në këmbë, Krishti, që për shkak të dëmtimit, i njihet vetëm silueta. Llazari banonte në Betania, afër Jeruzalemit me dy motrat Marta e Maria. Sipas Ungjillit të Joanit, vdiq për shkak të një sëmundjeje, dhe vjen i ringjallur nga Krishti. Ringjallja e Llazarit (Joani,11,1-46) u bë një nga skenat ikonografike më të rëndësishme në artin e krishtërimit të hershëm.

Një skenë që ka tërhequr vëmendje është “Jonas hidhet tek balena”, ç’mund të na thoni rreth saj?

Në anën veriperëndimore njohim fragmente të skenës “Jonas hidhet tek balena”, e përdorur në pikturat e katakombeve e shek. III, e sidomos në sarkofagët e shek. IV pas Kr. Duhet të dallojmë këtë skenë nga dy skenat e tjera të historisë së Jonas, si “Triologjia e Jonas” dhe “Jonas pushon nën curcubita”(kungull). Jonas kujtohet që ishte i pari që solli mesazhin e shpëtimit për fisnikët, është simbol i ndërhyrjes së Perëndisë në Tokë. Kjo skenë në faqen veriore të kapelës së dytë, në dukje mjaft e dëmtuar, arrin të na komunikojë elementët përbërës të saj, dy marinarët që luten, anijen, direkun e velat e saj, duart e Jonas që po hidhet, edhe pse në gjendjen e sotme tejet të dëmtuara. E mbikqyrur me kujdes ajo na ndihmon më shumë nga të tjerat për të kuptuar periudhën e krijimit të pikturës së shtresës së dytë në ambientin nëntokësor të bazilikës së 40 Shenjtorëve, ngaqë ka pasur një përdorim si pjesë e programit ikonografik të krishterë për një kohë të kufizuar. Ndonëse e dëmtuar skena më e madhe e pikturuar është “Jonas hidhet tek balena”. Figura e tij në tërësi është e palexueshme veç një gjurme të lehtë të kokës. Portretet e peshkatarëve janë në gjendje pak më të mirë. Figura e peshkut të madh duhet të ketë qenë në pjesën e poshtme që sot i mungon pikturës murale. Kjo skenë ikonografike në artin e krishtërimit të hershëm është e pranishme. Duke u thelluar tek skena, ndihmon të kuptojmë kontekstin e përdorimit të saj.

Po prania e Krishtit Adoleshent?

Skena “Jonas hidhet tek balena”, është skenë e Testamentit të Vjetër, ndaj shoqërohet dhe me figurën e Krishtit Adoleshent. Në anën veriore, ndonëse të palexueshëm mirë, kemi figurën e Krishtit Adoleshent, një pikturë mjaft përfaqësuese, përsa i përket vlerave piktorike të arritura gjatë relizimit. Portreti është mjaft shprehës dhe deri diku mjaft realist, ndonëse konservon një bukuri antike. Rreth vitit 300 Mjeshtri shfaqet i ri midis apostujve dhe dinjitarëve të tjerë.

A gjejmë të tjera dëshmi të pikturës “Jonas hidhet tek balena”, në të njëjtën periudhë?

Dëshmitë e saj figurative njihen fillimisht në piktura murale të katakombeve, e më pas në sarkofagë dhe në dyshemetë me mozaikë. Skenën “Jonas hidhet tek balena” e gjejmë në S. Callisto, tek kapela e sakramenteve, pikturë murale e gjysmës së parë të shek. III, në SS Pietro Marcelino, në hipogjeun në Lucina, pranë S. Callisto, e së njëjtës periudhë. Tek hypogjeu Aurelii, Romë, e shek.IV pas Kr. Historia e Jonas kompozohet në dyshemenë e Katedrales së Aquile-së, e themeluar nga peshkopi Theodor më 314 pas Kr.Skenat e profetit Jonas i gjejmë të figuruara më të vogla në shek. III në një sarkofag, që ndodhet sot në Konpenhagen, në një sarkofag tjetër Velletri në Latium, në jug të Romës, të fundit të shek.III në Itali, si dhe në sarkofagun e shek. IV në Muzeun Latran në Romë. E gjejmë skenën e Jonas dhe në panel diptiku, produkt aleksandrian i shek. IV.

Cilat janë karakteristikat e kësaj pikture dhe si shpjegohet munges e shkrimit në afresk?

Piktura murale e “Jonas hidhet tek balena” figuruar në faqen veriore të kapelës së dytë, në ambientin nëntokësor të bazilikës së 40 Shenjtorëve në Sarandë, me dimensionet 3.2m e gjerë dhe 1.7m e lartë (nga ku një fashë prej 0.43m është dëmtuar), rezulton më e madhja, midis imazheve të tjera murale të artit paleokristian me këtë skenë ikonografike, të njohura deri më sot. Nisur nga kohëzgjatja e saj në repertorin ikonografik të krishtërimit të hershëm, që përfshin harkun kohor të shek.III-IV pas Kr. mendoj se datimi i saj i përket shek. IV. Për rrjedhojë dhe skenat e tjera ikonografike të përmendura më sipër që i përkasin shtresës së dytë të pikturës së realizuar në ambientin nëntokësor të bazilikës së 40 Shenjtorëve në Sarandë, si “Krishti Kryeprift tërheq besimtarin në lutje”, “Lutësi”, “Shumëfishimi i bukëve”, “Ngjallja e Llazarit”, “Krishti adoleshent”, “Hyrja në Jeruzalem”, i përkasin të njëjtës periudhë realizimi. Pas drejtimit të perandorisë prej Kostandinit të Madh, vazhdohet shërbimi në katakombe, si një vend normal varrimi dhe nuk u braktis deri në fillim të shek .Vmënyra e dekorimit të mureve me afreske. Mungesa e shkrimeve në skenat e figuruara në shtresën e dytë të pikturës në ambientin nëntokësor të 40 Shenjtorëve, dëshmon vjetërsinë e saj dhe atë çka Grabar thekson: “Në praktikë imazhet funerale kristiane në fakt imituan përdorimet analoge tek paganët – mundësisht në fillim të judejve, para se doktorët kristianë të rekomandonin expressis verbis”.

Kur haset për herë të parë skena “Jonas hidhet tek balena” dhe a vë në dyshim datimi i pikturës, datimin e deitanishëm të bazilikës?

Prania e skenës “Jonas hidhet tek balena” gjendet në repertorin ikonografik të krishtërimit të hershëm përgjatë harkut kohor të shek. III-IV. Më vonë, në pikturën postbizantine njohim përdorimin e një skene më të reduktuar ikonografike, ku paraqitet vetëm peshkun e madh që e ka gëlltitur dhe e nxjerr nga goja profetin Jonas me aureolë. E gjejmë të pikturuar nga Onufri në Shelcan, në altarin e kishës në Leshnicën e Sipërme, etj. Në kapelën tjetër (të tretë) gjejmë të pikturuar në faqen veriore skenën “Hyrja e Krishtit në Jeruzalem”, megjithëse mjaft e dëmtuar. Mund të dallohen aureola e Krishtit duke hyrë në Jeruzalem, si dhe nje grup aureolash të tjera pas tij, të cilat korespondojnë me dishepujt. Kjo skenë e realizuar në ambientin nëntokësor të bazilikës së 40 Shenjtorëve, të cilën si ikonografi jemi mësuar ta shikojmë gjerësisht në pikturën postbizantine të realizuar në vendin tonë, është më e hershmja. Përballë saj, në faqen jugore arrijmë të dallojmë dhe një figurë tjetër me aureolë, mjaft të dëmtuar. Të dhënat e reja që sollën zbulimi i pikturave murale të trajtuara më sipër në kapelat nëntokësore të bazilikës së 40 Shenjtorëve, ku kripta dhe bazilika paraqiten të një faze ndërtimi, vë në pozitë të vështirë datimin e studiuesve të tjerë në shek .VI, për këtë monument të rëndësishëm.

Çfarë profetizoi Jonas

Jonas, radhitet i pesti në profetët minorë. Sipas Biblës, Perëndia i besoi misionin për të lajmëruar banorët e Ninivës, shkatërrimin e qytetit të tyre për drejtimin e keq të tij. Jonas pati frikë nga reagimi i banorëve të Ninivës, dhe nuk ju bind Perëndisë. Mendoi t’i zhdukej shikimit të Perëndisë, duke hipur në një anije për të shkuar në Tarse. Një shtërngatë e tmerrshme ngrihet në det dhe anija rrezikonte të mbytej. Marinarët ngrejnë duart e kërkojnë fatin, për tu çliruar nga hakmarrja e Perëndisë. Fati i varrit të Jonas ishte t’i bindej Përjetësisë. Atëherë ai u hodh në det duke u zhdukur plotësisht. Perëndia dërgon “peshkun e madh” që e gëlltit Jonasin. Profeti qëndron tre ditë e tre net në barkun e balenës, duke ju lutur Perëndisë. Përjetësia flet me peshkun dhe ai e vjell Jonasin mbi tokë. Jonas atëhere shkon në Ninive dhe deklaron se qyteti do të shkatërrohej brenda 40 ditësh. Banorët në ankth e terror, futen në rrugën e Perëndisë me pendim të plotë. Ndaj dhe Perëndia e kurseu jetën e tyre.

Jonas është profeti i parë që është dërguar në një qytet pagan për t’i konvertuar banorët e tij. Ai është i biri i profetit Amath (për ebrejtë- Emeth-është e Vërteta). Apeli i Jonas është një apel i ndryshëm nga ai i profetëve të tjerë. Në fakt në Bibël, profetët përfaqësojnë të dërguarit e Perëndisë drejt popullit të Izraelit, ndërsa Jonas është profeti i parë i dërguar me mision drejt një qyteti pagan, për të konvertuar banorët e tij, të cilë konsideroheshin peshkatarë të mëdhenj, tregëtarë e gjakatarë. Emri i qytetit është Ninive(në memorien e Izraelit njihej si kryeqytet i Assirisë), që është shkatërruar në vitin 612 para Kr. Shkrimi për historinë e Jonas vendoset dy shekuj më pas. Fjalët e Jonas për shkatërrimin e Ninive, janë marrë si fakte dhe i gjen në tekstet aramaike dhe në dorëshkrimet hebreje që i përkasin Testamentit të Vjetër. Izraelitët në traditën e tyre e vendosin emrin e Jonas si autor aty nga shek.V para Kr. Katolikët e njohin si fakt tregimtar, ndërsa tezat e orthodoksisë nuk e kanë mbrojtur gjatë, madje e kanë parë të pavlefshëm për një farë kohe, historinë e tij në frymëzimin matern kristian. (The Catholic Encyclopedia, 1910) Ndoshta, ndaj paraqitjet e skenës paleokristiane “Jonas hidhet tek balena” janë figuruar në harkun kohor të shek.III-IV.

Luan Sejdini : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama