Pro pavaresise 20 shtete te BE

Pro pavarësisë 20 shtete të BE

Një qëndrim të tillë nuk e mbështesin gjashtë shtete të Unionit: Qiproja, Greqia, Sllovakia, Spanja, Bullgaria dhe Rumania. Shefat e diplomacive të BE-së të hënën do të shqyrtojnë përgjigjen e tyre për vendimin e Kosovës për të shpallur pavarësinë. Fuqitë e mëdha evropiane, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, ndoshta do të deklarojnë se e njohin pavarësinë menjëherë pas takimit të së hënës, e në këtë do t’i bashkohet edhe SHBA-ja, njofton “Reuters” duke u thirrur në burimet e saja diplomatike.

Misioni i ri

Misioni EULEX zbarkoi në Kosovë, një ditë përpara shpalljes së pavarësisë. Kontingjenti i parë i ushtrisë së Bashkimit Evropian, EULEX mbërriti dje pasdite, duke startuar procesin e instalimit të forcave evropiane në Kosovës, e cila pritet që sot të shpallë zyrtarisht pavarësinë. Vendimi për vendosjen e këtij misioni në Kosovës është miratuar pardje në mesnatë, pasi që asnjë nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk kundërshtuan planin operacional. Misioni EULEX, i cili do të zëvendësojë UNMIK-un, do të ketë rreth dy mijë pjesëtarë. Misioni ka për synim të ndihmojë autoritetet kosovare në ndërtimin e një sistemi ligjor, që do të mbështetej në parimet e multietnicitetit.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se misioni është miratuar sipas të ashtuquajturës “procedurë e heshtur”. Në krye të këtij misioni nga ana e Këshillit të Evropës është caktuar holandezi Pieter Feith, si përfaqësues special i misionit. Pritet që misioni të marrë kompetencat e UNMIK-ut në qershor të këtij viti. Procesi i zëvendësimit të UNMIK-ut pritet të realizohet gradualisht. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” një ditë para shpalljes së pavarësisë, misioni EULEX do të vendoset të shtunën në orën 11:00 të mbrëmjes. Njëzeteshtatë vendet-anëtare të BE-së ranë dakord që holandezi Piter Feith të jetë përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë. Ndërsa misionin civil të BE-së në Kosovë, EULEX, do ta kryesojë gjenerali francez Iv de Kermabon që ka komanduar forcat e NATO-s në Kosovë gjatë viteve 2004-2005. I miratuar nga 27 vendet evropiane detyra e Misionit do të jetë parandalimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe sigurimi që institucionet e brishta të Kosovës të jenë të çliruara nga ndërhyrjet politike.

Marre nga : Gazeta Panorama


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama