Beogradi kritikon misionin e BE-se

Në Beograd udhëheqësit më të lartë të Serbisë kanë përsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të heqin dorë nga mbrojtja e Kosovës.
Presidenti Boris Tadiq, dhe kryeministri, Vojisllav Koshtunica, kanë përsëritur se pavarësisht shpalljes së paralajmëruar të pavarësisë, Kosovën do të vazhdojnë ta konsiderojnë pjesë të tërësisë tokësore dhe të sovranitetit të Serbisë.

Megjithatë, si dhe deri tani, edhe me këtë rast u vërejtën dallime në qëndrimet e presidentit dhe kryeministrit.

Përderisa Tadiq tha se gjatë katër viteve të kaluara sa është në postin e presidentit të Serbisë, askush nuk i kishte kushtëzuar lidhjet e Serbisë me Bashkimin Evropian me Kosovën, kryeministri Koshtunica u shpreh se nuk do të pranojë të hyjë në BE, me atë që ai e quajti, tregti të padenjë.

Protestë

Për ditën e shtunë u paralajmërua për një tubim proteste përpara ambasadës së Sllovenisë kundër dërgimit të misionit evropian në Kosovë.

Nga organizatorët e protestës, disa shoqata ultranacionnaliste serbe, ky mision cilësohet si pushtues.

Me gjithë zërat për përdorim të forcës, dhe vendosje të gjendjes së jashtëzakonshme, ministri serb i mbrojtjes Shutanovac, të premten u shpreh se ushtria, siç tha ai, nuk do të marrë ndonjë vendim të gabueshëm.

Media në Serbi ndërkaq ka filluar të spekulojë për qëndrimin që do të ndërmarrë Beogradi zyrtar ndaj vendeve që do të njohin pavarësinë e Kosovës.

Tashmë bëhet e ditur se do të thirren për konsultime, sikurse thuhet, ambasadorët e Serbisë në vendet që pritet të njohin të parat Kosovën e pavarur.

Presidenti, Boris Tadiq, përjashtoi të premten ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, duke thënë, pa dhënë ndonjë sqarim më shumë, se ato do të jenë në konflikt të ngrirë.

Kritikohet vendimi i BE-së

Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka kritikuar të shtunën vendimin e BE-së për dërgimin e misionit të saj në Kosovë.

Z. Samarxhiq tha se vendimi i Brukselit ishte 'i turpshëm'.

Ai ka shtuar se me këtë vendim, BE-ja dëshmoi se pranon politikën e shkëputjes së Kosovës.

"Serbia së shpejti do të detyrohet të rishikojë marrëdhëniet e veta me Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare që eventualisht do të njohin pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë,” tha ministri Slobodan Samarxhiq.

Një deklaratë tjetër, që flet dhe për raportet në koalicionin qeverisës në Serbi ka bërë Nada Kolluxhija, shefe e grupit parlamentar të partisë së presidentit Tadiq.

Sipas saj mbetet të shihet se në çfarë mënyre do të reagojë Serbia, por është e rrezikshme që të përkeqësojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian sepse kjo do t'ia zvogëlonte shanset Beogradit që të luftojë për interesat e veta.

Forcat opozitare serbe ndërkaq kanë kritikuar vendimin e Brukselit, përvec Partisë Liberal-demokrate të Cedomir Jovanoviqit.

Një funksionar i saj tha se misioni evropian në Kosovë është i nevojshëm dhe në interes të të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë atje.

Koshtunica takon serbët e Kosovës

Ndërkohë, kryeministri serb dhe anëtarë të kabinetit të tij, të shtunën pasdite kanë biseduar me një delegacion të serbëve nga Kosova.

Në njoftimin zyrtar thuhet se me këtë rast kryeministri Koshtunica ka theksuar se "vendimi i Qeverisë së Serbisë që paraprakisht dhe për gjithmonë të anulojë shtetin e shpallur në mënyrë të jashtëligjshme në territorin e Serbisë paraqet bazën e programit shtetëror e nacional të Serbisë për krahinën e Kosovës e të Metohisë pas 17 shkurtit."

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama