Pro dhe kunder historise

Pro dhe kundër historisë
Gjithnjë gjendet një shkak për t'u nisur një miniaturë e vogël beteje, siç janë edhe artikujt e vegjël të gazetave, që shiten në tregun e antikuarëve të sotëm. Gjithë të tjerat e dimë mirë se bëhen nga politika, madje edhe shpikja e zëdhënësve të shumtë, të cilët i ngjasin tregut të erinive. Fantazmat e luftrave të Trojës që shtyjnë dhe përcaktojnë kufijtë europianë, do të fillonin të shuheshin në këtë prag festash, sikur në vend të rrëmbimit të Helenës prej Paridit dhe interpretimeve deri të sotme të varianteve të Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, të mos vazhdonin lloj lloj grabitjesh të përditshme, një prej të cilave është zhdukja, përmbytja ose grabitja e vetë historisë.

Të dashur njerëz, them me vete, sikur të jem Tukiditi a Plutarku, nuk ka më të hidhur se të jetosh jo duke e grabitur, por kundër historisë, që e keni bërë me duart, madje me trupat tuaj. Por meqë çdo lloj gjase historike dhe në të përkundërt edhe kundër-historia, kërkon fakte reale, më mjafton të them se vetëm pesë hapa larg një fushe ndërtimi, e bllokuar për shkak të gjetjes së shenjave të qytetërimit të lashtë shqiptar, në kohën tonë moderne të inondimeve demografike, të cilat korrigjojnë shtytjet shekullore të popullsisë drejt zonave rurale, sapo ka filluar shembja e një cope historie. Po ja zë vendin një ndërtim i ri që po kryet me ngut dhe gati fshehtas, si bëhen rëndom invazionet tinzare. Kjo po ndodh në Durrësin e dikurshëm madhështor, në urën e madhe të Adriatikut, i cili faktikisht është një prej qyteteve më të famshëm të botës. Ndër mend më vjen profesori im, një qytetar i shkëlqyer, Zenulla Ballanca, ndoshta me një shkëlqim të dritës së vjetër trojane që i ka buruar prej syve, mu atje, në zemër të Tiranës së sotme dhe të djeshme, në universitetin ku kam mësuar historinë e institucioneve shtetërore, që së pari më kanë hapur syte të lexoj jo me shkronja por me bëma. E lë prapa për disa çaste këtë rrënojë të rrënojave që po varrosen përfundimisht nën dhe.

Më vjen nder mend profesori im që në çastet e provimit i vinte përpara ndonjë studenti të dobët të gjitha tezat e hapura që ta mësonte brenda një seance spirituale dëgjimore të gjithë esencën historike. Në çdo periudhë dhe epokë, që nga zanafillat e historisë së Heraklitit dhe deri në ditët e para të shtetit shqiptar, emri i Durrësit do të renditet epokë pas epoke për të ringjallur vazhdimësinë e qytetërimit tonë. Më bëhet deri sot, se atofletë tezash krijonin hartën e madhe dhe të copëtuar të botës, të lëvizshme sa andej këndej, sipas aleancave të monarkëve të ndryshëm. Durrësi me Bizantin dhe pa Bizantin, me Venetikun dhe pa Venetikun, me betejat e Pompeit me Qezarin apo të Karl Topisë me princin e Balshajve të cilit ia la qytetin, Durresi i Ana Konmenës dhe i Karl de Duras, dukës së Durrësit, që më 1365 kërkon kurorën e Napolit, mbret i Hungarisë në Buda në vitin 1385, të gjitha këto synojnë jo vetëm në depërtimet kontinentale, por në urën më të madhe të botës europiane. Prej historisë së këtij qyteti tij mund të mësosh së pari, se si një herë grekët dhe një herë vetë Bizanti i zgjeruar dhe një herë Republika e Gjenovës a e Venetikut, i ftoi së pari si mercenarë ja sllavët, ja pasardhësit e prototurqëve të vjetër, me të cilët edhe mbretërit serbë bënë aleancë të parët, deri sa sot në këtë botë tradicionale të Europës të konfigurohen hapësira të reja që lënë pas njëherë e mirë gjithë ëndrrat ndarëse mes brigjeve, inkursionet e futura si shpata dhe pyka, që kanë kërkuar të shprishin dy anët e kulturës greko-romake, ku paraardhësit e shqiptarëve kanë qenë gjithnjë një nyje gordiane.

Qyteti i Durrësit ka pësuar disa shkatërrime. Më i mynxyrshmi ka qenë ai i një tërmeti, që përkon me kohën e tij më të lavdishme mesjetare të paralindjes europiane. Gjatë kësaj rrjedhe historike, ai simbolizon përshtatjen me shembjen dhe fatet apokaliptike, deri sa sot në një erozion shoqëror të shkaktohen përsëri jo nga deti por nga njerëzit përmbytje të reja dheu me pasojë zhdukjen e vazhdueshme të gjurmëve të epokave që kanë ndjekur njëra-tjetrën. Në Durrës, por jo vetëm në të, ndërtimet po mbulojnë dëshmi të vyera të jetës materiale të shekujve europiane. A mund të shpërbëhet kjo histori, në një vend ku tradita e analeve të shkrimit dhe e arkivave shtetërore, i takon një herë republikes së vjetër të Raguzës, një herë arkivave të Venetikut, një herë mbretërive me dinasti të shumëllojshme dhe të kryqëzuara të serbëve me otomanët, një herë malit Athos, një herë dokumenteve otomane që përndritin gjithë historinë, një herë botës anzhuine të mbretit të Napolit, me të cilin kishte lidhje Skënderbeu, një herë vetë të dhënave të historianëve humanistë dhe të përndritur shqiptarë si Barleti, një herë dokumentet e Luogotenencës italiane dhe një herë arkivit shtetëror shqiptar që fillon më pas atyre të Amerikës moderne?

Jemi të ndërgjegjshëm se një dokument i gjallë dhe i shndëritshëm për jetën shpirtërore dhe provat e saj materiale gjendet në dheun e lashtë të shqiptarëve, njësoj dhe ndoshta të paktën me mundësi dhe prova tëbarabarta me lavdinë e dikurshme të Trojës, e cila ka ngulmuar për një vazhdimësi homerike deri në ditët tona. Përgjigja e parë që të vjen pas pyetjes së natyrshme për lavdinë e Trojës apo të Durrësit nuk ka të bëjë vetëm me aftësitë artistike të shprehjes së historisë, por me faktin që ndërsa Troja krijonlimite dhe kufi drejt të cilave janë të prirura të shtyhen legjendat, Durrësi gjendet brenda zemrës së Europës ku janë mbledhur shumë të fshehta.

Gjithkush e di, të paktën në Europë dhe madje në gjithë botën Euroatlantike që trashëgon të paktën për demokracinë dhe organizimin shtetëror kulturën greko-romake, të kryqëzuar me kultura të tjera gjithnjë e më të hapura, se në Shqipëri gjenden një grumbull qytetesh antike, të cilat në mos autentike, përcjellin nga afër jehonat e shkëlqyera të kësaj bote antike. Është qyteti i Antigonesë i cili reflekton dhe përmbledh me një jetë njerëzore të gjithë ndodhitë e Antigonës së tragjedive të Argosit apo të Tebës, apo të fenikasve. Kush lexon këto amanete historike e kupton konfiguracionin e sotëm të Bashkimit Europian, i cili vetëm në këtë fillim viti zgjeroi më tej qarkullimin e lirë të njerëzve, me botën e Europës Lindore, ku deri tashmë kanë mbetur jashtë për shkak të sëmundjeve të ish Jugosllavisë, vetem vende si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Kroacia. Në këtë rrafsh gjeografik, sot kanë rilindur një numër shtetesh të vegjël, që zbusin raportet me kulturat rreth e qark, që neutralizojnë konfliktet dhe mosmarrëveshjet vetëm në sajë të kësaj indipendece tepër të lokalizuar të denjë për botën postmoderne e cila i drejtohet lulëzimit të rajoneve të vogla, të ngrira që nga Mesjeta. Trysnitë e fuqive të ndryshme dhe vendosja mes tyre, ka krijuar në këtë zonë një ngjashmëri eventuale me disa shtete të tjerë të vegjël të Europës Qendrore. Janë shtete që kanë mbijetuar dhe sot aderojnë me pavarësinë dhe ndërlidhjet e tyre mes botës gjermanike dhe asaj të "Moskovit" - si quhet në eposin tonë bota e influencës ruse - e shtyrë përtej kufijve të sotëm, përtej thellësive të rrugës Egnatia që po i rikthehet në mënyrë ciklike dhe të rëndësishme ekonomike gjithë botës europiane deri në Konstandinopojën e djeshme ose Stambollin e sotëm dhe që deri sot së pari sjell një linjë zhvillimi duke bashkëpunuar me Durrësin.

Por le t'u kthehemi inkursioneve të largëta të cilat afeksionuan të parin me kulturën e lindjes një njeri si Aleksandri i Madh, inkursione që sollën sa flirte aq edhe beteja, që kapërcejnë vizionet e Gëtes apo të Bajronit, të cilët u tërhoqën të parët nga "Orienti" i vogël dhe tepër komod ballkanik, dhe le t'i kthehemi Durrësit apo Dyrrahut, ku nuk mund të flitet për turizëm kulturor, vetëm duke përfytyruar një sistem të tërë lokalesh dhe restorantesh pranë çdo pike turistike.

Sot, madje deri në këto çaste, jemi të gjithë koshientë se në Durrës ndoshta po mbulohet për jetë e mot një dëshmi historike ku për frikë të pezullimit të punimeve, po sofistikohen edhe mjetet e ndërtimit. Sot nuk do të kishte më as Trojë, as Romë, sikur të kamufloheshin nën plinta, dhjetëra vizione themelesh. Ka pasur mundësi të mos kishte as Durrës, sikur një grup arkeologësh të talentuar, mes tyre edhe shqiptarë, të mos i përkushtoheshin burimeve të historisë. Por kjo shpërkujdesje mund të ketë pasojat e vetavetëm pesë hapa larg një fushe ndërtimi të bllokuar, pranë së cilës gjendet vila e Zogut Ky është vetëm një rast ekstrem për të cilin kundërekspertë të kundërhistorisë, pa u përpjekur që të japin prova, mund të thonë se nuk janë gjetur mbetje arkeologjike.

Kjo mund të ndodhë në Finiq apo në rrjedhat e botës së reflektuar të fenikasve të vjetër, siç mund të ndodhë në të gjitha qendrat e banuara që nga parahistoria e deri sot, në valën e lëvizjeve të vrullshme demografike të cilat në fakt nënkuptojnë vetëm përfitimin e ditës. Zakonisht këto punime kryhen fshehtas, në prag festash dhe mungese vëmendjeje, kur të gjithë e kanë më të lehtë të mbyllin sytë. Ndodhemi kështu në një çast piraterije të historisë, kur grabitja është zhvendosur nga detrat drejt steresë. Marr frymë thellë dhe i dërgoj një mesazh kryetarit të Bashkisë së Durrësit, si kam bërë rëndom me të gjithë njerëzit e politikës të cilët i kanë këtij populli ndonjë lloj detyrimi. Ngurroj sigurisht, pasi që në leksionet e para studentore mbi ndarjen shoqërore të punës, ndarje që perfeksionohet deri në atë farë mënyre saqe demokracia identifikohet shpesh edhe me burokracinë e domosdoshme, më bie që të kthehem në shtëpi, dhe të kërrej ndonjë copë vjershe. Dua t'ia mbush mendjen vetes, se ka të tjerë që merren me këtë punë. Por me kë punë, pyes me vete, se ndryshe është puna e ndërtimit dhe e ministrive përkatëse, ndryshe është puna e historisë dhe ministrive përkatese, (nuk dihet e Ndërtimit apo e Turizmit,) dhe ndryshe është puna e njerëzve që nguten për të kapercyer me vrull çdo lloj vëmendje si ndodh rëndom në prag festash apo ndërrimpushtetesh. Këtë radhë përmbytja e historisë po kryhet më e sofistikuar. Nuk jemi më pas luftës botërore, kur Faik Konica kthehet me avullore në Durrës, dhe kur pa dalë në stere, vë re se jane rrënuar 12 kullat e famshme të këtij qyteti madhështor europian. Këtë herë nuk është kryetari i bashkise së dikurshme të qytetit që prishi dy a tre kullat që arritën t'i shpëtojnë mitralimeve të luftës së parë botërore, që vinin nga toka dhe deti. E theksoj se kësaj radhe, që të shmangen të gjithë të dhënat arkeologjike të mundshme, vetëm katër a pesë hapa nga ndërtimet e bllokuara, janë sofistikuar edhe mjetet e ndërtimit, me qëllim që askush të mos gjendet para të papriturave historike.

Më kujtohen të gjithë llojet e betejave me të zeza, madje edhe nata e famshme e Kristaleve, ose ajo e Shën Bartolemeut, madje edhe beteja e Beratit, ku s'do mend që edhe ushtria e Skënderbeut është gjendur në mes të gjumit. Populli nuk thotë kot se kush gjen shesh, bën përshesh. E frymëzuar edhe unë nga brenda fushes sime të detyrave, sindozot nga këto lloj proverbash dhe amanetesh të Konicës, i cili nuk rreshti të luftojë edhe për mënyrën se si burokracia e re shqiptare të dërgojë telegramet diplomatike, mendova edhe unë të gjej argumentet e mija, për t'i dërguar atje ku është më e domosdoshme. Por çuditërisht, në vend që të më dilte përpara ndonjë godinë qeveritare shqiptare, a ndonjë adresë e personave "responsibël" a ndonjë numër i ndonjë këshilltari të vlefshëm dhe të fuqishëm, më binte ndër mend vetëm fshati i thjeshtë dhe i vogël Shengen, madje më i thjeshtë dhe më i parëndësishëm në sy edhe në krahasim me godinat tona partiake, paçka se atje janë marrë vendimet më të rëndësishme të bashkimit dhe të ribashkimit të Europës. Dhe të gjithë këtë përfytyrim të Shengenit, dhe të zemrës së Europës, ma jepte Durrësi, porti i madh i kapërcimit të detit, që nuk mund të nënkuptohet vetëm një vend i këmbimit të mallrave.

Po më merreshin mendtë fare. E dija fare mirë se para se të kishte qenë një qytet shqiptar, Durrësi ishte një qytet europian. Historigrafisë shqiptare i duhej të vërtetonte të anasjelltën, veçanërisht jetën e tij materiale, e cila është prova më e padiskutshme. Bëj të krahasoj të dhënat e profesorit tim Zenulla Ballanca me të dhënat e librit "Historia e Adriatikut", i cili kohët e fundit i është paraqitur lexuesit shqiptar. Ne shqiptarët e kemi zakon që të besojmë vetëm shqetësimet e ndonjë mendimtari të huaj. Të shkatërrosh të dhënat e Durrësit, qoftë në një pëllëmbë të vetëm, është njësoj si të djegësh në mijëvjeçarin e ri bibiotekën e Aleksandrisë, të cilën janë përpjekur ta ndërtojnë deri sot si vepër monumentale. Por përsëri më shfaqej ëndrra e përfshirjes, ose që rëndom i themi "e integrimit". Ky fshat i vogël me emrin Shengen, i ndodhur fare pranë kufijve të Francës, Gjermanisë dhe Belgjikës, dhe i fshehur mes kodrave dhe vreshtave të Luksemburgut, të kujton se kufijtë nuk kanë pikë rëndësie, vetëm atje ku respektohen më tepër.

Durrësi është një nga qytetet më të respektuara të historisë, një nga pikat e betejave të saj më nevralgjike. Të punosh me arkeologjinë e tij, është njësoj si t'i bësh një operacion në tru të gjithë kujtesës së Europës së bashkuar. Kufijtë e saj po zgjerohen tashmë gjithnjë e më tepër drejt shteteve të Europës Lindore. Kjo gjendje e re europiane ku ka udhëhequr një qytet i lashte si Durrësi, po riidentifikon dhe po i jep një rol të ri Kosovës, shtetit më të ri që po lind në Europën e sotme, mes kufijve të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Është Kosova që do të ketë së shpejti flamurin e vet dhe që të kujton rëndësinë e rolit të Luksemburgut të vogël në mbarë hapësirën europiane dhe ndoshta në vizionet e sotme historike edhe rolin Venetikut të lojërave dhe detyrimeve të domosdoshme lidhëse me të gjithë botën, një rol që e kërkon vetë historia. Zgjidhja e fatit të Kosovës nuk është as parrullë as slogan. Është një riciklim dhe nevojë e Europës, për të ndërlidhur dhe qarkulluar në shesh-qendrimet e veta, kukryen operacionet ndërlidhese historike, detyrë që dikur e kreu aq mirë dhe diplomatikisht një republikë e vogël si ajo e Venetikut, një Venetik që veproi në mënyrë të shkëlqyer ekonomikisht dhe politikisht mes dasive të shkaktuara në perandorinë e dikurshme të Romës, që u poq në Bizant dhe ndërthuri hapësirat e frankëve duke lënë në bërthamë vizionet e Europës së sotme. Sot kjo botë po shtyhet edhe më thellë dhe ndërlidhjet janë nga më të jashtëzakonshme, që nga orienti i thellë deri në frekuencat me botën racionale dhe demokratike serbe. Rigjallërimi i Rrugës Egnatia ose Korridorit Tetë, shpesh të fosilizuar nga historia, është një fat i ri ekonomik i të gjithë shqiptarëve, veçanërisht për Kosovën. Kosova po krijohet për të luajtur rolin e vet si askush tjetër. Kjo nuk është utopi, por një realitet që do të marrë së shpejti një përgjigje, por edhe një përgjegjësi e vetë qytetërimit të shqiptarëve. Është në përgjegjësinë e shqiptarëve që të përdorin për të mirën dhe përparimin e tyre këtë fitore dhe këtë vend-vetëvendosje ndërkombëtare të mirëfilltë historike brenda gjirit të botës së tyre perëndimore.

Është e çuditshme që në këto momente të fateve dhe fitoreve historike të Kosovës, qoftë në një pëllëmbë të veçantë të një qyteti tëgërryesh historinë kundër Durresit ose kunder vetë historisë. Pasi është Durrësi i pari dhe qyteterimi i tij që ka fituar, dhe që do të ngrejë së shpejti një flamur dhe një ndërlidhje të re dhe të domosdoshme historike, atë të Kosovës, atje në Shengenin e vogël, pothuaj të padukshëm.

Natasha Lako : Gazeta Shekulli
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama