Privatizimet do ti shtojne buxhetit te shtetit 400 mln leke

Privatizimet do t'i shtojne buxhetit te shtetit 400 mln leke

Vijon procesi i privatizimit strategjik dhe jostrategjik, në përputhje me planin kombëtar për integrimin europian 2014-2020, të miratuar nga qeveria.

Plani i privatizimit për vitin 2014 përfshin shitjen e disa ndërmarrjeve shtetërore, shoqëri aksionere me kuota shtetërore, me të dhëna negative ekonomike dhe financiare. Nga ky proces, shteti synon të injektojë në ekonomi miliona lekë dhe euro, pasi investitorët e huaj kanë shfaqur interesim, bënë të ditur burime nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, shkruan "ATSH".

Deri tani, janë evidentuar për efekt shfrytëzimi dhe privatizimi rreth 1.760 objekte që nuk përdoren si dhe të shërbimeve të ndryshme të ministrive të Brendshme, Mbrojtjes, Bujqësisë, Turizmit, Shëndetësisë, Arsimit etj, të cilat janë pjesë e inventarit të shtetit. Për këtë grup objektesh tashmë janë saktësuar vendndodhjet, sipërfaqja, statusi i tyre privat ose shtetëror, ka ose jo vendim për kthim dhe kompensim nga AKKP, mes të cilave edhe 25 ndërmarrje Sh.a dhe 24 të tjera Sh.pk.

Për secilin objekt, MZHETS ka evidentimin me harta, gent-plane, gjendjen fizike dhe amortizimit dhe një program, që synon të vërë më mirë në funksion pronën shtetërore në interes të shtetit, qytetarit dhe sipërmarrjes.

Po ashtu, janë përcaktuar objektet që do të jepen me qira në të ardhmen, me emfiteozë, me koncesion, si zona ekonomike industriale, me fason me çmimin simbolik “1 euro” në bazë të kërkesë-ofertës nga kompani vendase dhe të huaja për zhvillimin e bizneseve në gjithë fushat: industri, bujqësi, transport, turizëm, etj. Edhe kompanitë e fasonit, të ngritura prej vitesh do të stimulohen duke ua kthyer qiranë për metër/katror në qira simbolike “1 euro” nisur nga investimet që kanë kryer dhe punësimit.

Ministria ka hartuar një listë me të gjitha pronat fizike dhe asetet për ish-ndërmarrjet, ku shteti ka 100% të aksioneve dhe ato ku ka nën 50% aksione, kryesisht në zonat industriale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Sarandë, Elbasan, Korçë, etj. Burime nga Drejtoria e Privatizimit në MZHETS pohojnë se sivjet planifikohet të privatizohen objekte të ndryshme, mes të cilave, kuotat shtetërore në 10 sh.p.k. dhe rreth 40 shoqëri anonime.

Për këtë proces ekspertët po punojnë për për të bërë vlerësimet e objekteve dhe dokumentacionet. Për qiratë dhe emfiteozën janë disa dhjetra asete shtetërore, rreth 15 të tjera do të vihen në dispozicion të biznesit fason ku për 9 prej tyre janë shfaqur kërkesa nga kompani italiane, kineze, kompani të përbashkëta me italianët, etj.

Në periudhë afatshkurtër, nga privatizimet pritet të mblidhen në buxhet rreth 400 milionë lekë. Nga fasoni, qiraja, etj., priten rreth 10 milionë euro si dhe një numër i konsiderueshëm punëtorësh të rinj brenda një periudhe të shkurtër në 5-6 muaj me vënien në eficiencë të objekteve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama