TIRANË, 17 Tetor/ATSH/.- Një event i veçantë që ndërthuri performancën artistike, projeksionin e një filmi dhe bashkëbisedimin, u zhvillua të shtunën në mbrëmje në Qendrën për Hapje dhe Dialog në selinë e Kryeministrisë.
Gazetarja Rudina Xhunga zgjodhi këtë ambient për të promovuar librin e saj "Edhe një Shqip". Të ftuar ishin përfaqësues të botës së medias, akademisë dhe artit. Ndërsa Kim Mehmeti, Mimoza Kusari-Lila, Pirro Misha dhe Kryeministri Edi Rama ishin panelistë kryesorë, në bisedën e zhvendosur në bibliotekën e Qendrës, mbi komunikimin, hapjen dhe format e dialogut e bashkëpunimit, të moderuar nga autorja e librit, Rudina Xhunga.
Në hyrje të bisedës, vetë autorja e prezantoi librin si një botim "kushtuar hapjes, komunikimit dhe intervistave me njerëz që vijnë nga botë afër dhe larg, të cilët duken larg, sepse duken sikur s'kanë punë me ty, por në fakt janë afër, janë nga Tetova, janë nga Gjakova, janë nga Parisi."
Kryeministri Edi Rama nënvizoi se ky promovim përbën edhe shembullin sesi kjo hapësirë tashmë është në dispozicion të publikut. "Unë jam i kënaqur, sepse kjo do të shërbejë si mundësi edhe për të tjerë që të kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë hapësirë. Kjo është një hapësirë në dispozicion të publikut. Do të na duhet punë, por më shumë sesa punë do të na duhen disa shembuj si ky, për të përcjellë mesazhin që është plotësisht e mundur që të vish këtu për të promovuar një libër, për të promovuar idetë", tha Rama./m.m/