"Monitorimi për Menaxhimin e Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe" është Workshopi i organizuar për herë të parë në vendin tonë nga "Med PAN", në partneritet me Ministrinë e Mjedisit. Në fjalën e tij, ministri Koka u ndal në rëndësinë që ka mbrojtja e zonave detare nga shkatërrimi që po pësojnë si rezultat i urbanizimit.
"Deri në 2020-n, zonat e mbrojtura detare dhe bregdetare në nivel global duhet të arrijnë në shifrat 10 % të territorit nën juridiksionin e shteteve. Sot, në Shqipëri numërohen 6 Zona të Mbrojtura bregdetare dhe janë në studim dy të tjera si zona potenciale të mbrojtura detare: Porto Palermo dhe Kepi i Rodonit. Do të vazhdojë rritja e sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura nga 15,54 % në 17 % të sipërfaqes së vendit në vitin 2020 duke plotësuar Aiki target 11. Vëmendja do të përqëndrohet në shpalljen dhe zgjerimin e Zonave të Mbrojtura detare dhe bregdetare duke synuar që deri në vitin 2020 këto zona të mbulojnë 6 % të sipërfaqes së vendit, në linje me Aiki target për këtë fushë që synon 10 % të sipërfaqeve të tilla në nivel global deri në vitin 2020", tha ndër të tjera ministri Koka.
Të pranishëm në këtë Workshop ishin përfaqësues të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, institucione kërkimore shkencore, staf akademik, dhe ekspertë të fushës, nga më shumë se 16 shtete për të diskutuar rreth "Monitorimit për Menaxhimin e Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe".