Nuk ka thjesht një politologji të privuar nga ndjenja njerëzore tek punimet e autorit në fjalë. Ajo çka është më interesantja – dhe që pikërisht e bën librin par excellence një përmbledhje të paripërsëritshme – është perspektiva, ose më mirë perceptimi humanistik i autorit, lidhur me çështjet që shqetësojnë politikën e sotme. Vuan gjerësisht shkrimi i sotëm shqip nga thatësia, nga ofrimi i cunguar dhe i pavajosur i të dhënave të cilat që në pikënisje përzgjidhen censurialisht. Nuk vuan libri i Qemal Lames nga asnjë prej këtyre elementëve që do ta bënin librin një përmbledhje të destinuar për një grup të vogël politikanësh; libri i tij ka brenda një element historiografik të cilin autorit ia ka mundësuar bibliografia e shfrytëzuar, si edhe qëmtimi i kujdesshëm dhe pasionant i të dhënave në shtypin autoritar të kohës së sotme.
"Politikisht – këtu fjala duhet kuptuar në sensin më të gjerë – po i afrohemi gjithnjë e më tepër një gjendjeje, në të cilën të gjitha rrethanat ekonomike, sociale e shtetërore të një shteti interesojnë drejtpërdrejt edhe vendet e tjera." Këto fjalë të filozofit të njohur Romano Guardini, në esenë e tij "Pushteti", shpjegojnë edhe shtysën e brendshme të Qemal Lames, për të hedhur në letër vlerësimet e tij lidhur me politikën e jashtme: atë të SHBA, të Europës së bashkuar, të vendeve baltike, Kosovës e Shqipërisë, Ekuadorit dhe Kinës, Turqisë dhe Afganistanit... Kjo politikë e jashtme është ajo të cilën shumica e lexuesve të shtypit të sotëm, ndoshta edhe për shkak të kërrusjes nën peshën e bezdisshme të lajmeve të brendshme dhe scoop-it stresant të përditshëm, e anashkalojnë dhe e injorojnë. Mungesa e kompetencës së stafeve gazetareske në fushën e politikës së huaj luan edhe ajo rolin e saj, dhe këtu gjithçka lidhet pambarimisht me perceptimin.
Nuk mund ta perceptosh politikën e jashtme me syrin e gazetarit anglez që fshihet pas autoblindës të trupave mbretërore në Basra; as edhe me syrin e gazetarit italian që flet nga studioja dhe pretendon se është në linjën e parë të frontit. Duhet një perceptim objektiv dhe domosdoshmërisht individual; ky perceptim ofrohet nga një shkrues i mirë i shqipes së sotme, nga një historiograf dhe politolog, por mbi të gjitha, nga një humanist i cili beson në atë që nuk besojnë shumë prej politikanëve të surrogatosur të sotëm: edhe politika mund dhe duhet të ketë një anë njerëzore.
Kur përfundon së lexuari këtë libër dhe artikujt e shumtë politologjikë të tij, të kujtohet natyrshëm fjalia me të cilën Horkheimer dhe Adorno mbyllin parathënien e ribotimit të librit të tyre "Dialektika e iluminizmit" në 1969, teksa shkruajnë: "...ky libër merr vlerat e një dokumenti; ne shpresojmë që të jetë edhe diçka më shumë". Për këtë gjë lexuesi dhe publiku shqiptar mund të jetë që në pikënisje i sigurtë: libri i Qemal Lames "Politika bashkëkohore", është më shumë se sa një dokument.
Gentian Vyshka : Gazeta Shekulli











