Policia ndalon protestuesit te selia e BDI-se

Policia ndalon protestuesit te selia e BDI-se

6 shqiptarë - Gjykata Themelore e Shkupit mori vendimin për dënimin e 6 shqiptarëve me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”. Ky gjyq cilësohet si i montuar politikisht

 

3 ditë - Protestat e shqiptarëve nisën fillimisht në Shkup, më pas ato pushtuan qytetet e tjera si Tetovën, Gostivarin, Strugën dhe Dibrën. Ato hynë në ditën e tretë

 

24 vetë - Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, deri dje në mesditë, ishin identifikuar 24 persona, 6 prej të cilëve janë tashmë në paraburgim si të dyshuar

Protestat e shqiptarëve në Shkup, Gostivar, Tetovë dhe Dibër. Akuza ndaj Ali Ahmetit

Pas Shkupit, protestat e shqiptarëve u ndërmorën në të gjitha trevat e shqiptarëve në Tetovë, Strugë, Dibër dhe Gostivar. Pas dy ditëve protesta në Shkup dhe reagimeve të vendasve e ndërkombëtarëve për qetësi e vetëpërmbajtje, dje janë intensifikuar edhe më tej protestat e shqiptarëve në Maqedoni, kundër vendimeve të Gjykatës Themelore të Shkupit, tri ditë më parë, ku u dënuan me burgim të përjetshëm gjashtë shqiptarët e rastit të njohur si “Monstra”.

 

Media të ndryshme njoftonin dje se edhe në qytetet e tjera me shumicë shqiptare, janë regjistruar protesta të të rinjve ku ranë në sy sidomos ajo e Tetovës, ku dhuna ka shpërthyer edhe para selisë së BDI-së, ndërsa u panë të rinj protestues duke bërtitur në kor: “Ali tradhtari…”. Ndërsa nuk kanë munguar thirrjet e protestuese “Shqipëri etnike”. Si rezultat i përleshjeve, dhjetë persona – prej tyre katër protestues dhe gjashtë policë – kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Mësohet se shtatë të lënduar kishin plagë të lehta dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata janë lënë të lirë për kurim shtëpiak. Rreth 200 shqiptarë protestuan edhe para ndërtesës së Gjykatës Themelore në Dibër. Protestuesit mbanin në duar flamuj kombëtarë, duke u tubuar në fillim në sheshin “Skënderbej”. Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, deri dje në mesditë, ishin identifikuar 24 persona, 6 janë prej të cilëve janë tashmë në paraburgim si të dyshuar se kanë kryer veprën penale “pjesëmarrje në masë dhe pengim të personit zyrtar për ta kryer detyrën e tij zyrtare”. “MPB po punon intensivisht për të ndriçuar rastin e protestave të së premtes, për të identifikuar protestuesit që qëllonin me gurë, duke lënduar policët dhe duke shkaktuar dëme edhe në godinën e Gjykatës”, ka deklaruar dje një zyrtar i kësaj ministrie.

Protestat më të përgjakshme kanë qenë në Tetovë, kjo për shkak se policia nuk ka lejuar që protestuesit të shkonin në selinë e partisë së Ali Ahmetit të BDI-së. Sipas “Tetova Sot”, protestuesit ishin nisur të qetë drejt selisë së BDI-së, por përleshja mes policisë ka shpërthyer kur tetovarët u bllokuan nga ana e forcave të shumta të policisë. Uniformat policore provokuan protestuesit duke bllokuar hyrje-daljet për te selia e BDI-së, kështu tetovarët e irrituar duke u munduar të zhbllokojnë kordonin policor u përleshën me policinë. Madje sipas kësaj agjencie lajmesh, policia ka përdorur edhe shkopinjtë e gomës duke i goditur tetovarët. Pas përshkallëzimit të tensionit, policia përdori edhe “shock bomba” dhe gaz lotsjellës duke shpërndarë turmën e qytetarëve.Qindra protestues dolën përsëri rrugëve të Shkupit, por kësaj radhe protesta ka qenë e qetë. Forca të mëdha policore, të pajisura me autoblindë dhe autobote, kanë bllokuar bulevardin pranë Qendrës Tregtare Mavrovasja, me qëllim që të ndalonin demonstruesit të shkonin për te qendra e Shkupit dhe selia e qeverisë. Protestuesit demonstrojnë të qetë dhe me thirrje “Duam drejtësi”, kundër aktvendimit të gjykatës për rastin “Monstra”. Shqiptarëve protestues në Maqedoni mësohet se u janë bashkuar edhe ata në Turqi. Sipas portalit “Lajm” nga Maqedonia, thuhej se dhjetëra persona u grumbulluan dje para Ambasadës së Maqedonisë në Stamboll, për të shprehur revoltën e tyre kundër dënimeve me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve nga Maqedonia. Në mesin e protestuesve u panë edhe parulla si “Shkupi nuk është vetëm”.

 

Po ashtu, virtualisht, protestave të shqiptarëve të Shkupit u është bashkuar edhe kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Nëpërmjet njoftimeve në “Facebook”, është lajmëruar se do të mbahet një protestë që pritet të nisë të martën në orën 18:00 te Piramida, sipas portaleve e rrjeteve të ndryshme online në Shqipëri, por pa cilësuar se cili grupim, parti politike apo shoqatë do t’i drejtojë këto protesta. Protestuesit, gjithsesi, paralajmërojnë se do të protestojnë përpara ambasadës maqedonase në Tiranë, për dhunën që po ushtrohet nga policia maqedonase. Dje ka mbërritur edhe reagimi i simbolit të rezistencës kosovare, Adem Demaçi, i cili spontanisht është bërë pjesë e “lojës” politike, duke theksuar se “asnjë fije nuk jam bë pishman që e përkraha BDI-në para zgjedhjeve. Unë e di se Ali Ahmeti dhe BDI nuk janë melaqe, por fajet i ka Menduh Thaçi, i cili tha se do të hyjë në qeveri edhe nëse fiton vetëm një deputet. Prej dy të këqijave, për shqiptarët në Maqedoni, unë përkrah BDI-në si të keqen më të vogël”, deklaroi dje për “Lajm”, Demaçi. Vetë Menduh Thaçi ishte shprehur qysh një ditë më parë, se: I mbështesim protestat. E keqja e shqiptarëve është Ali Ahmeti dhe BDI-ja. Ndër të tjera, ai tha edhe se: “Është e drejtë të protestohet për çfarëdo padrejtësie që ndodh, dhe për rastin e fundit ‘Monstra’, por protesta duhet të drejtohet aty ku duhet”, duke iu lutur njëkohësisht shqiptarëve që, siç tha ai, “të mos e humbin shpresën te procesi demokratik, dhe të mos e humbin shpresën tek aleatet tanë BE, NATO-ja dhe SHBA-ja”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama