Policia e se ardhmes Te gjithe nen vezhgim

Policia e se ardhmes: Te gjithe nen vezhgim

Projektligji i ri për sigurinë parashikon monitorim me kamera të të gjitha ambienteve publike dhe njësive të biznesit, identifikues të specializuar për armët e zjarrit dhe eksplozivët, pajisje GPS për bankat dhe lexues të kartave të identitetit.

Një projektligj që synon të rrisë sigurinë publike parashikon monitorimin me kamare të të gjitha ambienteve publike dhe bizneseve të mëdha me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Në një prezantim me grupet e interesit, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri zbuloi disa nga detajet e këtij projekti që pritet të dërgohet për miratim.

Kryefjala e sigurisë, sipas Tahirit është teknologjia, duke filluar nga kamerat në ambientet publike, pajisjet e specializuara për armët e zjarrit dhe eksplozivët, GPS-të për automjetet që transportojnë lëndë të rrezikshme, apo për institucionet financiare në rast sulmi, si dhe lexuesit e kartave të identitetit për ambiente të veçanta. Në një prezantim të gjatë, ministri i Brendshëm solli edhe raste konkrete, ku ngjarje të caktuara kriminale mund të ishin parandaluar në rast se të dëmtuarit do ishin bërë pjesë e ekonomisë formale.

“Pasiguria kushton shumë më shumë se ç‘kushton siguria sot!”, – tha Tahiri duke iu referuar shpenzimeve që buxheti i shtetit parashikon për policinë. Edhe pse pa një kosto të përcaktuar, projektligji për sigurinë publike u konsiderua si revolucion për policinë shqiptare.

“Në këtë ligj janë parashikuar disa elementë sigurie të cilët i kemi listuar, si kamerat e sigurisë madje edhe standardet e cilësisë së filmimit”, – tha Tahiri.

Sipas tij, të gjitha ambientet publike, duke filluar nga shkollat, mjetet e transportit urban, rrugët, sheshet, apo edhe institucionet e biznesit do të jenë të pajisura me kamera sigurie.

Kjo për faktin se filmimet ndihmojnë jo vetëm në parandalimin, por edhe në identifikimin apo hetimet që strukturat e drejtësisë do të kryejnë për këto ngjarje.

Ministri i Brendshëm tha se në këtë mënyrë vihen me shpatulla pas murit edhe gjyqtarët apo prokurorët e korruptuar.

“Kjo bën të mundur që ta vëmë prokurorin e korruptuar, gjyqtarin e korruptuar me shpatulla pas murit, pra do të thotë, t’ua bëjmë tërësisht të pamundur hallkave të korruptuara të sistemit të drejtësisë që të vazhdojnë sërish në korsinë e korruptimit për t’i vënë taksën korruptive të pasurit që nuk merr dënim dhe për të dënuar të varfrin që s’ka mundësi”, – tha ministri i Brendshëm.

Cilësia e kamerave të sigurisë, sipas tij është një element shumë i rëndësishëm sa i takon sigurisë, pasi kamerat aktuale të vendosura në rrugët e kryeqytetit nuk e kryejnë funksionin për të cilin janë blerë. Tahiri solli një shembull, kur para disa kohësh ndodhi një vjedhje në një bankë në Tiranë.

Policia e kishte thuajse të pamundur të dallonte detaje të nevojshme për hetimin pasi filmimi ishte thuajse skandaloz.

“Banka mund të kursejë aq para sa kursen nga cilësia e kamerave të sigurisë, por shoqëria nuk kursen, as banka vetë nuk kursen në afatgjatë, sepse përballë një ngjarjeje kriminale siç ndodhi, është e pamundur t’i shkosh hetimit pas, sepse cilësia e filmimit të kamerave të sigurisë ishte skandaloze”, – theksoi Tahiri.

Në prezantimin e projektligjit për sigurinë, ministri i Brendshëm tha se një element i dytë janë mjetet teknologjike të specializuara për identifikimin e armëve, për identifikimin e eksplozivëve, identifikim e elementeve të tjerë që kërcënojnë sigurinë.

Në disa raste mund të nevojitet lexues i veçantë për kartën e identitetit apo dokumentin e identitetit të qytetarit, qoftë pasaportë apo kartë identiteti, sepse në disa raste është e nevojshme për autoritetet kur ndodh një ngjarje të dinë personat që kane frekuentuar në mënyrë që të kuptohet dhe të bëhet e mundur hetimi historik për të shkuar tek ngjarja kriminale.

Sipas Tahirit në disa raste duhet gjeolokalizuesi elektronik ose GPS në gjuhën e përditshme, në disa raste duhet lidhja e sinjalit të alarmit me sallën qendrore të komandimit të Policisë së Shtetit.

Kjo vlen kryesisht për bankat dhe njësitë e mëdha tregtare, në mënyrë që hallka ndërmjet njësisë tregtare që kërcënohet, policisë private dhe Policisë së Shtetit të shkurtohet.

“Nuk ka asnjë arsye të konsiderojmë si ofensive apo si problematike çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë apo me masat paraprake që duhet të ndërmarrim ne për të garantuar sigurinë. Unë e kuptoj që mund të jetë problem të shohësh një kamera në shkollën ku ti çon fëmijën, por kjo është një frikë më e vogël sesa frika e pasigurisë në qoftë se nuk ke këto masa sigurie”, – tha ministri i Brendshëm.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama