Policia e Tiranes i mbush ambientet me te arrestuar nuk ka me vende

Policia e Tiranes i mbush ambientet me te arrestuar, nuk ka me vende

Prej ditësh, Policia e Tiranës i ka mbushur plot e përplot të gjitha ambientet e saj të brendshme, me të arrestuar për vjedhje të energjisë apo të shkeljeve të Kodit Rrugor dhe situata duket se sa vjen e rëndohet, për shkak se vijnë të “rinj”, para se vjetrit të dërgohen përpara gjykatës e prej andej në paraburgim. Vasilika Hysi, drejtuese e Nënkomisionit të të Drejtave të Njeriut, zhvilloi një takim me të paraburgosur dhe drejtues të institucionit për të parë nga afër situatën në të cilën gjenden të paraburgosurit.

 

Burime policore thanë për gazetën “Shqip” se Drejtoria e Policisë së Tiranës është plot me të arrestuar. Kështu, me makinën ku ndodhen të arrestuarit, bëhet një xhiro në komisariatet që “kanë vende të lira” dhe i lënë atje. Madje, në raste të mbipopullimit nga të gjitha komisariatet, është menduar një plan urgjence, për t’i transferuar në policitë e afërta, si në Durrës, Kavajë, etj. Gjatë një takimi që zhvilloi dje në paraburgim, Vasilika Hysi, si drejtuese e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut tha se ka mbipopullim dhe nuk marrin trajtimin e duhur shëndetësor. U konstatua se paraburgimet janë të mbipopulluara, ka probleme të sjelljes së stafit në këto institucione dhe të arrestuarit nuk marrin trajtimin e duhur shëndetësor. Hysi tha se procedurat zgjasin së tepërmi.

 

Në momentet që disa deputetë, anëtarë të këtij Nënkomisioni, dolën jashtë paraburgimit 302, familjarët nuk hezituan t’i përcjellin shqetësimet, një prej të cilëve ishte hapja e një dyqani cigareje brenda në paraburgim, si dhe patën ankesa për mungesën e kushteve. Në ambientet e Burgut 313 janë akomoduar rreth 525 persona në total, ndërsa në Burgun 302 janë akomoduar rreth 230 të tillë. Në ambientet e këtyre paraburgimeve mësohet se ka raste ku 10 persona ndajnë të njëjtën qeli. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare, kapaciteti i të parit është 320 persona dhe i të dytit 170. Nga ana tjetër, mbipopullimi ka prekur gjithë sistemin e burgjeve. Sipas të dhënave, numri i personave të izoluar që vuajnë dënime penale apo qëndrojnë si të paraburgosur është mbi një mijë persona. Për të zbutur disi këtë fenomen, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pritet të marrë në dorëzim dy godinat e përfunduara të burgjeve të Fierit dhe të Beratit. M.Mullai


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama