Në vitin 2006 botohet në Athinë nga shoqata “Miqtë e revistës Anti”, Antologjia e poezisë ballkanike (Emos). Në dijeninë tonë mbetet deri më sot e para antologji e këtij profili tematik. Shtysa e përgatitjes së saj, që zgjati disa vjet, ishte e qartë. Ballkani vazhdonte edhe në kohët moderne të perceptohej si rajoni që prodhonte veçse histori luftërash e grindjesh pa fund mes popujve të tij, të cilët nuk reshtnin së kërkuari, kush primatin e sundimit mbi të tjerët, e kush kufijtë e vet të futur e të ngatërruara mes njeri-tjetrit si bishta salamandre...
Dhe një antologji e poezisë, që vinte prej çdo gjuhe të popujve të Ballkanit, do të dëshmonte se përtej gjuhës së urrejtjes, ardhur prej bastioneve të politikave apo prej llogoreve të luftërave reale, ishte dhe një gjuhë tjetër, ajo e poezisë, e cila, ashtu si ambrozi mitologjik që i bënte të pavdekshme perënditë, edhe ajo tentonte të komunikonte me nga ato shenja të vlefshme përtej kohëshmërisë, që kishin mundur tek e fundit t`i mbanin gjallë këta popuj e këto kultura.
Kjo antologji duhet vlerësuar e gjykuar brenda një formati të synuar kriterial; si poezia e një areali kulturor historikogjeografik (Ballkanit), e një periudhe kronologjike, e dy shekujve të fundit 19-20 (pikërisht e asaj periudhe kur lindin dhe shtetet kombe në këtë rajon e bashkë me to lindin dhe fantazmat e nacionalizmave dhe të ashtuquajturat mëritë akiliane mes tyre), ku çdo vend përfaqësohet me 10-13 poetë (me rreth 50 faqe krijimtarie gjithsej).
Duke e prezantuar poezinë e çdo vendi ballkanik në dy shekujt e fundit, së bashku dhe me nga një studim hyrës, mund të thuhet se në miniaturë, shpaloset diagrama e procesit letrar të secilës gjuhë. Pra, jepet mundësia e vështrimit të këtyre proceseve letrare poetike në dinamikën historiko-letrare dhe jo në mënyrë statike. Ky proces e kjo dinamikë, është synuar të përcillet madje edhe brenda krijimeve të çdo poeti veçmas, të cilat, prej redaksive të përbëra kryesisht me kritikë nga bota universitare, ato krijime poetike janë përzgjedhur nga momente të ndryshme të krijimtarisë së tyre, për të ravijëzuar kështu dhe tendencat dhe profilin e tyre estetik.
Ndër poetët e shqipes në antologji përfshihen në rend kronologjik: J. De Rada, N. Frashëri, Gj. Fishta, F. S. Noli, L. Poradeci, Migjeni, M. Camaj, D. Agolli, I. Kadare, F. Arapi, A. Shkreli, A. Podrime dhe Xh. Spahiu. Nga poetët grekë janë: Andreas Kalvos, Dionosios Solomos, Kostas Pallamas, Kavafis, Siqelianos, Kariotakis, Seferis, Engonopullos, Ricos, Elitis, Sahturis dhe Anagnostakis. Mes letërsive të gjuhëve ballkanike, sigurisht që janë të njohura dhe të referuara prej studiuesve pika kontakti e ndikime të natyrave të ndryshme mes tyre. Veçmas poezia shqipe e ajo greke, i kanë evidente këto lidhje, që janë të brendshme e vijnë prej jetesës së afërt në shekuj, që kanë mundur të krijojnë pastaj disa dominanca të përbashkëta të rrafshit estetik.
Kultura e madhe helene, me letërsinë e saj në qendër, që do të bëhej themeli i letërsisë europiane e më gjerë, dihet se ka qenë e shtrirë në tre kontinente dhe ishte mitër e njëkohësisht krijesë/produkt i tërë këtij universi kulturor, të formuar prej racash e popujsh të ndryshëm. Ajo letërsi do të vijonte të kishte ndikimet dhe autoritetin e vet edhe në shekujt e mëpasëm. Ashtu si te shumë letërsi të tjera, kjo do të ndikonte edhe te formimi i autorëve grekë e shqiptarë.
Mund të kujtojmë p.sh. rolin e Zosimeas te një plejadë poetësh e intelektualësh shqiptarë. Te këto rrënjë të përbashkëta ndikimesh e komunikimesh, duhet konsideruar po ashtu edhe prania gjatë, përmbi gjysmë mijëvjeçare e humusit kulturor të arvanitasve, i cili, pa bujë, por sistematikisht, duhet dhe duket që të ketë injektuar në hapësirën ku ata jetonin, jo vetëm energji të fortë materiale, por edhe shpirtërore, përmes pushtetit të shenjave të gjuhës, të cilën ata e bartnin besnikërisht nëpër shekuj si kryqin e besimit të tyre të madh. Ato shenja besojmë të jenë tretur butësisht/ paqësisht dhe njëherazi mjaft dobishëm, nëpër deje të caktuara të poezisë greke.
Dëshmia dhe pranimi i tyre nuk mund të mendohet që të përcillet me kurrfarë ndjenje avantazhi, veçse kujton se sa afër janë pranë njeri-tjetrit këta dy popuj e këto dy kultura. Me këtë lidhet me sa duket dhe pohimi i Çabejt, kur shkruante për poezinë e De Radës, se ajo përcjell botën e arbëreshëve të shkulur prej Shqipërisë e Moresë (Peloponezit), pra, përcjell një pjesë bote ballkanike mu në mes të jetës latine. Letërsia greke e shek.19-20, ashtu si dhe ajo shqipe, sigurisht që manifeston ritmet e veta specifike të zhvillimit të saj nëpër shkolla e drejtime letrare.
Nuk mungojnë disa pika takimi mes tyre si p.sh. rreth tipareve të romantizmit, të cilat, tek të dy gjuhët, prodhojnë të ashtuquajturin romantizëm nacional, ku letërsia, e sidomos poezia, shfaq tipikisht valenca të forta të artit të angazhuar e shpesh kushtrimor, në dallim prej modelit meditant e mal du siècle të romantizmit klasik europianoperëndimor. Poezia sociale, me theks apeluese dhe vizione të një utopizmi humanist të Ricosit, gjen referenca në letërsinë shqipe me krijimtarinë e Migjenit, F.Arapit dhe Xh. Spahiut.
Për të vazhduar më tej, prirjet estetizante, puritaniste e simboliste, apo filozofia niçeane, të njohura këto specifikisht në poezi te Kavafis, Siqelianos, Elitis, vërehen në nivele të ndryshme e variacione origjinale po ashtu te poetë të gjuhës shqipe si; Poradeci, Migjeni dhe Camaj. Duhet kuptuar drejt se marrëdhëniet e ndikimet mes letërsive të çdo gjuhe, nuk fitojnë në rezultatin e produktit të tyre letrar kurrfarë raporti hierarkist. Autorët e poezisë shqipe të përfshirë në këtë antologji kanë pika të forta kontakti, sidomos me letërsinë antike greke, sikundër i kanë edhe me ato të kulturave latine, perso-arabe e deri hindase.
Që në krye të veprës së De Radës “Këngë të Milosaut” lumbardha e Anakreontit shkrihet në metaforën e një ripërtëritje universale, ku edhe … ujët e ri ndër det/kaltëronte te ditë e re…, aq sa do ta mahniste edhe kritikun, përkthyesin, filozofin e poetin e njohur romantik italian Niccolo Tommaseo (1802-1874), kur ai do të shprehej në vlerësim të lartë për poetin arbëresh duke thënë se: “ Mendimi se edhe ujërat e detit e përtërijnë veten në fund, mua nuk më vjen kurrë”.
A. Pipa ka pikëpamjen se alegoria e pëllumbit që shtegton nga Theosi e vjen në Tempe, e më pas nga Tempe në Makje, ndjell idenë se fryma e poezisë greke, në gjendje të fjetur prej shekujsh, ka gjetur më në fund një vazhdues të denjë te poeti shqiptar, i cili, ishte dhe një nga ithtarët e flaktë të teorisë së pellazgjishtes, ku shqipja sipas tij, cilësohej një prej themelueseve të kësaj protogjuhe, prej së cilës lindën më pas të tjerat, që vazhdojnë deri në kohët moderne.
Në një intervistë të tij, pyetjes se cilat janë ndikimet/burimet në veprën e tij, I. Kadare i përgjigjet: “Zakonisht për shkrimtarin, burim duhet të jetë e gjithë familja e madhe e letërsisë botërore. Dhe burimet ku jam mbështetur janë tre: së pari, teatri i vjetër grek, letërsia antike; së dyti, është familja e madhe e letërsisë europiane: Dantja, Shekspiri, Servantesi, Kafka…; së treti, është edhe letërsia shqipe me pjesë e saj më të mira”.
Autorët shqiptarë që kanë shkruar për tema të mprehta filozofike
Brenda këtij cikli poetik antologjik të poezisë shqipe, përfshihen autorë si: Poradeci, që krahas poemës së gjatë me motive hindase Kamadeva, krijoi poemën tjetër të tij me parabola të mprehta filozofike “Ekskursioni teologjik” i Sokratit, frymëzuar prej ikonës së filozofit të lashtë grek, që s`bëri kompromis me të keqen. Figura e tij përcillet/kujtohet gjithashtu përmes formatit provokues të dilemës së famshme antonimike: Sokrat i përvuajtun apo derr i kënaqun? – te një krijim i Migjenit e A. Podrimes. Te një nga poezitë mjaft të njohura të Nolit kemi shenjën e fortë të maratonomakut, simbolit gjithashtu i sjellë prej lashtësisë antike, ai i lajmësit të paepur të lirisë. Heroi lirik te poezia “Mall” e Kadaresë sjell ndërmend Heraklitin.
Në këtë antologji poezia shqipe e greke, ashtu si dhe ajo e gjuhëve të tjera të Ballkanit, nuk janë thjesht dhe vetëm një formatim rutinor apo i synuar/ kalkuluar prej përgatitësve të saj. Para së gjithash, ajo pranëvënie është e pranishme konceptualisht, nëpër shumë inde të teksteve poetike të këtij realiteti letrar, si një mega antologji, ku përfshihet pa protokollin e redaksive miratuese, tërë poezia dhe letërsitë e popujve të kësaj hapësire ballkanike, me tërë kontaktet/raportet e jashtme e të brendshme mes tyre. Ato krijime funksionojnë paraprakisht si të tilla brenda këtij sistemi dhe që prej këtej, hyjnë natyrshëm pastaj e zënë vend në një antologji, si kjo që është përgatitur.