Poezia ne vellimin Ne vetmi te Rreshpjes ne trajtim te njeanshem

Poezia ne vellimin 'Ne vetmi' te Rreshpjes, ne trajtim te njeanshem

Jam ulur në lëndinën me pamje mahnitëse, me aromat që të gudulisin këndshëm në frymëmarrje, ku merr shtysë imagjinata e nxitet fantazia frymëzuese për të gatuar poezinë. Kaq. Frymëzimi e fantazia është mirë të futet në linjën e funksionales, që krijimi të ketë shtyllë kurrizore për të qëndruar sa më gjatë mes njerëzve për njerëzit. Tablo metaforike kjo si shprehje!... Edhe kjo lëndinë me lule shumëngjyrëshe e bimësi të llojeve të tjera, që ushqehen nga toka, edhe pse jo e mbjellë për të marrë produkte bujqësore, i shërben njeriut: bletët punëtore mbledhin nektarin për të grumbulluar mjaltin, bagëtitë kullotin për të na dhënë qumështin, por kjo lëndinë ka edhe bimë medicinale e të tjera, e të tjera të mira, sigurisht, për njeriun.

Çka portretizova, pyes në sensin retorik: të gjitha këto janë apo s’janë për njeriun? Mjafton kaq në hyrje të kësaj kritike dhe nuk është nevoja që të “shkarravit” në fund të saj epilog… Duke gjykuar e konkluduar, bazuar në volumin poetik “Në vetmi” të Frederik Rreshpjes, këtu, thua se poezia ka rënë në trajtim të njëanshëm, ku fantazia i ka dhënë shtysë për ta veshur figuracionin me animizëm. Animizmi është besimi fetar te popujt primitivë ku sendet, dukuritë e botës merren si të gjalla.

Anashkalohet gama e gjerë e problematikave që ka jeta dhe është futur poezia në një shteg tepër të ngushtë, deri, për të thënë në një monopat të një shpati malor. Pra, krijuesi është larguar nga realiteti ku jeton. Sa shpreha fillimisht, nuk do të thotë se poezia e këtij autori nuk ka bukuri në ndërtesën e saj. Shpreh se titulli “Në vetmi” justifikon hyrjen e këtij shkrimi kritik edhe në prizmin psikologjik, ku gjendja shpirtërore e tij reflektohet. Nuk është kjo jeta në gjerësinë dhe thellësinë e saj.

Në këtë suazë është edhe kritika jonë, kur ndërmerr të japë vlerësimin e një vepre, sepse edhe kjo tregohet e njëanshme duke u përqendruar në stadin që ka vepra. Kështu kritika, që bën, nuk plotësohet. Nuk është kjo kritika që duhet të jetë. Në optikën e këtij poeti anashkalohet zhvillimi i shkencës, mrekullitë e saj, nuk ka azhurnim kohor në tematikë, por qëndrohet në një botë të vetmuar, gjë, që nuk i shkon për shtat zhvillimit dhe realitetit njerëzor. Ky qëndrim i tij s’do të thotë aspak se kështu ai krijon individualitetin e vet poetik të shëndoshë.

Edhe në të ardhmen do të merret në analizë kjo krijimtari, mbase, do të shikohet në prizma të ndryshëm kritikë, por, gjithsesi, mbi materialin që na ka dhënë… Epitete metaforike të tipit “dëbora e thinjur” janë të pranueshme, po, me borën të ndërtosh epitetin tjetër “trishtimi i borës” (pse jo gëzimi i borës?). Ose “Bien nga çerdhet ëndrrat e zogjve”, (pse jo fluturojnë nga çerdhet?) Manierizëm për të parë e dhënë ide të trishta! Kanë bukuri metaforat univoke: “Hënëza…/ fshihet në çerdhen e ujërave”… apo “…si çadër ciganësh/tendosur nga litarët e ujërave”. Reklamon hidhërim në këtë strofë: “Në skaj të një reje po ndez qiriun e hënës/për tërë këta shpirtra të rënë”. Pse?, thotë kritiku. Pse?, thotë lexuesi. Pse jepen panorama të trishta, fokusime vetëm për të dhënë dhimbje?

Pse me këtë sens negativ vishet natyra e poezisë nga ky poet? Edhe stinët, kur ndërrojnë njëra-tjetrën, nuk vijnë me ndjenja sentimentesh të trishta në misionin që kanë. Edhe stinët kanë misionin e vet në natyrë. Kjo shpjegohet edhe shkencërisht. Te vargu: “Drurët si antena/ku zërat kanë vdekur/zogjtë tani kanë shtëpinë tek era./U harrua hëna në kujtesën e gjetheve./Rrëzohet çdo ditë/ nga mollët vjeshta”. Ëhëëë… ka modernitet në këtë strofë?! Ç’është ky “modernitet”me lajthitje, me çoroditje në semantikën e strofës?

Modernitet mos quhet që poezia të jetë grumbull fjalësh, ku lexuesi të mos kuptojë se çfarë shkruhet, ku nuk ia gjen derën krijimit, ku të hyjë e të marrë vesh çfarë transmeton krijuesi, çfarë idesh shtjellon, çfarë mesazhesh jetësore përcjell (?!) Ja, mendimi kuturu në një strofë: “Do të bëhem vjeshtë dhe do të shkoj/ të vdes te shtëpia e gjetheve./Shtëpia e gjetheve kyçur në hënë./O zot! Nuk kam as ku të vdes…(?). Pak groteske këto mendime.

Vallë, cili njeri tjetër e ka këtë ide për jetën?! Njeriu lind për të jetuar. Filozofi tjetër nuk ka. Llahtaria në panorama të shumta poetike e kanë joshur dhe e kanë bërë të tillë që të daltojë në vargje ndjenja të trishta. Veç, ama, nga ana tjetër, në gjithë këtë kornizë poetike, thurur me mjeshtëri duke përdorur figuracionin stilistik, Rreshpja, pa dyshim, ka meritë. Konstrukti i vjershës si formë, vetëm si formë, është i arritur. Këtë meritë e ka jashtë përmbajtjes… Ndërsa për përmbajtjen… (mjaftojnë tri pikat e retiçencës).

Duhet thënë kryesorja: krijimtarinë e tij e dëmton së tepërmi metafora ekuivoke duke e bërë të pakuptueshme, mistike, konfuze, me hallakatje ideore: “Trokas te nata, por dyert e hijeve/për mua janë të mbyllura,/ kullat e hijeve i rrëzoi hëna,/Ah, hënë që më vrau mua/Aty nën pemën e muzgut”. Ilustrimi me këtë strofë për idenë që dhashë është bindës për këdo që lexon dhe vlerëson. Edhe titulli i kësaj vjershe është tepër paradoksal: “- e mira ime prej lotësh” - Ky emërtim i këtij krijimi stonon logjikisht dhe jashtë rregullave gjuhësore të komunikimit, madje, edhe më keq këtu, kur janë të shprehura me shkrim dhe të vargëzuara në poezi.

Metafora ekuivoke (shumëkuptimëshe) nuk duhet të bëhet objekt përdorimi masiv në mendjen dhe penën e poetit. Kjo është sëmundje e krijuesit, që kërkon kurim dhe vëmendje në ecurinë poetike, ku kërkon të performojë personalitetin e tij. Pse? Atëherë, gjejani kuptimin metaforës univoke apo ekuivoke të vargut: “Sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur!” Ky varg është më vete: vjen pas pikës dhe përfundon me pikëçuditje. Fjalia, e kornizuar ndërmjet këtyre dy shenjave të pikësimit, kuptimi i së cilës, nuk është as në tokë, as në qiell.

E njëjta gjë edhe për këto katër vargje: “Dhe dritat e portokajve i lëkund era në muzg/Mbi detin tërë valë./O palma,/Për ku festojnë ato portokalle?” Si në gjuhën shqipe, si dhe në çdo gjuhë tjetër, fjalët në fjali mbështesin e lidhen me njëra-tjetrën për të kumtuar përpara çdo njeriu mendimin. Atëherë, unë si kritik nuk kuptuakam, por… vaj-medet lexuesi… Në përdorimin e figurave stilistike poeti me të vërtetë ngulmon t’i përdorë në stil të gjerë, por ky figuracion duhet vënë në shërbim të zbukurimit të mendimit dhe duhet mbajtur nën kontroll. Ky është funksioni i figurave letrare dhe jashtë kësaj nuk duhet të dalë askush.

T’i japësh poezisë frymë misticizmi do të thotë ta ngjitësh atë, lart, në qiell, ta shkëputësh nga funksioni, që ka në edukimin estetik, moral për njerëzimin, i cili jeton në tokë. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se krijuesi, cilido qoftë, shkëputet nga lexuesi, pra, me një fjalë, shkëputet dhe lexuesi duke u larguar prej saj. Poetë të kësaj natyre ka dhe dihet cili është përfundimi i tyre: lexuesi i harron dhe vepra të tilla i mbulon pluhuri i harresës, pasi nuk kanë vlerë për shoqërinë dhe kohën në progresivitet etj., etj. Për jetën artin duhet ta bëjmë të shëndoshë në gjithë vështrimin sa më pozitiv.

Kritiku duke mos u kthyer në kritizer i bën pyetjen vetes: “Atëherë, ç’vlera ka ky libër i titulluar ‘Në vetmi’ i F. Rreshpjes?” Ka vlera në prizmin e punës që ka bërë me fjalën, me vargun, me strofën, me krijimin në tërësi. Edhe figurat letrare, duke mënjanuar këtu bërjen e psikanalizës të ngjyrimeve ndjesore (duke mos u marrë me këtë), duken mrekulli e mendimit të tij prej artisti, pavarësisht se autori tregohet selektiv ndaj përmbajtjes. Lirikat krijojnë tablo të plota dhe janë të përfunduara si mëvetësi. Ndër të tjera, si më të realizuarat, përmendim poezitë: “Kuajt e marsit”, “Poezia”, “Mane” etj. Them dhe thonë: “Nuk ka art pa përmbajtje”. Këtë nuk e mohon askush. Nuk e mohoj që arti poetik rreshpjan nuk ka përmbajtje,… por ka përmbajtje e përmbajtje e domethënie të përmbajtjes. Pra, kërkohet nga çdo lloj arti përmbajtje e shëndoshë, të lidhura ngushtë përmbajtje- formë, që kanë objektivitet dhe rrezatojnë mesazhe optimiste sociale.

Larg nga të bërit art për art

Duhet qëndruar larg nga të bërit art për art, larg të bërit labirinte vargjesh e poezish. Këtu, në këtë prizëm, nuk e kam fjalën që të cenohet mendimi pluralist, krijimtaria e ideve pluraliste. Veç nuk jam për ide ekstremiteti pluralist antishoqëror. Jam edhe për këtë: krijimtaria e ideve pluraliste të mos jetë krijimtari shterpe, jashtë funksionalitetit njerëzor, të mos jetë krijimtari flurudhë, e errët dhe pa qartësi, sepse poeti ka për detyrë të shkruajë për të tjerët dhe jo për vete. Migjeni në “Këngët e Rinisë” dha metaforën univoke: “Qeshu, rini, qeshu, se bota është e jote…”. Migjeni shkroi për kohën, kur jetoi, pra, për njeriun, për të ardhmen. Edhe Migjeni kaloi një jetë personale plot dramacitet, por derdhi në poezi ndjenjën e revoltës sociale, derdhi tone optimiste, deri, edhe në grishjen finale, tepër filozofike: “Të lindet një njeri”… për njerëzimin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama