Petrit Ymeri Te rejat dhe te vjetrat e Panairit te Librit

Petrit Ymeri: Te rejat dhe te vjetrat e Panairit te Librit

Intervistë me kryetarin e Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, çfarë risie do të sjellë edicioni i 18-të i Librit në Tiranë

Ashtu sikurse kudo në botën e madhe që na rrethon, botuesit shqiptarë po përpiqen të gjejnë mjete të reja drejt lexuesit të tyre, pra duke i ofruar dhe propozuar atij edhe formatin digjital të librit, mjete që në fakt në botë kanë kohë që e kanë kaluar procesin e testimit. Ka pak muaj që gjuha shqipe është bërë pjesë e rrjetit “Amazon” për shitjet e librit në format digjital. Për këtë arsye, gjatë ditëve të panairit do të ketë një konferencë të organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, me temë “Editoria shqiptare, libri digjital dhe self publishing: A po i ndryshon teknologjia e web-it (edhe) botimet tona?”, ku njerëz të librit do të diskutojnë për këtë mundësi të re në botën e librit

Panairi i Librit hyn në edicionin e 18-të, ka pasur në gjithë këto vite ulje dhe ngritje përsa i takon mbështetjes shumë të diskutuar të Ministrisë së Kulturës, apo të Bashkisë së Tiranës. Së pari, do të donim të dinim sa të angazhuar kanë qenë këto institucione për këtë veprimtari?

Pavarësisht se nuk më pëlqen ta nis intervistën për një ngjarje kaq të madhe kulturore siç është Panairi i Librit me një pyetje vërtet të konsumuar, mund t’ju konfirmoj që Ministria e Kulturës e ka mbështetur financiarisht Panairin e 18 të Librit. Mungesa e radhës është ajo e Bashkisë së Tiranës që, sikurse ka ndodhur në shumicën e herëve, bën sikur nuk e di dhe nuk e vlerëson këtë aktivitet të madh kulturor. Nuk më pëlqen të bëj komente për këtë mungesë, por jam i detyruar të nënvizoj që Panairi i Librit i Tiranës është veprimtari tradicionale dhe kombëtare, që bëhet në kryeqytet, në Tiranë dhe gjëja më normale do të ishte që Bashkia e Tiranës të ishte e interesuar më shumë se kushdo tjetër për këtë aktivitet. Kjo është edhe përvoja në panairet e librit kudo në Europë, në atë të Frankfurtit apo Parisit, Torinos apo Bolonjës, Leipzigut apo Londrës, bashkitë janë mbështetësit kryesorë dhe promotorët e veprimtarive kulturore në qytetet e panairit. Por në këtë Shqipërinë tonë të gjorë, nuk mund të bësh krahasime përveçse me Shqipërinë.

Si është pjesëmarrja e shtëpive botuese këtë vit, pasi dihet që tani janë zgjeruar mundësitë e shitjes së librit përgjatë vitit, përfshirë dhe “panairin” e pranverës?!

Pjesëmarrja dhe interesimi i shtëpive botuese si gjithmonë janë maksimale, aq sa nuk ka më asnjë vend të lirë. Nuk e dimë ku e mbështesni mendimin, sipas të cilit janë zgjeruar mundësitë e shitjeve gjatë vitit,  sepse gjatë vitit 2015 janë mbyllur shumë librari dhe shitjet janë vërtet më të pakta.

Ju thoni në njoftimin e këtij edicioni se panairi do të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorë, botues, lexues, përkthyes etj., me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë…Çfarë do të thotë kjo konkretisht, për çfarë tradite flisni?

Në Shqipëri ka një traditë të mirë leximi dhe një nga pikat e forta mbi të cilat është mbështetur zhvillimi i sektorit libror në Shqipëri është pikërisht edhe kjo traditë. Ne jemi një popull që i ka pëlqyer të lexojë, i ka interesuar letërsia artistike, e autorëve të huaj apo vendas, i ka interesuar historia në mënyrë të veçantë, por edhe fusha të tjera. Kjo traditë pra, për mendimin tim, ka vazhduar edhe në kushtet e një sistemi demokratik, kur janë shtuar pa dyshim me cilësi të reja titujt që vijnë nga gjuhët dhe kulturat e ndryshme. Ajo që ka qenë dhe vazhdon të jetë pikë e dobët në punën tonë me librin është rrjeti i konsumuar dhe i varfër i librarive (kemi qytete që kanë fare pak ose aspak librari), por edhe mosekzistenca e distribucionit të organizuar të librit. Pra flas për traditë leximi, por ka dhe një traditë të re shumë të mirë botimi, e cila po krijohet dhe konsolidohet në këto vite ku në Shqipëri nga botuesit tanë, janë prurë autorë të shquar, letërsi të zhvilluara, megjithëse në kushte të vështira, kur duhet të përballohen shumë sfida, shumë pengesa dhe me fare pak mbështetje institucionale. Kemi një sistem bibliotekar të konsumuar, të dëmtuar dhe jo efikas, mungojnë fondet për pasurimin e bibliotekave, mungon interesimi për të njohur lexuesit me letërsinë më të mirë që botohet në Shqipëri. Këto probleme nuk i zgjidhin dot botuesit,  ata vetëm mund t’i konstatojnë, këto probleme duhet t’i zgjidhë shteti, administrata por edhe shoqëria, nëpërmjet mënyrave të shumta që janë në një sistem demokratik.

Një risi e publikuar tashmë është mbajtja e temës: “Libri digjital në Shqipëri: një mundësi më shumë për të lexuar”. Si do të jetë i organizuar ky projekt leximi?

Ky nuk është projekt leximi, ky është një projekt pune për prodhimin dhe shpërndarjen e librave në formate elektronike, pra digjitale nga botuesit shqiptarë. Pra është një projekt promovimi i leximit digjital. Ashtu sikurse kudo në botën e madhe që na rrethon, botuesit shqiptarë po përpiqen të gjejnë mjete të reja drejt lexuesit të tyre, pra duke i ofruar dhe propozuar atij edhe formatin digjital të librit, mjete që në fakt në botë kanë kohë që e kanë kaluar procesin e testimit. Ka pak muaj që gjuha shqipe është bërë pjesë e rrjetit “Amazon” për shitjet e librit në format digjital. Për këtë arsye, gjatë ditëve të panairit do të ketë një konferencë të organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, me temë “Editoria shqiptare, libri digjital dhe seli publishing: A po i ndryshon teknologjia e web-it (edhe) botimet tona?”, ku njerëz të librit do të diskutojnë për këtë mundësi të re në botën e librit. Gjithashtu, në bashkëpunim me “Vodafone Albania” do të promovohet libri digjital në shqip dhe gjuhë të huaj dhe sidomos lexuesit e rinj do të kenë mundësi ta lexojnë librin apo ta shkarkojnë atë edhe nëpërmjet telefonit etj. Edhe Shtëpia Botuese DITURIA do të ofrojë gjatë këtij panairi një tufë librash, të cilat mund të klikohen nga lexuesit. Sigurisht, targeti kryesor të cilin synojmë do të jetë rinia, por shpresojmë që kjo gjë të përqafohet në një masë të madhe nga të gjithë lexuesit e interesuar. Ne nuk mendojmë se libri digjital do të zëvendësojë librin letër, por kjo është, sikurse e kemi thënë: një mundësi më shumë për të lexuar.

Përveç biznesit të librit, sigurisht që panairi tërheq me emra të ftuarish, a keni një listë për këtë, se cilët do të jenë?

Synimi ynë është që ta tërheqim lexuesin me titujt e rinj, sepse këta janë risia kryesore e panairit, titujt e rinj por edhe tituj të tjerë që botuesit do të ofrojnë në panair. Të ftuarit që vijnë janë një element më shumë, joshës dhe i rëndësishëm për diskutimin letrar. Autorët shqiptarë do të jenë të pranishëm në çdo stendë, ku do të promovojnë edhe librat e tyre. Një risi është edhe prania e përkthyesve, që ne i konsiderojmë me mjaft peshë në procesin krijues e botues. Ne ftojmë qindra e qindra njerëz për të qenë pjesë dhe për të vizituar Panairin e Librit, qoftë nëpërmjet emaileve, rrjeteve sociale apo ftesave. Mbreti i panairit për ne është lexuesi dhe në qoftë se ne arrijmë të kënaqim dhe të gëzojmë lexuesit, të të gjitha moshave dhe shijeve e preferencave librore, atëherë do ta quajmë që e kemi realizuar më së miri këtë qëllim në Panairin e Librit.

Por, cilat debate letrare apo që lidhen me librin, do të rrahë këtë vit panairi?

Ne nuk e mendojmë Panairin e Librit posaçërisht si vend të debateve letrare, sepse nuk është ky qëllimi i panairit. Pra në këtë format që ka panairi, përgjithësisht ne nuk parashikojmë organizimin e debateve për çështje të veçanta të zhvillimit të letërsisë, të gjinive apo llojeve të ndryshme e kështu me radhë. Sigurisht që gjatë aktiviteteve të shumta që bëhen në Panairin e Librit, si prezantime veprash, zhvillohen debate për çështje të caktuara, për një autor, për një vepër, për dukuri letrare apo kulturore e kështu me radhë. Pra, ne nuk parashikojmë debate të nivelit studimor, përveçse në raste shumë të rralla. Për ta ilustruar këtë, po përmend dy panaire libri të viteve të fundit, ku ne kemi organizuar konferenca mbi probleme të përkthimit në Shqipëri, një prej të cilave në vitin 2010, ku kishim ftuar një grup të madh me rreth 15 persona nga vendet e rajonit tonë, bashkëpunëtorë të Projektit Traduki. Shoqata e Botuesve e prezantoi këtë projekt në Shqipëri, ua prezantuam Tradukin përkthyesve dhe autorëve shqiptarë, në mënyrë të gjerë dhe profesionalisht. Më pas, siç e dimë, ky projekt përkthimesh e botimesh krijoi raporte edhe më të gjera në nivele shtetërore e me bashkëpunëtorë të tjerë. Një informacion që ndofta mund ta quajmë debat, do të jetë edhe gjatë ditëve të panairit që po vjen, ku krahas prezantimit të platformës digjitale në Shqipëri, do të bëjmë të njohur edhe rezultatet e një anketimi që ka bërë Shoqata e Botuesve Shqiptarë për leximin dhe prirjet e tij në Shqipëri. Pra këto debate, edhe pa qenë qëllim në vetvete, bëhen kur lidhen me një tematikë të caktuar, me një aktivitet të caktuar.

E drejta e autorit vazhdon të mbetet një gangrenë e botimeve, sidomos përkthimeve. A do të jetë “i mbrojtur” panairi nga ky fenomen, a është ndjekur ndonjë procedurë filtrimi mbi këtë?

Për fat të keq, pirateria dhe informaliteti përbëjnë ende probleme shumë të rënda. Gjejmë pa fund tituj që botohen dhe përkthehen pa marrë lejen e botimit, kemi shumë e shumë subjekte që veprojnë në fushën e botimeve pa qenë të licencuar dhe po ashtu kemi shumë subjekte që, megjithëse janë shumë aktivë në biznesin e botimeve, fshihen nën kostumin e ngrohtë e komod të organizatave jofitimprurëse. Për të gjitha këto dukuri ne nuk mund të përdorim Panairin e Librit për t’i përplasur derën në fytyrë askujt, por është një rast për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve dhe të opinionit shoqëror. Natyrisht që është për të ardhur keq që organet administrative dhe institucionet shtetërore bëjnë sikur nuk i shohin këto gjëra.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama