Pas katër vjetësh me dyer të mbyllura, duke nisur që nga dita e sotme Muzeu Arkeologjik i Durrësit, do të hap dyert për vizitorët. Përurimi do të bëhet sot paradite në praninë e personaliteve shtetërore, ku burime nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës kanë pohuar se do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rikonstruksioni i Muzeut Arkelogjik të Durrësit për shkak të shumë problemeve organizative e institucionale ka zgjatur për rreth katër vjet.
Ledion Lako, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Durrës, tha dje për gazetën “Shqiptarja.com” se Muzeu Arkeologjik tashmë është gati për ekspozimin e një fondi shumë të pasur muzeal. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Durrës, tha ndër të tjera se ka përfunduar edhe trajtimi i objekteve arkeologjike të Muzeut, të cilat duke qëndruar të mbyllura për një kohë të gjatë janë pastruar, së pari, nga pluhuri.
Lako gjithashtu rrëfen se janë sjellë në gjendje të përmirësuar në muze edhe pjesa tjetër e objkteve të cilat ishin çuar për të restauruar në Laboratorin e Restaurimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku mbi to janë kryer ndërhyrje të mirëfillta konservuese. Ndërsa një tjetër pjesë e objekteve sipas tij janë pastruar dhe konservuar në ambientet e këtij muzeu.
Lako shprehet për gazetën se janë rregulluar edhe mjediset jashtë Muzeut Arkeologjik. “Kanë përfunduar punimet për sistemimin e oborrit të muzeut ku janë ekspozuar një pjesë e objekteve arkeologjike. Punimet janë bërë në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit ku ambjentet e jashtme janë drenazhuar duke u bërë gati që të ketë gjelbërim të rregulluar në mënyrë në harmoni me ekspozimet e objekteve arkeologjike në këto ambjente”.
Lako pohon se pas promovimit eksponatet e trashëgimisë arkeologjike që mbart ky muze do të jenë të hapura për publikun vendas dhe të huaj. Sipas Lakos, drejtorit të DRKK-së Durrës, pas promovimit muzeu arkeologjik do të ketë si koncept pasurimin e vazhdueshëm nga zbulimet e fundit arkeologjike, ku ai shton se Muzeu Arekologjik i Durrësit ka edhe fonde e objekte ende të pastudiuara, të cilat janë vendosur në një magazinë të vogël në pjesën e pasme të oborrit. Sipas Lakos në këtë muze në total janë 3204 artefakte.
Por ai tha se “Drejtoria Rajonale e Kulturës në Durrës gjatë viteve të fundit është përgjegjëse, jo vetëm për këto artefakte, por edhe për administrimin e trashëgimisë materiale dhe jomateriale të një territori mjaft të zgjeruar që përfshin Tiranën, Elbasanin, Fierin dhe Krujën. “Ne kemi filluar të zhvillojmë një koncept krejt të ri të Muzeut Arkeologjik dhe transformimin e tij nga një sallë ekspozimi objektesh të ndryshme, në një qendër kulturore aktive dhe me një audiencë gjithmonë në rritje.
Edhe këtu, rininë shkollore dhe rrjetin e “Mikut të Monumentit “që tashmë e kemi ngritur dhe po e zgjerojmë përditë, e konsiderojmë si një partner potencial mjaft të rëndësishëm. Aktiviteti didaktik dhe promovues do të zërë një vend përherë e më të rëndësishëm në administrimin e ri të Muzeut dhe në rritjen e vazhdueshme të audiencës së tij.”, tha Lako. Rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, nisi në shtator të vitit 2011, por punimet u ndërprenë disa herë për shkak të një paqartësie në pronësinë e truallit në pjesën e pasme të oborrit, si dhe në vështirësitë e hasura për transferimin e fondeve të strehuara prej vitesh në katin e tretë të godinës.
Historia e Muzeut
Muzeu arkeologjik i Durrësit u përurua në vitin 1951 me nismën e arkeologut të njohur Vangjel Toçi në një godinë dykatëshe të shëtitores që mban sot emrin “Taulantia”. Një pjesë e objekteve arkeologjike, që u vendosën fillimisht në eksponatet e muzeut të vjetër u zhvendosën në vitin 2002 në Muzeun e ri arkeologjik, që u ndërtua vetëm 200 metra më në veri, në të njejtën rrugë. Muzeu arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj.