Në ditën e çlirimit të Prishtinës, stadiumi i qytetit është mbushur plot e përplot me fustane apo funde në kujtim të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Për këtë projekt kanë punuar disa nga të mbijetuarat e luftës, të cilat nuk kanë dashur që të fotografohen. Gjithashtu janë dhuruar fustane nga shumë gra nga mbarë bota, duke filluar nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, si dhe këngëtarja me origjinë kosovare Rita Ora.
Ky projekt i quajtur "Mendoj për ty", ka për qëllim të portretizojë pafajësinë e grave të cilat kanë qenë viktima dhe tani kanë nevojë për njohjen dhe mbështetjen e të gjithë shoqërisë. Ai është organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, i themeluar dhe i udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.