Periferite e Tasos ne Selanik

Periferitë e Tasos në Selanik
Ekspozita u hap në sallonin prestigjoz të artit "Mediterranean Place". Merrnin pjesë prefekti Psomiadhis, prefektja e Korçës Elfrida Zefi, ambasadori i Shqipërisë në Greqi Vili Minarolli, konsulli shqiptar në Selanik Thoma Nini dhe shumë personalitete vendas të artit.

Në ekspozitën e Kostandinit vend qëndror zinte tema e vendlindjes, sa intime aq edhe groteske, një simbolikë që përcjell jetën në dritë-hijet, gëzimet apo hidhërimet e periferive shqiptare. Ngjyrat e thyera apo format e mirëndërtuara, sjellin aromën e tokës që prodhon rrushin që prodhon verën apo rakinë dehëse.

Lejtmotivi i çdo pikture është një lloj humori që vjen nga skenat e jetës familjare, shpesh të çuditshme. Ekspresioni i përditshmërisë bashkëjeton me traditën groteske popullore pasi shumë nga këto motive janë marrë nga shkrimtari i madh Mitrush Kuteli. Mund të përmenden tablotë "Lumi i Madh", "Fshati im e pi rakinë". Vend të veçantë kanë zënë tablotë me motive nga poeti Lasgush Poradeci me tablonë "Vdekja e nositit". Në njërën prej tyre tregon piktorin në qilarin e verës dhe të rakisë në një moment dehjeje.

Kostandini luan me efektet e dritës që ndriçon liqenin simbol. Çdo gjë lind nga ky liqen... Diçka ndryshe është me pikturën "Apokalips në Voskopojë" ku dekompozimi i formave tregon shkatërrimin e qytetit të lashtë të Voskopojës.

Grafikat janë baza e aventurës së tij artistike që zgjojnë ndjenjën e imazheve të forta shumë mirë të detajuara. Edhe në pastelet apo vizatimet autori tregon kuriozitetin e lartë për të gjetur të bukurën kudo ajo ndodhet. Interes ngjallën në ekspozitë edhe 35 fletët grafike bardhë e zi ku Kostandini ilustron novelën e Kutelit "E madhe është gjëma e mëkatit".

Pasi ka vizituar ekspozitën, prefekti Psomiadhis u shpreh: "Në këtë ekspozitë pashë se nuk kemi të bëjmë me një piktor të zakonshëm por me një penel të fuqishëm i cili flet me një galeri të tërë detajesh artistike…"
 
Bardhyl Berberi  : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama