Per here te pare shkollat publike ne Nju Jork do jene pushim per Bajram

Per here te pare shkollat publike ne Nju Jork do jene pushim per Bajram

Për herë të parë shkollat publike në Nju Jork do të mbyllen ditën e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në Islam.

Kryebashkiaku demokrat Bill de Blazio e kishte shpallur vendimin qysh në mars, “për të pasqyruar forcën dhe diversitetin e qytetit tonë”.

Kështu 1.1 milion nxënësit e rreth 1800 shkollave publike të qytetit më të madh amerikan do të jenë pushim të enjten, pasi ishin edhe të mërkurën për festën hebreje të Jom Kipurit.

Ndërkohë, është vendosur që nga viti i ardhshëm të jetë ditë pushimi edhe festa e Fitër Bajramit.

Shkollat publike të Nju Jorkut mbyllen gjatë disa festave të krishtera dhe hebreje, ndërsa përveç dy Bajramëve të myslimanëve do të jetë pushim edhe dita e Vitit të Ri hënor, që kremtohet në Kinë dhe në disa vende aziatike. Vitin e ardhshëm kjo festë është më 8 shkurt.

“Është një fitore e madhe që ia arrijmë kësaj dite”, u shpreh për AFP-në Linda Sarsur, anëtare e “Koalicionit për Pushimet e Shkollave Myslimane” dhe nënë e tre fëmijëve.

“Si imam dhe si prind, jam shumë i gëzuar”, deklaroi imami Shemsi Ali, drejtor i Qendrës Myslimane Xhamajkane në zonën e Kuinsit. “Mendoj se kjo politikë do t’i bëjë myslimanët të ndihen të përfshirë”, shtoi ai.

Deri më sot, prindërit myslimanë përballeshin me dilemën nëse duhet t’i mbanin fëmijët në shtëpi për festë, apo t’i dërgonin në shkollë sikurse ditët e tjera, e të festonin pa ta.

“Biseduam ballë për ballë me familjet për ta ndryshuar kalendarin e shkollave tona, në mënyrë që të reflektojmë forcën dhe diversitetin e qytetit tonë. Qindra mijëra familjeve myslimane nuk do t’u duhet më të zgjedhin mes respektimit të një prej ditëve të tyre më të shenjta dhe lejimit të fëmijëve për të shkuar në shkollë”, deklaroi në mars De Blazio, i cili këtë e pati premtim fushate.

Sipas autoriteteve, diçka më pak se 10 për qind e nxënësve në shkollat publike të Nju Jorkut janë myslimanë. 7-10 myslimanë jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga të cilët 1 milion në Nju Jork.

Në fakt ky nuk është qyteti i parë që i respekton festat myslimane në shkollat e veta. Më herët, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Vermonti, Masaçusetsi e Nju Xhersi, të gjithë shtete në verilindje të vendit.

Prej shumë vitesh, krerët e bashkësisë myslimane në Nju Jork i kërkonin këto ditë pushimi me arsyetimin se respektimi i festave të kësaj feje do të luftojë islamofobinë. “Është një periudhë e nderë, njerëzit nuk mund të flasin për islamin pa e lidhur me terrorizmin”, thotë znj. Sarsur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama