Pelqimet false ne median sociale behen biznes i madh

Pelqimet false ne median sociale behen biznes i madh

Njerëz të famshëm të muzikës apo filmave, biznese madje dhe vetë Departamenti i Shtetit i SHBA-së kanë blerë pëlqime fantazmë në Facebook apo ndjekës në Twitter e shikime në YouTube nga “fermat e klikimeve” jashtë vendit, ku punonjësit shtypin vazhdimisht butonat, shohin video apo ripostojnë komente për të inflacionuar numrat e medias sociale.

Që kur filloi Facebook dhjetë vjet më parë, përdoruesit u përpoqën të zgjerojnë rrjetet e tyre shoqërore për përfitime financiare, duke fituar miq, duke forcuar të drejtat dhe duke përhapur ndikimin e vet profesional. Dhe kompanitë e medias shoqërore vlerësojnë nivelin e ndërveprimit si çmim për punën e vet.

Por një ekzaminim i Associated Press zbuloi një treg në rritje botërore për klikime false, të cilat kompanitë e teknologjisë nuk po arrijnë t’i vënë nën kontroll. Të dhënat në internet dhe studimet e industrisë tregojnë se kompanitë po kapitalizojnë mundësinë për të fituar miliona dollarë në median shoqërore.

Për më pak se gjysmë centi copa mund të blihet një klik apo një like për të ndikuar në praninë e një kompanie apo institucioni në median shoqërore.

Disa ekspertë italianë vlerësojnë se shitja e ndjekësve fals në Twitter mund të ketë qenë një biznes me vlerë 40 deri në 360 milionë dollarë deri më sot, ndërsa aktivitetet false në Facebook sjellin mbi 200 milionë dollarë në vit.

Për rrjedhojë, shumë kompani, vlera e të cilave bazohet te besueshmëria, kanë skuadra të tëra që përpiqen të krijojnë aktivitet fals në mediat shoqërore.

Fillimisht qenë inxhinierët që krijuan programe kompjuterike për të gjeneruar informacion fals. Kjo praktikë u luftua me programe antimakineri, si Verifikimi Vizual. YouTube fshiu miliarda video muzikore vitin e kaluar kur audituesit zbuluan se këto video kishin një numër të ekzagjeruar shikimesh. Kompania Google është në mënyrë konstante duke luftuar njerëzit që gjenerojnë klikime false mbi reklamat e tyre. Ndërsa Facebook vlerëson se mbi 14 milionë llogari në këtë rrjet social janë false.

Dhaka në Bangladesh, një qytet me 7 milionë banorë në Azinë e Jugut është qendra ndërkombëtare për klikimet false. Një kompani është krijuar këtu për të paguar punëtorë që manualisht klikojnë mbi faqet e medias shoqërore të klientëve të vet, duke e bërë më të vështirë për Facebook, Google apo të tjerë që t’i kapin. Sipas tij, llogaritë janë reale, njerëzit janë realë dhe klikimet gjithashtu, pavarësisht se për këto klikime paguhet.

Një kontroll i thjeshtë në Facebook tregon se Dhaka është qyteti më popullor për shumë yje pa lidhje me Bangladeshin, përfshirë futbollistin Leo Messi, i cili ka 51 milionë pëlqime.

Në vitin 2013, Departamenti i Shtetit, i cili ka më shumë se 400 mijë pëlqime, rezultoi së fundmi se vendi më popullor për të është Kajro. Ai deklaroi se nuk do të blejë më “like”, pasi një auditor e kritikoi agjencinë për shpenzimin e 630 mijë dollarëve për të rritur numrat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama