Peizazhi shqiptar ne penelaten e Shabanit

Peizazhi shqiptar, ne penelaten e Shabanit

Janë 50 tablo, të cilat sjellin peizazhe nga e gjithë Shqipëria, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nga skaji më jugor në atë verior, duke ndalur edhe në ato vende, që sot njeriu i ka braktisur, por që vijnë plot dritë në një ekspozitë në GKA. Piktori Rakip Shabani tregon se rikthehet pas 9 vjetësh me një ekspozitë, në të cilën sjell punë në akuarel, të ndërthurura dhe me elemente të tjera.

Janë peizazhe, portrete, kompozime, të ndara në cikle ose jo. Duke i bërë një përshkrim asaj ç’ka ndodhur me natyrën, por edhe me njerëzit përgjatë kaq shumë viteve udhëtim dhe krijim. Piktori Rakip Shabani tregon se ka dëshirë që, kur njerëzit të shkojnë për të parë ekspozitën në GKA, të mbushen me pak ajër, por edhe të çlodhen nga politika, e cila, sipas tij, nuk zgjidh asgjë.

“Ky është mesazhi që dua të sjell nëpërmjet kësaj ekspozite, vetëm dritë”, thotë ai, duke shtuar më tej se, për fat të keq, jo të gjithë njerëzit janë mësuar me art. “Kjo është ekspozita e 40-të që unë realizoj dhe ende vazhdoj t’i them vetes sime se, nëse do të bësh art, duhet që të konsultohesh me natyrën. Natyra është shumë e ashpër, por edhe shumë bujare. Natyra të mëson përditë diçka të re”, vazhdon të thotë më tej piktori. Mjeshtër të pakursyer të bën natyra, prandaj, sipas Shabanit, nëse shkon për të bërë diçka në natyrë, duhet të shikosh edhe se çfarë strukture kanë malet, kodrat pemët etj. “Ç’është etnografia? Cilat janë këngët popullore për dashurinë?...

Nëse nuk do të ishte arti figurativ, historia e botës do të ishte e varfër. Vetëm nëpërmjet saj ne gjejmë fjalorin tonë. Unë mundohem që në mënyrë modeste të prezantoj një ekspozitë, në të cilën kam sjell dritën që ka vendi ynë”. Për çdo gjë mjeshtri i peizazheve këshillohet me natyrën, duke e interpretuar fabulën e tyre nëpërmjet elementeve të ndryshme. Sipas Shabanit, shpeshherë natyra është e tmerrshme, sepse shkul pemë dhe ç’ka rrotull, por në fund të çdo tronditjeje ajo sërish jep freski.

Ndërsa rrugëtimin në peizazhet shqiptare ai e ndan në dy kategori: para viteve ’90, që sipas tij, ishte më e thjeshtë, sepse njerëzit të mirëprisnin dhe pas viteve ’90, kur gjërat ndryshuan. “Atëherë kishte më tepër mikpritje, flihej pa merak në stane dhe ishe i sigurt. Por tani nuk i njeh mirë njerëzit dhe është pak më e vështirë”. Teksa radhitet tek ata njerëz që e cilësojnë natyrën bujare dhe njeriun shumë të vogël para saj, ai thekson se u përket atyre artistëve që mbrojnë progresin dhe jo regresin, pavarësisht se ka elemente të ndryshme në natyrë që mund të jenë të trishtuara.

Një përshkrim të punëve të Rakip Shabanit bën edhe drejtori i GKA-së, Artani Shabani, i cili më tepër se një piktor e konsideron atë arkeolog të pikturës shqiptare. “Është ndër piktorët e rrallë që ka eksploruar natyrën shqiptare në detaje, duke filluar nga fshatrat e Konispolit, Butrintit, Labërisë, grykat e maleve dhe në vende që i njohin vetëm vendalinjtë. Rakipi me akuarelet e tij të bardha e ka prekur natyrën shqiptare, sepse kërkonte magjinë e dritës që e karakterizonte. Është një piktor totalisht mesdhetar. Akuarelet që përfaqësohen në këtë ekspozitë me një panoramë të plotë nga fshatrat e Jugut deri në fshatrat më të thellë të Veriut, ai u fikson detajet me syrin e artistit në dy kënde: të fotografit dhe të atij që i interpreton. Rakipi ka pikturuar gjithashtu dhe kishat e Voskopojës, duke i sjellë të gjalla në këto akuarele të mrekullueshme. Është autor i mbi 6 000 veprave të artit, 4 000 nga të cilat janë akuarele”.

Studiuesi i artit, Ylli Drishti, e paraqet artistin qysh në vitet e para të krijimtarisë artistike e deri në ditët tona. “Rakip Shabani ka hyrë në lice artistik pa konkurruar. Menjëherë kur e pa mjeshtri Abdurrahim Buza e ftoi në Tiranë. Paradoks është se ai studioi për skulpturë. Në vitet 1953-63 ka studiuar për skulpturë, por pedagogu i tij, ai që i qëndroi afër ishte sërish mjeshtri Buza”. Drishti tregon më tej se këtij pasioni Shabani nuk iu nda gjithë jetës, në rreth pesëdhjetë vjet krijimtari, që ai me pasion dhe përkushtim ka realizuar peizazhe dhe njëkohësisht edhe portrete, në teknikën e vajit dhe në akuarel. “Ka disa çmime me të cilat është vlerësuar. Në vitin 1974 në ekspozitën kombëtare ku ka marrë pjesë është vlerësuar me çmim të parë për tablonë ‘Nëna labe’, që ndodhet në fondin e GKA-së.

Në vitin 1976 vlerësohet me çmim të dytë për punim në peizazh dhe kjo tablo, në vaj, është në GKA etj. Rrugëtimi i tij artistik realizohet bashkë me artistët e tjerë, si: Skënder Kamberi, Ilmi Bani etj,. të cilët njëlloj si Rakipi kërkonin magjinë e dritës, të ngjyrës etj. Ata iu përkushtuan kësaj magjie në atë që quhet shkolla e Vlorës. Interesante është që së fundmi prej këtij artisti kemi katër cikle me vepra sikurse janë: “Zogjtë”, “Arti në Alaskë”, “Fluturat” dhe “Dhitë”. Secila prej tyre i ka kërkuar autorit një muaj punë intensive”. Studiuesi Drishti shprehet më tej se duhet vlerësuar te ky autor impakti me natyrën. “Është piktor i penelit. Ai ruan magjinë dhe freskinë e akuarelit dhe njëkohësisht mund ta vlerësojmë si një artist me këndvështrime kompozicionale të veçanta”.

Rakip Shabani është një vazhdues i mjeshtrave të traditës së akuarelit shqiptar. Sipas Drishtit, duke nisur që nga Gjergj Fishta, Simon Rroka, Fadil Pëllumbi, Sadik Kaceli, Helidon Haliti etj,. punimet e tij sjellin magjinë e peizazhit shqiptar, dashurinë e tij për transparencën dhe ngjyrën që ky peizazh ka. “Do ta vlerësoja dhe për diçka tjetër. Ky piktor është prodhimtar dhe ka një kod të veçantë. Ai peizazhet i bën nga ora pesë e mëngjesit deri në shtatë. Këtë kohë e quan të përshtatshme, sepse transparenca e dritës është më e madhe. Tablotë e tij mund t’i ndajmë dhe me cikle: në atë të baronëve, të portreteve me veshje popullore, të kishave dhe të manastireve shqiptare. Kemi ciklin që i kushtohet Vlorës, bregdetit dhe fshatrave të saj etj. Në vitin 2006 ka qenë prezent në GKA”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama