Pedagogu 100 mije leke per provim. Gjykata Studenti e provokoi rende!

Pedagogu, 100 mije leke per provim. Gjykata: Studenti e provokoi rende!

Në vendim, të gjitha përgjimet telefonike dhe ambientale janë rrëzuar nga gjykata, me arsyetimin se rrethanat nuk janë zbardhur në mënyrë të sinkronizuar. Ato janë bërë të papërdorshme

Vendimi i pafajësisë për Alfred Çaushin në Kamzë, që i dha çelësat e makinës një studenti për t’i dhënë ryshfetin


Korrupsioni vazhdon të mos ndëshkohet nga drejtësia. Pas pafajësive në masë për ish-guvernatorin Fullani, gjyqtarin Osman Aliu, ose për ish-kreun e tatimeve, Ismail Muça, gjykata regjistron një tjetër vendim të dyshimtë, megjithëse në dosje ka pasur përgjime e vëzhgime, madje denoncuesi i rastit ka qenë person i infiltruar nga policia. Disa ditë më parë, një trup gjykues me kryesues Lazër Sallakun dhe anëtarë Tereza Merkajn dhe Kreshnik Omarin, teksa kanë vendosur pafajësi për Alfred Çaushin, pedagogun në Universitetin e Kamzës. 40-vjeçari akuzohet për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, ndërsa prokuroria kërkoi dënimin e tij me 3 vite e 6 muaj burg. Sipas vendimit, që disponohet nga gazeta “Shqip”, Çaushi jepte anglisht në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit në Universitetin Bujqësor. Ndërkohë, kallëzuesi i këtij rasti, Adriatik B., ka qenë student për “Akuakulturë” që në vitin 2009. Rezultonte se ai kishte humbur dy vite shkollore, sepse ka qenë në stazh, ndërsa ka qenë mbetës dhe në lëndën e anglishtes, të cilën që prej vitit 2011 deri në vitin 2014 e ka dhënë 5 herë, por është shpallur ngelës. Herën e fundit që ka dhënë këtë provim, ka qenë më datë 30 qershor 2014, dhe përsëri nuk ka kaluar. Më datë 1 korrik 2014 u paraqit në polici dhe ka kallëzuar pedagogun Çaushi. Ai ka thënë se një shoku i tij i ishte futur mik për të pedagogut, por ai i kishte thënë se “Ka detyrime ai, s’ka paguar taksën”. Ai tha se kërkonte të bashkëpunonte me organet e drejtësisë”.

PËRGJIMET

Në vendim thuhet se studenti është ofruar të bashkëpunojë me OPGJ të Tiranës për veprimin e simulimit të aktit korruptim të dhënies së sasisë prej 15 mijë lekësh. Ai ka rënë dakord të regjistrojë përgjimin e bisedave të tij ambientale ose telefonike. Gjykata, në vendim thotë se kjo marrëveshje është nënshkruar pa marrë më parë miratimin e prokurorit. Këto biseda, thotë gjykata, janë bërë pa asnjë lloj verifikimi mbi saktësinë, si personalitetin e kallëzuesit, marrëdhëniet e tij me të pandehurit etj. Ndërkohë, ne transkriptin e datës 4 korrik 2014, kallëzues i shprehet pedagogut: “…unë prandaj erdha tani se e kam një çikë vendimtare këtë provimin, sepse kam dhe diplomën në shtator dhe s’di si t’ia bëj.. Nejse ti e di unë s ‘di çfarë të them… Jo ti nuk ke faj e ka koka, po edhe kot nuk duam as në se edhe qyli… Takohemi pimë ndonjë kafe pastaj. Tani do më japësh dhe ndonjë orientim të mos turpërohem të vij të dal blof… se më ka zënë veza kryq”. Sipas gjykatës, bisedat e zhvilluara nuk tregojnë këmbënguljen e të pandehurit, por përkundrazi, të kallëzuesit i cili ka insistuar, telefonuar dhe kërkuar të takohen, sipas orientimeve të dhëna nga punonjësit e policisë, duke synuar provokimin dhe shkaktimin e aktit kriminal ndaj nxiton të thotë “një qindëshe lë unë”. Simulimi i veprimit korruptiv është në kundërshtim me ligjin. Kallëzuesi, në mënyrë komprometuese, ka shkelur ligjin duke tejkaluar caqet e provokimit e shtyrë të pandehurin Alfred Çaushi për të kryer një vepër penale. Si pasojë, rezultati i prodhuar nga këto veprime është i papërdorshëm. Në fund, gjykata tha se prokuroria ka vetëm një provë, vetëm dëshminë e Adriatikut, të cilat nuk mund të shërbejnë për të deklaruar fajtor e më pas për të dënuar të pandehurin.

DËSHMIA

Më poshtë, po botojmë dëshminë e studentit në Gjykatën e Tiranës, dhënë para prokurorit, avokatit e gjykatës.

E njihni të pandehurin Alfred Çaushi?

Po, e njoh. E kam pasur pedagog në Kamzë. Nuk kam njohje personale.

E keni dhënë provim lëndën Çaushit?

Po, 5 herë dhe kam qenë mbetës.

Pas bisedës me policinë si ke arritur të shkosh tek i pandehuri?

Pas orientimit nga policia më thanë shko bëj një takim dhe fol si do ta lësh, çfarë do të kërkojë. Unë shkova bëmë një bisedë. Erdhëm me makinën e pedagogut, sepse unë i kërkova të pinim një kafe të flasim. Kemi ardhur nga Instituti deri te bulevardi “Zogu i Parë”. Kishim rënë si një marrëveshje që do t’i bëja një pagesë zotërisë edhe nuk e plotësova dot atë ditë, por e lashë për ditën e hënë që shkova në shkollë. Shkova i thashë të kam bërë 100.000 lekë. Ok, më tha, urdhëro çelësin shko lëri te makina pagesën. Kam lënë në makinë në një fletore nga këto që japim provimet. Ia lashë te leva e marshit. Ai u largua dhe më pas janë bërë veprimet nga policia.

Avokati: Bëtë ankim për rezultatet negative?

Jo, sepse ndoshta ka qenë edhe ajo frika, ose më saktë nuk e dinim ku të ankoheshim.

Avokati: Ke pasur lëndë të tjera ku ke mbetur në provime?

Po, edhe 3 lëndë.

Gjykata: Realisht ke shkruar në këto provime?

E di nivelin tim, nuk pretendoj për notë të lartë, por të paktën një notë kaluese.

Gjykata: Nga momenti i veprimeve që deklarove për ditën e ngjarjes, kur ke marrë vesh se ke qenë kalues?

Nuk kam kaluar asnjëherë, prandaj shkova në polici.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama