Pavaresia pa heroizem

Pavarësia pa heroizëm
Një grup artistësh të rinj kanë bashkuar idetë e tyre krijuese në ekspozitën"pa(varësia)" e cila u hap dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Janë 30 artistë të cilët kanë shprehur vizionin e tyre mbi pa(varësinë) në ekspozitën që organizohet në kuadrin e 95-vjetorit të Pavarësisë dhe muajve të Kulturës Kombëtare Shqipëri-Kosovë. Sipas kuratores së ekspozitës, Elsa Martini, artistët paraqesin refleksione rreth virtualitetit të Pavarësisë, individuale apo kombëtare, traditë… shtetformim, historinë e saj në Shqipëri dhe Kosovë. "Ekspozita me dinamikën e saj është një shfaqje e lirë, me të gjithë gamën e mundshme mbi temën e pavarësisë, ndoshta jo të paeksploruar më parë, por që akoma mund të thuhet, duhet parë me lupën e një mendjeje të ndriçuar", thotë Martini. Në ndryshim nga ekspozitat e hapura deri më sot nën këtë titull, në galerinë e kuruar nga Martini mungojnë heronjtë kombëtarë me jataganë e flamuj kuq e zi. Më shumë se për një pavarësi kombëtare, territoriale, shtetërore, flitet për një pavarësi individuale.

Për heronj të përditshmërisë, që përpiqen të zbardhin pozicionin e tyre përballë pavarësisë nga ambienti, shoqëria, tradita… "A është Pavarësi e mirëqenë kjo e jona (e Shqipërisë), shtet i vogël, me shumë bashkëkombës jashtë kufijve? A është e jona, a na përket neve (shqiptarëve në kufijtë e konfirmuar të shtetit) pavarësia e Kosovës? A u përket ndopak kosovarëve, pavarësia jonë? Dhe të tjera e të tjera. Duke menduar për politikat pa fund të të gjitha llojeve që vijnë vërdallë, të tregut p.sh, tregut real dhe atij të ideve? Ose të raportit tonë me veten, me të tjerët, me objektet dhe hapësirën, për të arritur deri te kombi". Këto janë pyetjet që ngrenë artistët pjesëmarrës, duke u munduar t'iu japin një përgjigje sipas mënyrës së tyre artistike. Kanë zgjedhur kavaletin, fotografinë, posterin, videoinstalacionin, videon. Të gjitha mediumet që ofron arti pamor, për të shprehur koncepte, që jo rrallë herë janë të vështira për tu paraqitur me fjalë. Në ekspozitë marrin pjesë Albana Shoshi, Agron Mesi, Artan Balaj, Arta Agani, Dhurata Ramosaj, Eneila Veveçka, Flaka Haliti, Fatmir Mustafa Carlo, Flutura Laçi, Greta Dhaskali Lami, Gjergj Meta, Heldi Pema , Irzeme Zeqiri, Tiranë, Klevi Pove, Tiranë, Lekë Gjeloshi,Firence, Lori Polena , Tiranë, Lubjana Dashi, Lume Blloshmi, Nertila Canaj, Nikolin Bujari, Olson LamajPleurat Xhafa, Suela Qoshja,Toni Milaqi, etj.

 
Marre nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama