Parisi i nje mije mrekullive dhe mistereve...

Parisi i nje mije mrekullive dhe mistereve...
1. Meditim për Dukën e Madh dhe Skënderbeun…

Studiuesit e sotëm flasin për një “arkeologji” balzakiane të Parisit, pasi shumë vende të përshkruara nga ai nuk ekzistojnë më. Kështu e nis bisedën te rrufisim një kafe në katin e 36 të bar “Concorde Lafayet” në Paris shkrimtari dhe studiuesi Luan Rama. Më pas ai hedh vështrimin nga pyjet e Burgonjës, duke sjellë ndërmend Dukën e Madh, që u bë dhe mik i ngushtë i Skënderbeut. Duka do të shtronte në kështjellën e tij një darkë që do të quhej dhe “Banketi i fazanit”.

Në këtë banket Duka Philipe-le-Bon (Filipi i Mirë) do të betohej se do të merrte kryqin për mbrojtjen e fesë kristiane dhe për t’i rezistuar marshimit të pabesë të turkut të madh. Duka i Madh foli edhe për një kryqëzatë. E për këtë do t’i çonte lajm dhe Papa Piut 2 për të nisur kryqëzatën. Filipi i Mirë i kishte dërguar si mbështetje flotën e tij me të birin Antojnie le Batard. Sapo mbërriti në Ankona për të nisur kryqëzatën Papa Piu 2 vdiq. Venediku dhe fuqitë e tjera u tërhoqën.

Por tri vite më vonë, më 1467-n dhe Duka, rivali i mbretit të Francës, vdiq. Ndërsa një vit më vonë, më 17 janar 1468, do të vdiste edhe Skënderbeu. Kështu as Duka, as Skënderbeu s’u takuan për të udhëhequr kryqëzatën. Ky imazh historik i lëviz si një sekuencë filmi mbi pyjet e Burgonjës, që është e përmendur edhe për verën e famshme jo vetëm në Francë, studiuesit dhe kineastit Luan Rama, që e kishte që në adoleshencë ëndërr të shikonte Parisin për të pikëtakuar personazhet që kishte ndjekur te “Të mjerët”, apo romanet e Zhyl Vernit. Dhe kjo ëndërr u realizua, madje ai u bë edhe ambasador e përfaqësues i Shqipërisë në UNESCO. Tek shkonte në mëngjes në ambasadën shqiptare në Rue de la Pompe, afër Troca dero-s, atij ëndrra i dukej ende si diçka irreale, ndonëse e realizuar.

Çdo mëngjes e pasdite atij i duhej të kalonte nën këmbët e hekurta të kullës së famshme Eifel për të shkuar tek ambasada shqiptare. Ndonëse ka 20 vjet në Paris, për të ai mbetet përherë i magjishëm, mbetet Parisi i një mijë mrekullive dhe mistereve. Duke “gërmuar” në bibliotekën e famshme të Parisit, por edhe në arkivin e tij të pafund, ai zbulon çdo ditë diçka të re për Napolonin e madh dhe mbretërit e Francës, por dhe për jetën kontemporane. Kështu do të bënte edhe kur ishte ambasador, kështu edhe kur ishte përfaqësuesi ynë në UNESCO, kështu dhe tani si pedagog në departamentin e masterave në Institutin e Studimeve Orientale.

Gjithmonë kërkues, tepër miqësor e njerëzor ai mbetet jo vetëm për miqtë e tij të ngushtë, Ylljet Aliçka, ambasadori ynë në Francë, Alket Canin diplomat, por edhe për sopranen e njohur shqiptare Inva Mula, për vajzën e gjeneralit të pushkatuar nga shteti stalinist i Hoxhës, Lule Balluku, për piktorin Artur Muharremi.

Është koincidencë interesante që dritarja e shtëpisë së tij bie përballë hotelit të vjetër “Mistral”, ku në vitet e Luftës së Dytë Botërore kishte jetuar Jean-Paul–Sartre dhe Simone de Bovuar. I pari eseist, filozof, dramaturg, e dyta ikonë e feminizmit. Ai reflekton kulturë e miqësi të sinqertë, që tani e gjen rrallë te shokët e miqtë, pasi po degradon çdo ditë konstitucioni shpirtëror i njerëzve, mes të cilëve është futur interesi, servilizmi, xhelozia, smira, por dhe intriga e madhe, “lufta e ftohtë” e nëndheshme për pushtet e privilegje.

Me Luan Ramën e Parisit, ndodh krejt ndryshe, ai mbetet i thjeshtë e njerëzor, (natyrisht tani me një kulturë më të gjerë), si atëherë kur e njoha si student të gazetarisë në UT. Është privilegj të kesh një mik të tillë në Parisin e pamat… Shqetësimi i tij i përditshëm është të “zbuloj” pikëtakimet franko-shqiptare.

2. Parisi një jetë kontrastesh, liria e inteligjencës…

Nga njëri Paris në tjetrin syri të rrok kontraste të ndjeshme. Ka lagje tejet të pasura, ku një shtëpi me qira jo më e madhe se 40m2 mund të shkojë në 1500 euro në muaj, ka edhe zona të tjera të tij, ku qiraja shkon dhe në 2500 euro në muaj. Këto çmime i has në Parisin 17-të në 11 Rue de l’Arc de Triomphe 75017, në Parisin 16, ku unë çdo dy javë bëj analizat në një laborator, para se të vazhdoj kimioterapinë në spitalin Bicht etj. Në Parisin 16 një m2 kushton 9 mijë euro, pra kuptohet nga një përllogaritje e thjeshtë se sa euro të duhen për të blerë një shtëpi normale me një hapësirë prej dy dhoma e një kuzhinë.

Ndërsa në Parisin 17 një metër katror kushton deri në 8 mijë euro. Kurse këto çmime ulen në Parisin 10, në Parisin 4 e kështu me radhë, madje kjo ulje vazhdon po të largohesh drejt zonave periferike të Parisit e më tej në fshatra, ku mund të gjesh edhe shtëpi private me 100 mijë euro. Natyrisht këto fshatra nuk ngjasojnë me fshatrat e varfër shqiptarë, me toka të mbetura djerrë, të papunuara, me blegtori që zhvillohet spontanisht. Ndërsa në fshatrat francezë tokat janë të punuara e të sistemuara, po kështu edhe fermat blegtorale, vreshtat e pemëtaria etj. Shteti i ndihmon me kredi të buta fermerët për të shtuar prodhimin e modernizuar. Por dhe i takson me taksa të rënda deri në kalim të tokës në pronësi të komunës, ata që nuk e punojnë tokën.

Tek shoh Parisin e kontrasteve të mëdha duke zbritur në Aveny Hoch, në parkun Monso, që është edhe zona e të kamurve, të zë syri edhe pamje gri. Të tillë nuk do të quaja vetëm numrin jo të paktë të lypësve, por së pari ata që flenë dimër e verë në çadra të sajuara vetë, apo nën strehët e apartamenteve me arkitekturë moderne.

Pranë tyre (ata janë të palarë, të parruar), kanë vënë një karton ku shkruhet: “S’kam shtëpi, s’kam familje”. Një mikja ime e vjetër që është rezidente në Paris, thotë se ky soj nuk pranon të shkojë në qendrat sociale të bashkisë, as në azile. Ndoshta është kështu dhe faji mbetet i tyre. Por mua që kaloj çdo mëngjes këndej për të shkuar te parku i madh Monso, ku vrapojnë të rinj e të reja, çifte pleqsh, ku ndihet e qeshura e ëmbël e fëmijëve të një shkolle aty pranë, më ther në zemër jeta nomade e këtyre njerëzve. Në këtë rrugë pranë dyerve të hoteleve, por edhe larg tyre, ku një natë kushton 200 euro, gëlojnë edhe prostituta që “gjuajnë” djem e burra, madje dhe të moshuar për të bërë seks për 50 euro. Natyrisht që ka prej tyre që kanë “pazare” edhe më të larta. Sigurisht që ata nuk shfaqen vetëm në këtë zonë të Parisit, por edhe në zonat e tjera të tij, madje dhe në shëtitoren më të famshme të tij që është “Champs Elysees”.

Një natë pranë saj po kalonte mbi një makinë të hapur i harlisur një çift i porsamartuar dhe m’u kujtua dasma e famshme e princit të Monacos Alberti i 2 që u martua me ish-noteren Charlen Eittstock, duke zbatuar të gjitha ritet e traditës. Tek shikoja atë ditë përmes stacionit televiziv TF1 çiftin tek shkëmbente unazat me flori të bardhë e platin, e më pas të bënin shëtitjen tradicionale me një makinë të hapur, mendja më shkoi te dasmat shqiptare që i kanë tjetërsuar kodet e tyre që te krushqit e përcjellësit e deri te këngët që këndohen në këto dasma, që më së shumti janë sllave e të Maqedonisë.

Kaloj nëpër rrugët e Parisit, (njihen 20 të tillë), dhe menjëherë më vjen ndërmend ajo thënia e famshme e Balzakut të madh se “Parisi është një jetë kontrastesh, liria e inteligjencës”.

3. Udhëtim drejt Normandisë…

Bashkë me djalin tim Genti u nisëm herët drejt Normandisë. Ishte ditë e shtunë dhe kishte trafik, si në çdo fundjave, kur parisienët nisen për uikend në vilat e tyre jashtë Parisit dhe kthehen të dielën në darkë. Normandia është një ndër qytetet historike të Francës. Ajo numëron 3.202 milionë banorë. Shtrihet në një sipërfaqe prej 29.906 kilometra katrorë. Gjithashtu rigrupon 2 rajone administrative të Francës, Normandinë e Poshtme dhe Normandinë e Sipërme. Qeveria, kohët e fundit, ka paraqitur variantin e një reforme, që synon bashkimin territorial të Normandisë në një rajon të vetëm, që do të ketë si qendër të saj administrative “Rouen”.

Tek ecim në qytetin-port të saj shohim që rrugët gjallojnë nga turistë të shumtë. Befas djalit tim Gentit i lind ideja për të bërë një shëtitje me kalë në qytet, me synim që të shohim më mirë disa anë të tij, arkitekturën, tregjet, si dhe portin me anijet e jahtet. Në këta të fundit hipin turistë të ardhur jo vetëm nga qytete të ndryshme të Francës, por edhe nga Anglia e gjetkë.

Nis e rigon pak shi, por meqë karroca me poltronën e saj është e mbuluar, nuk na e prish kërshërinë e kësaj shëtitje disi të veçantë. Pas kësaj vizite drekojmë në një nga restorantet e shumtë që ndodhen në rrugën sipër portit, i cili shihet në pëllëmbë të dorës. Na shijon supa karakteristike e zonës, mishi i rosës, vera.

Pasi drekojmë vazhdojmë vizitat në qytet, duke parë objektet kishtare, muzetë ku jepen figurat më të spikatura normandeze në fusha të ndryshme, që nga ajo e fizikës deri në politikë, letërsi e arte. Tek shikoja muzeun me tavanin shumë të lartë befas m’u kujtua romancieri i famshëm Gustav Floberi që jetonte sa në Paris e më së shumti në Normandi, në Groisset, afër qytetit Rouen. Këtu ai kishte nënën e tij.

“Madame Bovari” e Floberit është një nga kryeveprat botërore, ku ai tentoi të prekë “tabutë” e shpirtit njerëzor, atë që lihej në hije e blasfemi. E tillë ishte edhe historia e asaj borgjezeje të vogël që donte të thyente “barrierat” e një shoqërie meskine, për të reflektuar dinjitet femëror e dashuri të vërtetë.

Floberi në Normandi, siç thonë kronistët e kohës, mbyllej në një dëshpërim të thellë. Bënte një jetë të trazuar. Ai gëzohej vetëm kur i vinin për vizitë Zhorzh Sand, Mopasan, Emil Zola, si dhe Turgenjevi. Ky i fundit më pas do të largohej në Rusi. Ai do të bënte edhe një roman tjetër interesant për një Sagë në Normandi, por kapitulli i fundit do të mbetej pa u përfunduar. Më 8 maj 1880, kur ai kishte planifikuar t’i hipte trenit për në Paris, e kapi një krizë dhe ra papritur me fytyrën e skuqur mbi qilimin otoman. Ishte një hemorragji cerebrale që as mjeku që thirri shërbëtorja Suzanë nuk mundi t’ia ndalonte.

Ai u varros në varrezat e qytetit të Normandisë nga miqtë e tij të mëdhenj si Moposan, Zola etj.

Në Normandi vinte për pushime edhe shkrimtarja e njohur franceze Koletë, autorja e romanit të njohur “Vagabondja”. Në Normandi mëson se ka dhe një shëtitore me emrin e Marsel Prustit, buzë bregut të detit pranë “Grand hotel”, të qytezës turistike Cabourg.

Në Cobourg shiten edhe ëmbëlsira me kuti me emrin e Prustit, që francezët e quajnë “Madalenat”. Ai mbeti për parisienët një shkrimtar enigmatik, që dilte nga shtëpia vetëm mbrëmjeve vonë. Atij i pëlqenin personazhet e dyzuar.

Kaloi në stendat e këtij muzeu enigmatik dhe më ngjan se dëgjoj zërat e betejave të Rogerit të 2, apo të Bohemond, që u detyrua të shkruajë dekretin e paqes me Aleksisin e 1 në Devoll. Kronisti i kohës Guibert de Nogent shkruan për Bohemond se …të parët e tij rrjedhin nga Normandia, që është një krahinë e Francës dhe ai duhet konsideruar si një frank, për më tepër se ka siguruar edhe vajzën e mbretit të frankëve.

Të gëzon fakti se nga Normandia dy vjet më parë vajza e hirshme Melika Menard do të shpallej “Miss Franca”.

4. Honfleur, komuna portuale e magjishme

Në Normandi ndodhet edhe një komunë portuale që të befason. Ajo shtrihet në bregun jugor të lumit Seine, përballë Havre, shumë afër me urën e Normandisë, që mban mbi shpinë histori e drama njerëzore të shumta, hingëllima kuajsh e romanca dashurie. Kjo komunë portuale mësojmë se përbëhet nga 8163 banorë, që quhen honffleurais. Nga kjo komunë kanë dalë artistë me emër si Gustave Courbet, Eugene Boudin, Claude Monet dhe Johan Borthold Jonglind. Këta janë të njohur edhe për krijimin e “shkollës së Honfleurs”, e cila dha kontributin e saj në lëvizjen impresioniste.

Kthimi…

Kthimin nga Normandia e bëmë pasdite vonë. Mbresat nga qyteti i saj dhe ata çka pamë qenë të shumta. Tek udhëtoja drejt Parisit mendja më vajti tek sa e sa objekte historike në vendin tim që po braktisen, apo harrohen nga indiferentizmi.

Këtë harresë të trashëgimisë kulturore që ruhet me fanatizëm në Normandi, e çdo qytet të Francës, e trazoi deri diku edhe replika e ditëve të fundit mes Neritan Cekës, këshilltarit të “Doktorit” dhe numrit dy të MKTRS-së, Nikoll Lesi. Por gjithsesi replika e debate të tilla nuk e shkundin letargjinë e institucioneve tona kulturore.

5. Fontaine bleau-un grande Chantier d’Henri IV

Kështjella e mbretërve në Fontaine bleau njihet më së shumti si kështjella madhore e Henrikut IV. Ajo është 70 kilometra larg Parisit. Kërshëria për të parë atë objekt madhor që rrezaton historinë e mbretërve të Francës, por në veçanti të Henrikut IV, na shtyu që të nisemi drejt saj herët në mëngjes. Vizita jonë kishte një koincidencë interesante, ajo përkonte me 400-vjetorin e lindjes së Henrikut IV. Në këtë kështjellë me mure ciklopikë, me hapësira të mëdha, gati të pafund, sipas biografit të tij Zhian Pjer Babilon, Henriku IV ka kaluar 1200 ditë.

Ai ka një kontribut special në zbukurimet e mjediseve të saj, duke ofruar rreth vetes arkitektë me zë të kohës. Rrjedhojë e interesimit të tij ishte ngritja e një oxhaku monumental, shumë funksional nga Mathieu Jacquet, i cili ka realizuar edhe bustin e Henrikut IV. Ky i fundit e njohu këtë kështjellë që kur ishte i vogël, në sajë të kushëririt të tij Cazrli që e sillte shpesh këtu.

Në këtë kështjellë me histori mbretërish e mbretëreshash të befasojnë shumë objekte, por mes tyre të “shtang” galeria e pjatave, kryer në kohën e sundimit të Lui Filip. Janë 28 pjata në porcelan, servirur mbi një dekor që ka si bazament drurin.

Më tej çdo vizitor befasohet nga 21 pikturat në vaj në tavane, që i dedikohen Mbretëreshës Diana, gruas së Henrikut IV. Shandanë, oxhaqe, piktura, karrige, tavolina të stilit antik, të detyrojnë të ndalesh një copë herë për të parë mjeshtërinë e atyre që i kanë ndërtuar me plot fantazi e art, që rrallëkund e gjen.

Vërtet kjo kështjellë ka qenë rezidencë e dytë për Henrikun IV, por ai kishte një interesim deri në kufijtë e një meraku të madh për të. Këtu vinte edhe Napoleoni i madh që kishte kaluar dhe nëpër Shqipëri, sipas kronistit Emmanuel Las Cassen. Për këtë udhëtim ai i tregonte marshallit të tij Bertrandit, kur ishte i burgosur në Saint-Helenë, ishull që një ditë, siç shkruante në ditarin e tij Napoleone, mund të jetë varri im….

Nga këto mendime më shkëput një portret i realizuar me mjeshtri i gruas së Luigjit XV, Mari Lesszczynska, me origjinë polake. Ajo, bijë e Mbretit të Bolonjës, është lënë pothuajse në “hije” nga historianët.

Te kopshti i Mbretëreshës Dianë, gruas së Henrikut IV, të shtang portret i saj, realizuar nga Tomassoe Aleksandro Fancini, ndërsa dreri që mban në krah dhe qentë që e rrethojnë mbretëreshën u realizuan nga Pjer Biard më 1603-n.

Kjo rezidencë e dytë e mbretërve të Francës nuk është më pak impresionuese se pallatet e mbretërve në Versajë.

6. Sheshi “Skënderbeg” në Paris…

Një natë vonë kaloja afër këtij sheshi, pasi kisha pirë një kafe me miq në një lokal pranë pyllit Vincent.

Më çuditi fakti se për emërtimin e këtij sheshi me emrin e Heroit tonë Kombëtar, formati i të cilit nuk pyet për hipoteza halucinante që deformojnë historinë, siç është ajo e të kthyerit të këtij heroi të madh dhe në kaçak mali, siç ndodhi dhe me studiuesin austriak Smith, një kontribut të veçantë kishte dhënë edhe Isa Ndreu.

Ai, përpos politikan në diasporë, kryetar i Partisë Bashkimi Demokrat, si dhe biznesmen i suksesshëm në Firence, ishte edhe një patriot i madh. Falë këmbënguljes së tij për të takuar edhe Zhak Shirak, atëherë kreu i Bashkisë së Parisit, u mundësua edhe marrja e vendimit nga këshilli bashkiak për t’i dhënë atij sheshi në Parisin  9 emrin “Skënderbeg”.

Ai ka dy vjet që është ndarë nga jeta, duke lënë pas kujtimet e një njeriu shumëplanësh. S’kishte si të ndodhte ndryshe atij, tek interesohej për emërtimin e këtij sheshi, i lëvizte në damarë gjaku i tre burrave të mëdhenj të Ndreve, i Elez Isufit, Suf Xhelilit dhe të atit Cen Elezi.

Më 27 shtator të vitit 1735, përpara Mbretit Luisi XV, gjykatësit të parë të një vepre muzikore në atë kohë, Akademia Mbretërore e Muzikës do të shfaqte operën tragjike me pesë akte të titulluar “Scanderbeg” të kompozuar nga Fracois Rebel dhe Francois Francoeur, kompozitor i muzikës së dhomës së madhërisë së tij.

Kjo shfaqje do të jepej tridhjetë herë radhazi përpara mbretit dhe aristokracisë franceze. Ajo u shfaq edhe në kështjellën Fontein blean, ku rrinte mbreti. Në galerinë e portreteve në kështjellën Bauregard në krahinën e Loire-s, pranë Perandorit të fundit të Kostandinopojës është dhe portreti i Skënderbeut. Pranë tij Huniadi, si dhe një sërë princash të Anjous.

Për Palë Engjëllin, aleatin kryesor të Skënderbeut, aleanca me frankët perëndimorë ishte e vetmja shpresë e Shqipërisë për të bërë ballë sulmet otomane. Daniel Zimmerman, studiuesi i jetës së Aleksandër Dymas, thotë se Skënderbeg ofroi komandën “Ushtria e çlirimit të Ballkanit”. Dyma i shkruante Gierardit, mikut të tij se “Jam në lidhje me juntën shqiptare të Durrësit dhe princin Scanderbeg, i cili siç mendoj, do të bëjë për Shqipërinë atë që Garibaldi bëri për Italinë”.

Vështroj sërish atë shesh dhe them: Franca ka bërë kaq shumë për Heroin tonë Kombëtar, atëherë sa borxhli i janë atij elita e historianëve, skulptorëve, piktorëve, muzikologëve e politikanëve shqiptarë? Shumë, vërtet shumë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama