Parajsa kushton shume pak…

Parajsa kushton shume pak…
Në stacionin e autobusëve në Tiranë ka çdo ditë disa orare për udhëtime në jug të vendit, buzë detit. Në mëngjes herët, në orën 5 dhe në orën 6, nisen përkatësisht dy: njëri me destinacion Sarandën, por duke përshkuar rrugën e bregdetit, dhe tjetri me destinacion Himarën. Që këtu mund të filloni këtë vit aventurën tuaj të pushimeve me kosto të ulët. Më poshtë në një guidë praktike për të mësuar disa nga truket si të kurseni këtë verë, por edhe si të maksimalizoni argëtimin tuaj.

Ndani lekët e naftës ose zgjidhni autobusët

Mund të zgjidhni të udhëtoni me autobuz për në “Rivierën” shqiptare, por nëse jeni një grup prej 4 apo 5 vetësh dhe keni një makinë, do të ishte më me leverdi të ndanit së bashku shpenzimet e karburantit dhe të niseni në atë mënyrë. Përndryshe, dy oraret e lartpërmendura të autobusëve janë më të leverdisshme dhe më praktike pasi shmangin të nxehtin e drekës dhe udhëtimi juaj do të jetë më i rehatshëm. Nëse nuk zgjoheni dot aq herët, në orën 12:30 niset një tjetër autobus drejt bregdetit. Janë të rehatshëm dhe relativisht të vegjël këta autobusë, me kondicionerë dhe me shoferë që tashmë e njohin si në pëllëmbë të dorës rrugën plot kthesa të papritura, sidomos në Llogora.

Deri në Dhërmi kostoja e biletës është 900 lekë, deri në Himarë është 1000 lekë e deri në Sarandë shkon 1200 lekë. Nga Tirana deri në Fier rruga është plotësisht e shtruar. Në Durrës, deri në dalje të Kavajës ka trafik të rënduar. Nga Fieri, gjysma e rrugës është akoma e pashtruar, ndërkohë që nga Novosela deri në Vlorë një autostradë e re po ndërtohet.

Mos shpenzoni sa herë ndaloni

Nëse jeni duke udhëtuar me autobus, nga Tirana deri në hyrje të Fierit do të mund të ndaloni vetëm një herë, zakonisht në ndonjë prej lokaleve të zonës buzë rrugës nacionale. Mirë është që atë ndalesë ta shfrytëzoni për t’u freskuar, por jo detyrimisht për të shpenzuar në bar. Ne ju këshillojmë të mbani me vete gjithmonë një depozitë të vogël tip frigorifer e në të keni për çdo moment ujë të freskët apo lëngje që mund t’i blini që në Tiranë, me çmime të lira në supermarket. Sa më shpesh të qëndroni gjatë rrugës, aq më shumë do të tundoheni të shpenzoni, herë duke blerë pije freskuese, herë duke blerë patatina apo produkte të tjera të kësaj natyre e herë duke porositur birra. Ndërsa mbajtja me vete e pijeve të freskëta e zgjidh këtë tundim.

Në Llogora zakonisht bëhet një ndalesë e dytë. Kujdes! Çmimet atje janë edhe më të larta se në Bllok, në Tiranë! Për shembull, një kafe kushton jo më pak se 90 lekë, ndërsa një pjatë e ngrohtë ose me tasqebap, ose me pilaf kushton nga 200 në 300 lekë. Edhe një pjatë kos kushton 100 lekë: kosi ishte i ftohtë dhe vërtet i mirë në dukje, por i thartë paksa dhe vërtet nuk ia vlen të shpenzosh për të në majë të malit! Ah… sigurisht që kështu nuk mendojnë ata që e adhurojnë kosin e thartë, të ftohtë e plot yndyrë të Llogorasë…

Të flesh me natyrën

Në rast se jeni 4 apo 5 vetë dhe në rast se nuk mund të flini dot në një çadër verore, atëherë mund të ndani shpenzimet e dhomës. Dhomat kushtojnë në bregdetin e Jonit nga 3000 – 4500 nata. Por ne ju këshillojmë ta provoni të flini në një çadër. Mund ta porosisni on-line, të përdorur, por gjithsesi funksionale për vetëm 15 euro. Ndërsa në supermarketet në Tiranë mund ta gjeni për 4000 lekë. Vendi se ku mund ta hapni çadrën varet edhe nga dëshira juaj, por edhe nga mundësitë: asnjëherë mos e vendosni afër bregut të detit pasi natën është ftohtë dhe mund të ketë shumë erë. Mundohuni të zgjidhni një vend poshtë pemëve ose në hapësira shkëmbore të mbrojtura nga deti.

Të tilla vende keni me bollëk përgjatë gjithë bregdetit të Jonit. Madje jo vetëm që janë më bollëk, por ka disa brigje dhe ngushtica të vogla që janë edhe shumë intime, aq sa mund të provoni që larg syve kureshtarë të bëni edhe plazh nudo! Kjo është e paligjshme në ambiente publike, po ju sigurojmë se ka ambiente të tilla “publike” ku mezi shkel këmba e njeriut… Ne ju këshillojmë që të mos qëndroni në një vend për më shumë se një natë. Mos harroni të vizitoni këtë vit plazhin e Livadhit, si dhe plazhin e Jalit. Mbeten të jashtëzakonshëm. Pastaj, nëse jeni vërtet vetëm për dy apo tri ditë në fundjavë, pse duhet të shpenzoni edhe për shampon, kur ju bën shumë mirë për shëndetin dhe ju largon mushkonjat uji i kripur dhe i jodizuar i detit…?!

Peshku në det, skara në breg!

Edhe për ushqimin ka alternativa të ndryshme. Mund të zgjidhni të shpenzoni për një drekë mbi 1500 lekë në restorantet e këndshme anembanë bregdetit, nëse kërkoni peshk apo prodhime deti. Ose mund të kërkoni piceri të ndryshme me çmime të mira. Një picë është e mjaftueshme edhe për dy vetë, ndërkohë që gjatë bregdetit ka dhjetëra piceri që punojnë me dru dhe ata që përgatisnin picat janë mjeshtër të vërtetë. Për ata që kërkojnë që ushqyerja të jetë edhe argëtim edhe në njëfarë mënyre, aktivitet fizik që shkon përtej ngrënies, mund të merrni me vete një grep. Në portin e vogël të Himarës, për shembull, pak pasi dielli ka kapërcyer kodrën, mund të kërkoni disa karemë tek peshkatarët dhe mund të peshkoni. Gjatë dy orëve ne mundëm të kapnim 6 peshq të vegjël dhe 3 peshq mbi 250 gramë secili. Kënaqësia nuk kishte të matur dhe fund!

I pastruam dhe i poqëm në zgarë! Në një dyqan aty afër blemë domate, speca dhe qepë të njoma, limon dhe bukë të bardhë, si dhe pjata plastike. Ajo ishte një darkë e mrekullueshme, me peshq të skuqur në zgarë e të servirur me limon si dhe me sallatë me produkte të freskëta vendi. Dhe na kushtoi njësoj sikur të ishim duke pirë një kafe të zakonshme në Tiranë! Baret e club-et verore janë të pafundme përgjatë bregdetit. Mund të shkoni në Havana, Llolipop, në Folie apo në gjithë ato mori ambintesh të tjera e të shpenzoni edhe deri në 10.000 lekë gjatë gjithë natës!

Po çfarë qejfi mund të jetë kjo? Mund ta bëni në çdo kohë, në Tiranë diçka të tillë. Në bregdet ne ju këshillojmë të merrni me vete pije të forta dhe atje të blini pije freskuese për t’i miksuar! Kjo kushton pak, ju argëton shumë dhe ju ofron mundësinë të bëni diçka që jo gjithmonë mund ta bëni në Tiranë. Mund të ndizni edhe një zjarr dhe ka shumë mundësi që të rinj të tjerë pasi të kenë parë zjarrin të afrohen e të kërkojnë të bashkohen me ju. Mund dhe t’ju ofrojnë për shoqëri, pak bar. Kujdesuni që të jeni mjaftueshëm esëll, nëse vendosni që t’i provoni të gjitha…

“Në Dhërmi është shumë shtrenjtë!”

Vivianë Ziu, 17 vjeç

Isha në Dhërmi këtë fundjavë e mahnitur si gjithmonë nga plazhi! Dhërmiu është ndër vendet bregdetare më të preferuara për mua. Për fat të keq, çmimet janë më të larta se në vendet e tjera dhe ky është ndoshta i vetmi problem që të pengon në një farë mënyre ti bësh pushimet çdo vit atje. Qëndrova në më të shumtën e rasteve në gjiret ku kishte më shumë familjarë, ndryshe nga zona e Havanës dhe Lollipopit ku ka shumë gjallëri rinore, që t’ju them të drejtën mua nuk më pëlqen fort, ngaqë preferoj ambjente të qeta. Në darkë normalisht më pëlqen të shijoj jetën e natës, ndonëse këtë herë kishte më pak evente atje.

Çmimet alternative

Kostot e udhëtimit: 900-1200 (me autobus ose duke ndarë shpenzimet për naftën)
Kosto e akomodimit: 0 lekë (nëse përdorni çadrën tuaj verore)
Kosto e ushqimit: Nga 300 deri në 500 lekë në vakt për person (në drekë pica, në darkë peshk i kapur vetë dhe i pjekur në skarë)
Kosto e pijeve: Nga 400 deri në 800 lekë në ditë (nëse, për shembull vodkën e merrni me vete dhe e miksoni me lëngje frutash)
Kosto e plazhit: 0 lekë! Mos paguani për çadrat apo sheslongjet. Kërkoni gjire të virgjëra, ku mund të bëni edhe plazh nudo pa u shqetësuar nga njeri


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama