Papunesia greket punojne ne Shqiperi edhe per 500 euro ne muaj

Papunesia, greket punojne ne Shqiperi edhe per 500 euro ne muaj

“Deri pak vite më parë, shqiptarët shkonin për të punuar dhe për të filluar një jetë të re në Greqi. Sot, të papunët grekë po shkojnë në Shqipëri për të njëjtën arsye, madje edhe per 400 apo 500 euro në muaj”. Kështu shkruajnë gazetat greke, sipas të cilave shumica e atyre që emigrojnë në Shqipëri, janë të papunë afatgjatë në Greqi.

Ata janë kryesisht punëtorë apo mjeshtra ndërtimi, që sot zgjedhin të kalojnë kufirin dhe të punojnë në Shqipëri për 7 deri në 20 euro në ditë. Shqipëria ofron edhe mundësi më të mira, siç është puna e kamerierit, e cila paguhet deri në 40 euro në ditë në Vlorë dhe Durrës, kryesisht gjatë sezonit turistik të stinës së verës.

Presidenti i shoqatës shqiptare “Iliria” Eduard Tafa konfirmoi për revistën greke “Tahidromos” se ka vërtet një valë emigrimi grekësh, të cilët vijnë në Shqipëri në stinën e verës për të punuar ashtu sic është në rritje vala e shqiptarëve që riatdhesohen në Shqipëri. Disa prej këtyre të fundit e shohin kthimin si të përkohshëm dhe presin që të kalojë kriza greke për t’u rikthyer në shtetin fqinj.

Gazeta jep edhe shembullin e një banori të Nea Ionias, i cili kishte rreth tre vjet që nuk gjente punë në Greqi dhe majin e kaluar la Greqinë për të kërkuar një vend pune. Një miku i tij shqiptar i sugjeroi të shkonte në Shqipëri. Pa u menduar dy herë, greku plotësoi dokumentet e nevojshme dhe erdhi në Shqipëri dhe deri në muajin shtator punonte si kamerier në Vlorë. Paga ishte shumë e mirë, 35 euro në ditë dhe sipas të afërmve të tij, ai ndihet mjaft mirë pasi siç thonë ata, kultura jonë me atë greke është mjaft e ngjashme.

Në zonën e Vlorës punojnë grekë nga Thessalia, por edhe Karditsa e Trikala. Greqia po përjeton vitin e pestë të recesionit dhe papunësia në vend e ka kaluar 29%.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama