Panorama Driton Selmani dhe premiera boterore e ekspozites se artit bashkekohor ne Tirane

TIRANË, 12 Nëntor / ATSH / Klajdi Musabelliu / - Arti bashkëkohor, ky zhanër që ka filluar të lëvrojë së fundi me hapa të sigurt në vendin tonë ka sjellë në Tiranë një tjetër shfaqje tejet të veçantë për publikun po të veçantë të këtij lloj arti, kur në fakt edhe kritika më e specializuar tek ne nuk ka mbërritur ende, nuk di ta shpjegojë apo t'i bëj analizën e vërtetë.

E në fakt kjo e fundit nuk i ndal artistët e rinj të diplomuar kryesisht jashtë vendit, që të shprehen, dmth të materializojnë në forma nga më të ndryshme gjendjen apo ndjesitë e tyre artistike.

Driton Selmani, artisti bashkëkohor më i ri, shqiptari nga Kosova ka sjellë një ekspozitë premierë për Shqipërinë dhe Kosovën, ku nën titullin "Panorama", ka çelur shfaqjen shpirtërore dhe emocionale të transmetuar mes 3 objekteve, 3 veprave mjaft të veçanta të titulluara "Degët e kulmurisë, shkop plastik", "Këpucë me porosi, pantallona" dhe "Dhelprën e balsamosun, elektronikë".

"Kur Dritoni më dërgoi skicat pak të pështjellueshme të tre veprave të reja, të cilat unë nuk di prej kah kanë dalë, më pyeti a mundesh me ju dhanë kuptim", shprehet kuratori i ekspozitës Vincent Oei.

"Teksa e pyesja se nga dolën, ç'ka do të thoshin për të, ai më dha veç titujt e tyre, të cilave ju përgjigja instiktivisht se munden me qenë një ekspozitë, teksa mendoja temën e ekspozitës "Përgatitja e Dramës", thotë kuratori.

Ky ekspozim i objekteve ndryshe nga ç'jemi mësuar të shohim kryesisht nëpër ekspozita, bëri bashkë në ambientet e "Tulla Culture Center" jo vetëm miq e dashamirës të Dritonit, por edhe mjaft studentë të Universitetit të Arteve ku shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë, gjithashtu edhe mjaft artistë të rinj po nga Shqipëria dhe Kosova me kureshtje soditën dhe u përhumbën disi në veprat artistike të realizuara dhe ekspozuara nga artisti i ri.

"Kjo është ekspozita "Panorama", ekspozita ime e parë në Shqipëri" nisi të tregojë ekskluzivisht për ATSH-në artisti Driton Selmani, i cili i intervistuar nga ATSH mëtonte që mos t'ia ndryshoja dialektin dhe mënyrën e tij shprehëse gjatë zbardhjes së fjalëve.

"E kam realizuar në bashkëpunim me kuratorin e saj Vincent W.J. van Gerven Oei, i cili është edhe përfaqësues i Departamentit Shqiponja në Tiranë, dhe është mjaft interesante për mua prania dhe shfaqja ime në Tiranë në këtë kohë, aq më tepër në këtë tension politik në Shqipëri dhe Kosovë", vijoi Selmani.

I pyetur nëse ekspozita ka lidhje me politikën, Selmani përgjigjet artistikisht se është ambienti ku ne ndodhemi pra "Tulla", dhe tensioni politik të cilat janë ndjesi shumë emocionale për artistin dhe veprat.

"Jam rritur me Shqipninë në kokë" rrëfen Selmani, "dhe prezantimi para publikut shqiptar në këtë kohë, i ka edhe disa gjëra që janë mjaft të lidhura edhe me anën shpirtërore edhe atë ç'ka përjetohet këtu çdo ditë, dhe gjithashtu është diçka fondamentale, e cila lidhet edhe me identitetin tim si kosovar, lidhet shumë edhe me tensionin politik në Shqipëri apo edhe në Kosovë, dhe siç i themi atje ka shkon rrota e parë shkon edhe e mrama", shprehet artisti, i cili e lidh shfaqjen e tij artistike mjaft edhe me situatën politike.

"Jam artist bashkëkohor, kam kryer studimet dhe kam dhënë dhe masterin për artet bashkëkohore në Bornemuth, Angli, para 4 vitesh, ndërkohë që në Kosovë kam pasur dy prezantime solo, dhe kjo shfaqje ka edhe emocionin e artistit kosovar se si do të pritet në Shqipëri", vijon Selmani.

"Kam mustaqe, që vij e prezantoj dhe përfaqësoj në të njëjtën kohë edhe Kosovën dhe kjo më ka grryer trunin se ç'farë mund të prezantoja këtu " vijon të tregojë Selmani, i cili shpreh në gjuhë popullore dhe fjalorin tipik kosovar kurajon që e solli në Tiranë.

"Jam mjaft i lumtur që ekspozita me emrin "Panorama", ka gjithashtu premierën botërore në Tiranë" rrëfen Selmani.

Duke parë interesin dhe praninë e mjaft shqiptarëve nga Kosova në çeljen e ekspozitës, artisti tregon se nuk e "rrok" të ndarë publikun nga kufijtë, dhe se i pëlqen që leximi i veprave të artit mos të njohë kufij.

Teksa i gjendur përballë pyetjes se si mendon se do ta presin kolegët dhe kritika e Tiranës "Panoramën" e Selmanit, ai përgjigjet "e di që shqiptarët e Shqipërisë janë më shumë kritik se ata të Kosovës, por a janë kritik për të mirë apo për të keq, këtë s'mund ta them".

Ndërsa i pyetur për veprat, Dritoni thekson se ja lë në dorë vetëm publikun, ndoshta duke fshehur apo mbajtur vetëm për veten e tijëndjesinë që ia dhanë veprat në momentin e krijimit dhe realizimit.

"Unë atë që kam dashur të them e kam thënë, dhe nuk dua të më pyesin por ta kuptojnë dhe përjetojnë vetë të gjithë, secili sipas botëkuptimit, perceptimit dhe ndjesive përkatëse".

"Nuk di tii shpjegoj, por unë di të flas vetëm atëherë kur më merr gjumi dhe shoh ëndrra, e çohem në mëngjes dhe e mbaroj një vepër", përmbyll duke qeshur artisti bashkëkohor Driton Selmani.

Ekspozita "Panorama" do të vijojë të qëndrojë e hapur për publikun në "Tulla Culture Center"deri më 6 dhjetor./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama