Panairi zgjidh dilemen e lexuesve te rinj per librat e veres

Panairi, zgjidh dilemen e lexuesve te rinj per librat e veres

Festivali i Librit mund të jetë një mundësi e mirë për të zgjedhur titujt, që çdokush ka menduar për t’i lexuar gjatë pushimeve të verës. Kjo mundësi u jepet lexuesve përgjatë këtyre ditëve në Pallatin e Kongreseve, deri më datë 11 maj. Nga dje shtëpitë botuese prezantojnë titujt e rinj, për të gjitha grupmoshat, por veçanërisht për të rinjtë që duan të lexojnë. Luhatjet në ekonomi kanë prekur dhe tregun e librit, prandaj botuesit kësaj here janë treguar të kujdesshëm, që librat që sjellin në këtë Panair të jenë jo vetëm informues, por dhe të domosdoshëm për lexuesin, i cili ka dëshirë që të jetë në koherencë me zhvillimet e fundit në botë në letërsi, histori, filozofi, psikologji etj.

Sherifaj: Në këtë Panair ne ofrojmë kulturën

Një vëzhgim të bërë dje nëpër stendat e shtëpive botuese, që promovojnë librat e tyre për lexuesin në katin e parë të Pallatit të Kongreseve vumë re se, dëshira e botuesve për të qenë sa më pranë lexuesit ishte e madhe, pavarësisht fitimeve që mund të kenë ata. Përpos kësaj, ata vlerësojnë konkurrencën e lirë dhe të ndershme, dhe faktin se hapësira për metër katror në stendë kushton vetëm 50 euro, rreth 20 euro më pak se në Panairin e Nëntorit.

Vasilika Sherifaj, drejtoresha ekzekutive e shtëpisë botuese “Konica” tregon se, dhe pse situata në botën e kulturës dhe të artit nuk është dhe aq premtuese, ajo është përherë optimiste. “Shpresojmë që të ketë punë, pavarësisht se situata e këtij viti për kulturën ka qenë paksa negative, sepse ka patur tronditje të tregut të librit dhe më gjerë se sa aq”. Libri sipas Hysajt, është një matës i mirë i ekonomisë, prandaj duhet kthyer vëmendja pak dhe në këtë drejtim.

“Gjithsesi ne kemi ardhur në këtë Panair me mendimin që të ofrojmë kulturën, prandaj kjo pjesëmarrje nuk ka të bëjë shumë me pritshmëritë tona në shitje, por më shumë ka të bëjë me faktin që ne të ofrojmë produktin që prodhojmë. Ndoshta për të qenë dhe më afër me lexuesin, për këtë kuptuar dhe se si ndryshojnë shijet e tij në kohë. Kështu që, pritshmëria ime është diku në një nivel mesatar”, tregon Sherifaj. Për këtë periudhë kemi sjellë një libër për adoleshentët, i cili mendoj se do të shitet.

“Sekretet e vajzës Hena”, nga Sofia Ahmed, trajton historinë e një vajze, Zebës, nga Afganistani. Kjo histori përkon dhe me luhatjet e ndryshimet midis botës së Lindjes dhe Perëndimit, ndoshta për këtë arsye sipas Sherifajt, vjen shumë mirë në shqip, por dhe pa harruar faktin se, situata që prezantohet në të, është e njëjtë me atë të zonave rurale në vendin tonë. Përpos këtij libri, një titull psikologjik për adoleshentët është dhe, “Të mësuarit mirë dhe shpejt”, i cili u vjen në ndihmë prindërve për të qenë më racional.

Sherifaj shton më tej se organizatorët e shtëpisë botuese “Konica” nuk do të lodhen asnjëherë që të sjellin dhe Konicën, autorin nga kanë marrë emrin. “Mendoj se gjithmonë mbetet aktual, dhe se padyshim që është një ndër përfaqësuesit më gjenial të viteve ’30, përsa i përket jo vetëm mendimit estetik, artistik dhe letrar, por sidomos atij kulturor dhe kombëtar”.

Pengili: Katër vëllime për lexuesin e ri

Luan Pengili është një tjetër botues, i cili dhe pse e pranon se kriza ekonomike ndihet në tregun e librit në Shqipëri prej katër vitesh, lexuesi i tij është besnik ndaj librit. Gjithashtu merë parasysh largësinë kohore prej 6 muajsh nga Panairi i Nëntorit 2014, dhe tregon se ‘Omsca’ vjen me 12 tituj të rinj. “Përherë kemi patur një lexues, që na ka mbështetur përsa i përket botimeve, qoftë në aspektin fizik dhe atë redaktorial”.

Disa nga titujt e rinj që përmend Pengili janë: “Fantazitë e një burri” nga Anatoli Toss, “Lora” i Leonard Veizit. E teksa flet për botimet e autorëve shqiptarë, ai thotë se fillimisht lexuesi ka skepticizëm rreth shkrimtarëve vendas, por pasi i lexon kupton se ka gabuar aty mund të gjejë, në një formë a në një tjetër veten.

Një vend të rëndësishëm zë letërsia për të rinj dhe publicistika. “Kemi katër seri të reja, që lexuesi i ri i njeh nëpëmrjet autores L. M. Montgomery, në vëllimet e ‘Emilia e Hënës së re’”, thotë Pengili, duke shpresuar që ky Panair do të pritet mirë për shkak të sezonit veror që afron nga të rinjtë. “Unë dua që të jem optimist, sepse mendoj se libri pëlqehet dhe se ka lexues”, përfundon ai.

Berhami: Qëndrimi bojkotim i Panairit për hir të një tjetri, qëndrim dritëshkurtër

Botuesja Loreta Berhami e shtëpisë botuese “Pegi”, e konsideron uljen e çmimit të stendave si një veprim të mirëpritur. Ndërsa për titujt e ri shprehet se: “Nuk e shoh si pengesë sjelljen e titujve të rinj në një Panair, pastaj në fund është zgjedhja e secilit, mund dhe të vihet dhe pa libra të rinj”. Ashtu sikurse mungojnë disa botues të mëdhenj, për arsye ndoshta personale, ose ndoshta të pazgjidhura mes tyre dhe organizatorëve, Brahimi si botuese, shprehet pro konkurrencës së ndershme, sepse sjell të mira. “Qëndrimi bojkotim i Panairit për hir të një tjetri, qëndrim dritëshkurtër”, thotë ajo.

Peçi: Shqipëria nuk vuan nga mungesa e titujve

Bajram Peçi, administrator i shtëpisë botuese “Saras” vjen përpara lexuesit me katër tituj të ri. "Për ‘Traktatin e tolerancës’", të Volterit, ka patur kërkesa nga lexuesi, sepse lidhet me kushtet e zhvillimit aktual. Dy librat e një prej autorëve më të rëndësishëm të shek.XX, Italo Svevo, ‘Ndërgjegjja e Zenos’ dhe ‘Një tallje e arrirë’, janë gjithashtu interesantë për kohën që jetojmë.

‘Ndërgjegjja e Zenos’, është një nga 100 librat më të mirë të shek. XX, dhe pse në Shqipëri nuk ka shumë njohje për këtë shkrimtar. Ai ka bërë pjesë në grupin e shkrimtarëve, të cilët kanë qenë nën ndikimin e Frojdit, prandaj përkthimi do të ndihmojë shumë për të parë vlera jashtëzakonisht të mëdha të një libri, që për fat të keq ka mbetur i panjohur për lexuesin shqiptar”, thotë Peçi.

Më tej Peçi shprehet se, Shqipëria nuk vuan nga mungesa e titujve, sepse janë 300 shtëpi botuese, që funksionojnë si biznese dhe vijnë me tituj të ri te lexuesi shqiptar, dhe pse me çmime relativisht të larta, për shkak të TVSH-së që paguajnë. “Gjithsesi ne përpiqemi që të ruajmë raporte sa më të drejta, midis krijimtarisë letrare shqiptare, dhe asaj të huaj”. Nga krijimtaria letrare shqiptare “Sara” sjell librat e Mustafa Nanos, Gazmend Krasniqit, Monika Stafës dhe Ulpiana Lames.

“Ne presim që lexuesi i Tiranës t’i afrohet këtij Panairi, siç ju afrua dhe në Panairin e Nëntorit 2014, të cilin e vlerësoj si të suksesshëm. Mesa kam parë dhe shtëpitë e tjera botuese ofrojnë tituj shumë interesantë, prandaj nëse lexuesi bëhet i pranishëm e shikon librin gjatë këtij muaj, ne do të arrijmë që të paktën të likuidojmë tarifën e paguar për sipërfaqet që kemi në dispozicion këtë javë”.

Sipas Peçit, hera-herës të krijohet përshtypja se pjesëmarrja në panaire, vjen më tepër për efekt të dukshmërisë, për të qenë të pranishëm, se sa për fitim. “Jo gjithmonë arrihet që të mbulohet shpenzimi, që është kostoja e paraqitjes, përmes shitjes”, përfundon ai.

Silvester Manaj, nga shtëpia botuese “Zambaku” e konsideron shumë pozitiv faktin e zhvillimit të këtij Panairi në këtë sezon, sepse njerëzit kanë më tepër mundësi të mendojnë për librat, që do të përzgjedhin për pushimet e verës. “Për mendimin tim, ky Panair vjen në një stinë më të përshtatshme për lexuesin, sepse ndodh pikërisht përpara verës, dhe ndoshta kjo është stina më e mirë, për atë që kërkon kohë të lirë për të lexuar”. “Zambak” vjen me dy tituj të rinj në këtë Panair që janë: “Anatomia e re” i Danjill Harms, përkthyer nga Agron Tufa dhe “Shënime nga nëntoka” i F.Dostojevskit, përkthyer nga Silvester Manaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama