Paganini rikthen Papavramin ne Tirane

Paganini rikthen Papavramin në Tiranë

Pikërisht me këtë dirigjent ai ka dhënë koncertin para se të largohej nga Shqipëria në vitin 1984, koncert që i ka mbetur në kujtesë. Një vit më parë, muzikanti dhe dirigjenti janë takuar në Prishtinë, duke sjellë pas kësaj natyrshëm këtë bashkëpunim. Por, nga ana tjetër, duket se viti 2008 do të jetë shumë impenjativ për artistin. Pas Tiranës ai do të jetë në Gjenevë (28 janar), e më pas në Gjermani dhe në Danimarkë, teksa është duke përgatitur një disk të ri që mendon se do të dalë në qershor. Ardhja e Papavramit me një koncert me violinë sigurisht që është një ngjarje e rëndësishme artistike për vetë imazhin që ky artist ka krijuar kudo në botë.

Për një kohë të gjatë Papavrami ka qenë i pranishëm vetëm në lajmet që vinin nga agjencitë e huaja, kur filloi të korrte sukses kudo në botë. Përveç violinës, Papavrami ka guxuar të prekë edhe fusha të tjera, ku ka dalë jo pa sukses. Mjaftojmë të kujtojmë përkthimet e tij në frëngjisht të veprave të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Më pas ai do të provojë si aktor, duke marrë pjesë në një seri të filmit "Les Liaisons Dangereuses", ku interpretoi përkrah Catherine Deneuve, Nastassja Kinski, e Ruppert Everett.

Në rolin e aktorit ai do të shfaqet së shpejti edhe për publikun shqiptar. Regjisori Artan Minarolli e ka përzgjedhur për të interpretuar në filmin e tij më të fundit, "Lutje dashurie", premiera e të cilit pritet të shfaqet këtë vit në kinematë shqiptare. Ai interpreton krahas aktores kosovare Arta Dobroshit, Ndriçim dhe Margarita Xhepës, Sheri Mitës, Mirush Kabashit etj. Tedi është shprehur se ka interpretuar vetveten në këtë film, por gjithçka mbetet të shihet në shfaqjen e filmit. Ndërsa vetëm vitin që shkoi, papritur ai shfaqet si imazhi në Shqipëri i firmës së njohur zvicerane të orëve "Raymond Weil". Ndoshta në vazhdim do të ketë surpriza të tjera nga Papavrami, i cili, gjithsesi, mbetet i lidhur fort me violinën dhe koncertet e shumta në skena të ndryshme të botës.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama