Përfaqësuesi i djathtë në këshillin Bashkiak të Tiranës, Fabian Topallaj, ka reaguar pas gjobës së kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj Partisë Demokratike për dëmet e shkaktuara nga protestuesit.
Në një postim në Facebook, Topallaj paralajmëron Veliajn se pas djegies së bunkerit, nëse nuk ka reflektim flaka e zemëratës popullore do të arrijë te ngritësit e simboleve të diktaturës.
“Erjon Veliaj na paska vënë gjobë ne të PD për djegien e bunkerit të rilindjes së komunizmit. Eri, protestën e sotme që dogji simbolin e komunizmit kuptoje si paralajmërim të qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë. Pas djegies së simboleve, në qoftë se nuk ka reflektim, flaka e zemëratës popullore do të arrijë te ngritësit e simboleve, te ty dhe tek mentorët e tu që po doni të na riktheni totalitarizmin në çdo aspekt të jetës, 25 vite pas rrëzimit të atij sistemi mizor”.
Bashkia e Tiranës gjobiti sot 163 milionë lekë PD-në , për dëmet e shkaktuara në qytet dhe institucione gjatë protestës së sotme.