Ornela Vorpsi Jam produkt perfekt i Shqiperise

Ornela Vorpsi: Jam produkt perfekt i Shqipërisë

“Il paese dove non si muore mai” në një italishte ndryshe, të mbrujtur me shprehje të krijuara në gjuhën mëmë e të përkthyera me origjinalitet të thellë: “Tirana mund t’u gëzohet ditëve me një diell zemërgjerë menjëherë pas një shiu të penduar”. Stili i saj, i prerë dhe direkt është krahasuar me tendencën rrëfimtare të Agota Kristof. Por Vropsi nuk është dakord: “Mendoj se jam më sensuale se Kristof, ndërkohë që ajo më duket sintetike se unë. Çka nuk i heq asgjë faktit se është një shkrimtare e zonja”. Në fakt krahasimi nuk rrezaton lumturi, shkrimtarja hungareze e “Dje” dhe “Triologjia e qytetit të K.” ka një dramacitet që penetron çdo pore të të shkruarit të saj, që rrëfen për jetë pa shpresa, për vdekjen.
Ornela jo, edhe pse rrëfen për plagët e padrejtësitë mizore të Nënës Parti, ndyrësia mbetet elementi i fundit i këtij rrëfimi. Ndyrësia e shpirtrave është si poshtërimi për femrat edhe pjesë e të këtij të jetuari pa vdekje është sensualitet, dëshirë vulgare për jetën. “Është vendi ku nuk vdes kurrë. Të fortifikuar nga orë të pafundme kaluar në tavolinë, – rrëfen shkrimtarja, – të dezinfektuar nga speci djegës i ullinjve të pamungueshëm vajorë, këtu trupat arrijnë një fuqi që sfidon të gjitha provat”.
Ornela, ashtu si Agota, braktis vendin e saj, megjithatë konfirmon se është një produkt perfekt i Shqipërisë. Shkrimtarja ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Shqipëri e më pas në Akademinë e Brerës, aktualisht jeton në Paris.
Ke keqardhje për vendin tënd?
Jo, përse duhet? Ka flirtuar me ideale të tjera, por s’ia ka arritur, të paktën e ka provuar. Tashmë po përpiqet të shërohet, e gjithë kjo është njerëzore, apo jo?
Përse atëherë ke zgjedhur të jetosh në Paris?
Ekziston një dimension i bukur në Paris, atje ndien se jeton. Është një qytet ku mund të sorollatesh si në asnjë tjetër.
Ky rrëfim i bukur është romani yt i parë, po tjetër ke shkruar?
Është libri im i dytë pas një monografie fotografike “Nothing obvious”, ndërsa në fushën letrare ky është i pari.
Mund të na flisni pak për historinë...
Rrëfej për rritjen e një vajze në Shqipëri, zbulimin e botës, vëzhgimin e gjithçkaje, për atë që mund të jepte, duke filluar nga biologjikja e duke përfunduar tek socialja.
Romani ngjan mjaft autobiografik. Ka më shumë urrejtje apo dashuri në atë histori? Apo të dyja?
Mund të duket si i tillë, por në fakt nuk është, sepse duke shkruar gjërat ndryshojnë dhe shndërrohen për hir të dashurisë për të shkruarin apo për krijimin e kontrasteve. Domethënë si pasojë e asaj që mua më duket se dua të bëj. Nuk ka, të paktën për mua, as zemërim e as dhimbje. Vetëm vëzhgoj, nuk pozicionohem. Këtë ia lë lexuesit.
Sa e poshtëruar je ndier nga regjimi komunist dhe çfarë ishte për ty dashuria në atë kohë?
Regjimi është përpjekur të arrijë diçka tjetër. Nuk ia arriti, mbase sepse njeriu është tepër larg ëndrrave utopike të Marksit dhe Engelsit.
Dashuria për mua është esenca e jetës. Jetoj vetëm kur jam e dashuruar, për fat të keq, pa dashuri tretem. Meshkujt i dua, e prek dashurinë, atë burrë-grua, si mund të mos i dua?
Në roman je shumë e lidhur me nënën. Çfarë kishte ajo ndryshe nga gratë shqiptare të asaj kohe?
Jam rritur shumë afër nënës sime. Ishte gjithçka për mua, ishte perëndi. Ajo ishte ndryshe nga gratë e tjera si person. Ishte shumë e bukur, tepër e bukur dhe kjo turbullonte shpirtrat, ashtu siç mund të ndodhte shumë kohë më parë në një qytet të vogël në jug të Italisë.
Bukuria ka një forcë të verbër, të zgjon shpirtin... të bën të ëndërrosh.
Cili është shkrimtari që doni më shumë?
Ndryshoj shpesh në këtë lloj dashurie, por kam një dobësi më shumë se 20-vjeçare për Majakovskin. Kam dashur shumë dhe poezitë e Ervin Hatibit, një poet shqiptar.
Si do ta përkufizonit letërsinë shqiptare sot?
Si çdo letërsi tjetër. Nëse nuk është e njohur si ajo anglofone është thjesht çështje mundësie.
Kush është Ornela dhe çfarë mendon për vdekjen?
Një person si kushdo. Përpiqem të jem “bienveillante” çka do të thotë mirëdashëse. Vdekja... mendoj shumë për vdekjen dhe mendoj edhe se duhet të bëj akoma shumë rrugë në udhën e urtësisë, për të pranuar fundin për atë çka është: Një proces jetësor.
Çfarë është zoti për ty?
Pyetje e vështirë... Zoti për mua, të paktën dua të jetë kështu, është një formë mirësie dhe bukurie me të cilën duhet “të vishemi”. Është një mister suprem që shkon përtej, është ajo çka shoh e s’mundem ta shpjegoj.
Është e padukshmja e ekzistencës. Nuk është dhe aq normale të ekzistosh apo jo? Kam dëshirë të besoj në diçka, përndryshe gjithçka do të ishte gjithsesi e bukur por e egër, ashtu siç është shpesh edhe pse të shoqëruar nga Zoti. Kjo pyetje që po më bën është më intimja për mua, më intime se pyetja se si do të bëja dashuri. Nuk do të dëshiroja të zbuloja më shumë në lidhje me këtë.


Tina Cosmai - Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama