Orhan Pamuk rivjen me perqasje shqiptare

Orhan Pamuk, rivjen me përqasje shqiptare

Këtë herë, shtëpia botuese "Skanderbeg books" që ka edhe ekskluzivitetin e veprës së tij, e ka shpërndarë në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Pas "Unë jam e kuqja", Pamuk prezantohet në tregun shqiptar me një tjetër vepër voluminoze. "Bora" është konsideruar si romani më i rëndësishëm i tij, ku lexuesi do të zhytet në një realitet që s'ndan shumë nga ai shqiptar. Romani është përkthyer nga Drita Çetaku Turdiu, po ajo që përktheu "Unë jam e kuqja". "Duhen disa vepra që lexuesi të krijojë një ide më të gjerë mbi një autor dhe ky është një nga parimet tona botuese. Ne do të sjellim një pjesë të mirë në shqip të veprave të Nobelit 2006, Orhan Pamuk e për më tepër që lexuesi e ka mirëpritur", - shprehet Flutura Açka, drejtuese e "Skanderbeg books". Prezantimi për herë të parë i shkrimtarit turk në botën shqiptare me "Unë jam e kuqja", u shoqërua nga shtëpia botuese dhe me një ftesë që ai të ishte i pranishëm në promovimin e librave të tij. Nobeli ndryshoi tërësisht axhendën, dhe një mbërritje në Tiranë mbetet ende e shpresuar. "Jemi ende në përpjekje dhe mbajmë një korrespondencë personale me Pamuk. Por pas Nobelit, jo për snobizëm të tij, ai i takon një tjetër rrethi njerëzish dhe axhenda e ngjeshur i vështirëson gjërat. Megjithatë, ai mbetet njeriu modest dhe nga të paktët shkrimtarë të mëdhenj që është shumë i ndjeshëm ndaj lexuesit të vet", - thekson Açka. Kërkesës që librat e tij të përktheheshin në shqip, ai iu përgjigj me mjaft gatishmëri. E më vonë, kjo do të përligjej me lidhjet e hershme me Shqipërinë. Në kujtimet e hershme ai ruante dashurinë e parë me një vajzë me origjinë shqiptare, të cilën e bën personazh të romanit të fundit "Stambolli". Edhe pse jo një personazh i përvijuar qartë, ata që e njohin jetën e tij, kuptojnë fijet e dashurisë së parë.

Romani
Ambientet, personazhet, rrethi ku ata vërtiten, nëntekstet dhe kthesat e ngjarjeve flasin sikur të jetë një atmosferë tërësisht shqiptare. Lexuesi do të endet në faqet e romanit "Bora", duke gjetur përkatësitë në realitet. Këtë herë, Orhan Pamuk flet shqip përmes personazhit Ka, një poet i njohur turk që jeton prej vitesh emigrant në Gjermani. Ai rrugëton për në verilindje të vendit dhe mbërrin në qytetin kufitar Kars, ku dimrat janë të acartë. Aty mëton të vëzhgojë zgjedhjet lokale dhe vetëvrasjet e vajzave të reja myslimane. Gjatë këtyre ditëve ai hyn nëpër çajtore, bare, shitore e vende ku do të takojë njerëz të shumtë. Në këtë tërësi marrëdhëniesh, mes të cilave edhe një dashuri e zjarrtë, e ngatërrojnë poetin dhe e vënë në pozita të dyshimta të identitetit të tij. "Këtë personazh mund ta vendosësh në Kolonjë, në Tiranë, ku të duash nëpër Shqipëri, dhe do të ndjesh të njëjtën trysni që ka pësuar Ka. Është një roman krejt i ndryshëm nga "Unë jam e kuqja". "Bora" ka një atmosferë krejt tjetër, dominon dialogu, ngjarja, mikroklima, por i bashkon filozofia e përbashkët. Ajo e bashkëjetesës së Perëndimit me Lindjen, e feve dhe e bindjeve të ndryshme politike", - thekson Açka. Në fakt pas marrjes së Nobelit, Pamuk ka qenë në qendër të shtypit botëror. Ai është një intelektual që ka integritet dhe, pavarësisht se i është larguar fatalisht politikës, fjala e tij ndikon në politikën globale. Megjithatë, Pamuk ecën sipas filozofisë së tij: "Unë jam fetar. Feja ime është arti i romanit". Sipas Açkës, "Impakti që ka pasur botimi i Orhan Pamuk ka qenë i ndryshëm nga nobelistët e tjerë. Për shumë arsye, ndoshta dhe historike, lexuesi shqiptar ka qenë i prirur për ta njohur këtë autor". Fakti që nga Kosova i kanë ardhur kërkesa nga librarë të tjerë, për Açkën tregon impaktin e menjëhershëm që ka pasur romani "Bora" te lexuesi shqiptar. Ndërkohë janë duke u përgatitur për botim disa libra të tjerë të shkrimtarit turk. Bëhet fjalë për "Baulja e babait" me lektura të tij, ku përfshihet edhe fjalimi në Nobel, romani "Kështjella e bardhë", të cilin Açka shpreson ta promovojë në panairin e librit, si dhe 2 romanet "Shtëpia e heshtjes" dhe "Jeta e re"

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama