Opera Rigoletto Largohet Armaldo Kllogjeri

Opera Rigoletto: Largohet Armaldo Kllogjeri

Pas ditësh prova,  mësohet se tenori Kllogjeri është larguar, ndërsa motivet thuhet të kenë qenë për shkak të parregullsisë së  këtij të fundit në prova. Regjisori i shfaqjes Nikolin Gurakuqi shprehet se Kllogjeri prej dy ditësh mungon në prova  dhe se në vend të tij po vijohet me dublantin italian, ndërsa  drejtorja artistike e  këtij institucioni, Abigela Voshtina përgjigjet se nuk është në dijeni se tenori Armaldo Kllogjeri është larguar…ndërsa as tenori nuk ka dashur të rrëfejë arsyet e këtij largimi, megjithëse e ka pohuar se nuk është më pjesë e kastës së solistëve të  “Rigoletto” .

“Rigoletto”, kryevepra e Giuseppe Verdit  është  opera që çel edhe sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, e cila vjen në regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe dirigjimin e J. Manuel Busto–s.

Regjisori Gurakuqi, i cili e ka vënë edhe dy herë të tjera në skenë – përkatësisht  më ’94 dhe  2005, ka zbuluar se në premierën e 21 janarit do të vijë me një koncept dhe produksion krejt të ri si edhe me dy trupa artistike, njëra shqiptare dhe njëra me solistë italianë, ndërsa në njoftimin  për shtyp që lajmëronte kalendarin e ri të TKOB –it për këtë sezon vihej re edhe rikthimi i tenorit Armaldo Kllogjeri  në kastën e  operas “Rigoletto”, i larguar dy vjet më parë nga  ky teatër.

Pas ditësh prova  mësohet se tenori Kllogjeri është larguar, ndërsa motivet thuhet të kenë qenë për shkak të parregullsisë së  këtij të fundit në prova.

Regjisori i shfaqjes Nikolin Gurakuqi shprehet se Kllogjeri prej dy ditësh mungon në prova dhe se në vend të tij po vijohet me dublantin italian, i cili ka interpretuar  më herët  në Operan “La Boheme”, por  nuk është në dijeni nëse  tenori shqiptar ka vendosur të largohet nga kasta përfundimisht, duke shtuar se artisti ka një raport administrativ me drejtorinë e TKOB–it.

E pyetur për motivet e largimit të Kllogjerit, drejtorja artistike e  këtij institucioni, Abigela Voshtina përgjigjet se nuk është në dijeni se tenori Armaldo Kllogjeri është larguar, ndërsa as tenori nuk ka dashur të rrëfejë arsyet e këtij largimi, megjithëse e ka pohuar se nuk është më pjesë e kastës së solistëve të “Rigoletto”. Nuk dihet nëse është vendim që e ka marrë vetë tenori apo ka qenë shkak mungesa e tij në prova në ditët e fundit që ka çuar në largimin e tij.

Në  operan “Rigoletto” e cila do të vijë  për publikun  më 21, 23, 24 dhe 25 janar  interpretojnë solistë si Linda Kazani, e cila interpreton Xhildën, Vikena Kamenica, Gocha Abuladze, Ylber Gjini, Ramona Tullumani etj.

Rigoletto është opera me tri akte e kompozitorit italian Giuseppe Verdi dhe me libret të   Francesco Maria Piave. Premierën, kjo opera e pati në teatrin e famshëm “La Fenice” në Venezian e 11 marsit të vitit 1851. Bazuar  në dramën e debatuar të Hugosë shkruar më 1932 –shin “Le Roi s’amuse” (Mbreti kënaq veten), opera e Verdit gati sa nuk u hoq nga skena prej censurës. Me Rigoletto-n ai arriti një nivel të ri në karrierën e tij. Aria më e njohur e kësaj opere është “La donna è mobile”, në të cilën gruari Duka i Mantovës  reflekton mbi paqëndrueshmërinë e grave.

Në Mantovën e shekullit të 16 , në shtëpinë e Dukës  së paturp, vajza e Kontit Monterone dashurohet me  ëmbëlsinë e fjalëve të Dukës, ndërsa konti  inatoset me dukën për këtë. Rigoletto-ja, klouni i oborrit të Dukës, e bën Kontin objekt talljeje, ndërsa konti i kthehet “Ti tallesh me vuajtjen e një ati. Qofsh i mallkuar!”.  Rigoletto-ja trishtohet nga mallkimi, pasi ka një vajzë të fshehtë,  Xhildën e cila e ka njohur tashmë Dukën në kishë.  Duka e mashtron duke u shtirur si  student i varfër, ndërsa ajo bie në dashuri me të. Vartësit e Dukës e rrëmbejnë atë me urdhër të  shefit të tyre.  Në aktin e dytë, Rigoletto-ja  zbulon se e bija është rrëmbyer, e ndërsa shkon në shtëpinë e Dukës e gjen të bijën atje. Xhilda i shpjegon se ka rënë në dashuri, por disa të huaj e detyruan të shkojë në shtëpinë e Dukës, i cili e fyeu.  Kjo e inatos  Rigoletto-n, i cili  vendos ta vrasë  Dukën.

Në aktin e tretë, Duka përpiqet të joshë Maddalena-n, motrën e menaxherit Sparafucile. Rigoletto-ja i kërkon Sparafucile-s ta vrasë Dukën në këmbim të një shume të madhe parash. Ai përpiqet ta vrasë Dukën, por ndalet nga Maddalena, sepse edhe ajo ka rënë në dashuri me Dukën. Duke qenë se ai ka marrë para duhet patjetër të vrasë dikë për të dorëzuar një trup. Xhilda dëgjon bisedën dhe vendos të jetë ajo zëvendësuesja. Rigoletto-ja merr një thes nga Sparafucile, i cili i ka thënë se është trupi i Dukës. Ndërsa ai kontrollon trupin zbulon se mban në duar kufomën e së bijës, ndërsa mallkimi është përmbushur.

Sipas regjisorit Gurakuqi  subjekti i veprës zhvendoset. Subjekti zhvendoset në ditët tona dhe trajton perversionet e Dukës dhe oborrtarëve që viktimizojnë të pafajshmit siç është  Xhilda dhe fundi i saj tragjik...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama