Odise Kote risjell Betimin e rreme ne Berat

kote1Tiranë, 1 Nëntor /ATSH/.- Shkrimtari gjirokastrit Odise Kote ka bashkëbiseduar me një grup krijuesish lexues e dashamirës të letërsisë të qytetit të Beratit në Bibliotekën "Vexhi Buharaja" ku në qëndër ka qënë romani, "Betimi i rremë", një botim me ngjarje të njohura historike, por me strukturë dhe stil tërësisht krijues, artistik e letrar.

Drejtori i bibliotekës së qytetit të Beratit Arben Jaupaj, tha se "Betimi i rremë", është një vepër që pasqyron përpjekjet për ruajtjen me fanatizëm gjatë pushtimit nazist të Luftës së Dytë Botërore të një pasurie të vyer e të rrallë të vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit, siç janë Kodikët e Beratit.

Shkrimtarët dhe studiuesit berates: Agim Lika, Miltiadh Bode, Balil Gjini, Kadri Kuka, Abdyl Pilafi,i fokusuan diskutimet në raportet midis historikes dhe letrares në këtë vepër, dhe në përmbajtjen, stilin, strukturën gjuhën dhe vlerat e tjera letrare të romanit. Duke e gjykuar, analizuar dhe vlerësuar këtë krijim artistik e letrar në aspektin e tridimesionit kohor: të së shkuarës, të tashmes dhe së ardhmes, krijuesit krahas vlerësimit të raportit mendor e shpirtëror të lidhur me një pjesë të historisë së qytetit të tyre, ku autori ka gjëmtuar materien krijuese, kërkuan prej tij prononcim për konceptet dhe bindjet e tij për letërsinë.

"Shkrimtarët përgjithësisht janë të vetmuar jo vetëm në procesin krijues, por ata ndihen po aq të vetmuar edhe pas botimit, moment në të cilin shfaqet sfida me lexuesin dhe kritikën. Është pikërisht lexuesi që përcakton vlerat, është ai që nëse nuk e lexon dhe nuk merr mesazhe të qarta, të flak jashtë letërsisë. Prandaj i vlerësoj këto takime dhe ballafaqime të drejtpërdrejta me kolegët krijues dhe lexuesin e thjeshtë", u shpreh shkrimtari gjirokastrit përballë lexuesit beratas.

kote2Duke u ndalur jo vetëm në disa nga vlerat e romanit "Betimi i rremë", krijuesit beratas sollën në bashkëbisedim edhe disa ide dhe opinione rreth librave të tjerë të autorit Odise Kote, vepra të cilat sipas tyre kanë tejkaluar sprovat e lexuesit dhe kritikën, ndër ta pati vlerësime për përmbledhjen me tregime "Vejusha", romanin "Ura e Margaritës" dhe monografinë "Demokratia-tipologji e teksteve publicistiko-letrare", kjo e fundit një studim me vlera për gjeneratat e sotme e të ardhme të publicistëve dhe gazetarëve shqiptarë.

Romani "Betimi i rremë" u vlerësua edhe për stilin dhe gjuhën e naracionit dhe dialogur, element që sipas bashkëbiseduesve meriton vlerësime në këndvështrimin e etnotekstit letrar në përgjithësi.

"Gjatë leximit të këtij romani dhe krijimtarisë letrate pas tij mua më është krijuar përshtypja se ka disa disa përkime reminishencash të ngjashme me librat e Ismail Kadaresë dhe kjo është ndoshta refleksion dhe influencë e të qënit gjirokastrit, ndaj na krijohet bindja se kemi të bëjmë me të njëjtin madem artistiko-letrar", tha shkrimtari dhe publicist beratas Kadri Kuka. Këtë lloj ngjashmërie apo përkimi, vetë autori e konsideroi si vlerë, si forcë perceptimi dhe shprehjeje e një identiteti të përbashkët letrar gjirokastrit, si një kuotë të re suksesi në krijimtarinë e tij.

kote 3

Pasi ka vlerësuar të gjitha qasjet dhe këndvështrimet personale dhe veçanërisht interesimit që sollën me pyetjet e tyre nxënësit e gjimnazeve të Beratit, autori i romanit "Betimi i rremë" Odise Kote, e cilësoi surprizë këtë bashkëbisedim të hapur e të sinqertë me lexuesit dhe krijuesit berates dhe falenderoi të pranishmit për opinionet dhe vlerësimet e shumta për krijimtarinë e tij letrare.

/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama