Nuk ka eshtra grekesh ne kete vend

'Nuk ka eshtra grekesh ne kete vend'
Gratë e Boboshticës u mblodhën atë natë fshatshe dhe vendosën ta varrosnin. Burrat si burrat. E kishin marrë me nge. I vëllai i të ndjerit, kish lajmëruar se do të vinte, por s’kish mbërritur dot. Të dy vëllezërit, ushtarë të Armatës greke, që luftonin diku në Moravë kundër Italianëve në formacione të ndryshme, tashmë ishin ndarë përfundimisht. Gratë s’pritën më. Bënë adetin dhe e përcollën në dhé. Në Shën Koll. Në varrezat e fshatit...

“Ti s’je më i madh nga unë. Ti datëlindja ’32, kurse unë ‘36. Po ç’na thua, ore ç’thua, prandaj na shkon e vjen ti kur të do qejfi në Greqi”. Elpi Manço, banore e qëmotshme e Boboshticës, ia përplas me një frymë ish-kolegut të saj mësues Tirkës, ndërsa ai me një zë të ngutur dhe të ulët largohet. I ngeshëm. Ani s’prishin qejf. Nesër do kthehet sërish dhe sërish do gjejnë gjë tjetër të hahen...Gruaja kthehet nga ne: “Deri më tani këto varre të Shën Mërisë s’ishin zënë me dorë. U vu një kryq më 1996. Atë e bëri OMONIA me disa fshatarë. Ishte puna e vizave. Ata kishin marrëdhënie me këta dhe nxirrnin viza dhe njerëzit kishin nevojë. E dimë të gjithë atë punë dhe ai kryq u bë nga ata. S’u bë fare publik. Po të ishte puna për një kryq e bënin vetë boboshtarët dhe s’kishte mbetur për OMONIA-n”. 74 vjeçare flet me një zë të lartë, që timpanët tanë i trazon keqazi pas katër orë udhëtimi të vështirë nga Tirana. “Pse nuk flet fort?”-ma pret.

Nuk di si t’ia pres ligjërimin, por kjo grua e moshuar, është një nga njerëzit më aktivë të ditëve të fundit në fshatin e saj, kundër idesë së betonimit të memorialit, që ka dhunuar varrezën gati 150 vjeçare të fshatit. E lus të ngjitemi bashkë deri në kishën e Shën Mërisë, vendi ku ndodhi përfolja e eshtrave në media. Në retrospektivë, ajo që ndodhi me Boboshticë i ka rrënjët pak ditë më parë, në kremtimin e një memoriali në formën e kryqit, dedikuar dy ushtarëve grekë të rënë atje, betoni i të cilës mbuloi hapësirën e kësaj varreze fshatare të Boboshticës. Djegia e kurorave pak orë më vonë dhe dëmtimi i shkallares të saj hapi një incident që e kaloi kufirin e fshatit, tej hapësirës ku mund të shkoj edhe zëri i munguar i kambanareve të kishës. Pak ditë pas kësaj katrahure, që u ngreh nga burime lokale dhe pastaj rroku deri funksionarët dhe diplomacinë e dy vendeve, si zakonisht u shpërndanë akuza për njëri-tjetrin...Fshatarët OMONIAN, Opozita-Pozitën, vllehët s’flasin; prefekti fajtorët...Në fakt, i vetmi fajtor, mbeti punëtori lokal Alqi Koroveshi, që do pohonte në media se e kishin ngarkuar nga OMONIA...

Në Boboshticë

Derisa OMONIA dhe emra të tjerë të padëgjuar u sorrollatën këtej, për t’i ngatërruar, ky fshat disi i rrëgjuar bënte jetën e patrazuar prej qindra e qindra vitesh. Pak kilometra nga Korça u mjafton edhe sot banorëve që të përciellin zahiretë dhe frutat e tyre në pazarin e qytetit. Kurse mirëqenien e mori nga kurbeti. Fshati ruan ende sllavishten e vjetër bullgare si identitet dhe ku zakonet e vendit ndryshojnë shumë me fshatrat përreth. Profesor Zija Shkodra e përmend për gjërat e saj që mbushnin Pazarin e Korçës, kurse vetë banorët u shquan nga gjindja përreth, ngaqë e bënë fshatin me ndërtime interesante publike që shumë e shumë dekada më parë...Fshati i Viktor Eftimiut, personalitetit të madh rumun, me origjinë shqiptarë; i Gjergj Bubanit një gazetari të njohur të viteve ‘30; Kristo Koços; fizikanit Kuneshka etj., mori nga kurbeti në SHBA, Rumani dhe Turqi veç zakoneve dhe një kulture jetesë të mirë.

 Nga larg dy shoqata, njëra në SHBA, që quhej “Bashkim-Vëllazërim-Lulëzimi” dhe “Dituria” në Rumani, ndihmuan bashkëfshatarët me çfarë u vinte mundësia. Kështu aty nga ’40, ata u sollën fshatarëve të bënin një shatërvan dhe fshatshe u lexua letra e tyre...”Pra u morr vesh se ishte publike”, më bërtet gruaja. “Ja kjo është”, ma bën me dorë, kur sapo kemi mbërritur. Është një pirg, ku disa shkallare betoni i ngjiten anash. Nuk ka më kocka në sipërfaqe, kurse shkallarja është e dëmtuar. Dhe kjo masë e pakët betoni në këtë fshat, ka mjaftuar që të tregojë se mes grekëve dhe shqiptarëve ka një hendek.

Katrahura

Ky hendek u pa ditën e Çlirimit të Greqisë, kur një shpurë e tërë zyrtare, poshtë kryqit, ku një pllakë shënon “I përjetshëm kujtimi i atyre që prehen këtu”, bëri një ceremonial, kushtuar të rënëve të tyre, mbi eshtrat e boboshtarëve. Mbishkrimi, në fakt, ishte një zgjidhje diplomatike, për ata që kanë dhënë paratë për kryqin dhe betonin. Për hir të së vërtetës, kryqi është që nga viti 1996 dhe banorët pak u ka bërë përshtypje. Boboshtica, si vendi i parë, që solli kremtimin e Ujit të Bekuar më 1991 ndër ortodoksë, u nanurit së fundi me atë që kudo ku ka të krishterë duhet një kryq. Dhe, as nuk donin t’ia dinin derisa dikush ndërtoi shkallaret mbi varret e të parëve të tyre. Eshtra të ndryshme, që dukeshin, treguan se ishte bërë një gjë, që për shqiptarët është e rëndë. Për hir të dy skeleteve të premtuar, ishte shfrytëzuar i gjithë vendi. “Është një varrezë e vjetër 150 vjeçare. Kam gjyshen atje. E di mirë këtë.

 Kishte rënë në fshatin tonë sëmundja e murtajës dhe nga Korça u urdhërua të mos varrosen më në Shën Koll. Vërtetë natyra është më hapur dhe është e gjitha në një kodër. Ka varre të 1881, të 1875…e ca. Gjysma e fshatit është aty dhe gjysma poshtë. Varreza është boboshtare autoktone”, më kthjellon plaka. Nga i ati, gruaja s’ka dëgjuar asnjëherë se në Shën Mëri ka pasur ndonjëherë të varrosur grekë. “Po në Shën Koll është një varr grek. Është dhe sot. Dhe le ta marrin. Ka qenë ushtar. U vra dhe e varrosi fshati. Por jo këtu”. Më shumë gratë, na thotë dhe më shpjegon sesi e varrosën një darkë, një ushtar grek. Sesi prisnin vëllain e të ndjerit, që luftonte diku afër. E kishin bërë më shumë nga ana humanitare sesa nga politika!!!

Ngatërresa

Politika nuk do t’i harronte, ashtu si boboshtarët harruan me kohë të parët e tyre. Askush në fshat nuk i identifikon dot më varret e të parëve të tyre. Mbi pirgun, ku tashmë nxijnë në bardhësinë e gëlqeres së kryqit dhe shkallëve, lulet e shkrumbuara-pjesa shqiptare e incidentit, shquhen vetëm pak gurë varri jo shumë të lexueshme. Të tjerat s’kanë ndonjë indikacion. “Kur u ndërtua kryqi, fshati ish i ndarë në dy pjesë. Me çobenjtë (vllehët) nuk ngatërrohemi fare. U thamë që këto janë varrezat tona.

Por, ata, nga pensioni që marrin nga grekët s’flasin dot...Kjo është e keqja. Ka nga ata që nuk donin t’ia dinin”. Platforma e ndërtuar nga fshatari nga Polena, u shtri jo vetëm mbi varret, por edhe mbi varret e banorëve duke nxjerrë thellë dallimet mes tyre. Vllehët u përshtatën me kërkesën, që iu bë dhe as nuk folën fare, ndërsa banorët e tjerë u ngritën ashpër ndaj kësaj. “Çobanët as kështu dhe as ashtu. Këtë e quajnë vepër patriotike por edhe për atë duhet e vërteta. Edhe konsulli njëditëzaj shkeli mbi varreza sepse ato ishin në shesh. Kockat ishin sheshit”.
...
“Jo. JO. Kockat i kishin shpënë”, do më thotë Tirka pak kohë më vonë. Burri që ka ndërruar fjalë pak më parë me gruan, është larguar tutje. I kërkojmë gruas të lidhemi sërish me burrin dhe ajo s’na ngut. Gruaja akoma na shpjegon atë incidentin e fundit me të: “Po kush i kish shpënë...Nga do ti gjenin ato kocka të legenit; rruaza të kurrizit të tëra. Kishte çdo gjë. Një ditëza kur u bë festa nuk ishin. Varrezat kanë qenë boboshtare.

 Tani arrestuan kryepunëtorin që ishte vënë nga OMONIA. Ai është nga Polena dhe na vjen keq se dhe polenakët i kanë zët këto”. Ditën që ndërtohej te varrezat e fshatit, tre burra të fshatit shkuan, por prifti me gjithë reagimin, duket se nuk ka ndryshuar shumë. Plaka e ka inatin me vllehët tashmë dhe me fleksibilitetin e tyre, ndërsa i ka bërë zë që të vi në shtëpinë e saj Tirka. “Vllehët kanë ardhur më 1941 dhe ishin vetëm katër familje. Kur u bë reforma, që u mblodhën bagëtia këta u shpërndanë nëpër fshatra. Jo vetëm i pranuam por edhe i dhamë tokë dhe shtëpi. Janë të këqinj”, më thotë plaka.

Ia ka behur Tirka ose Sotir Bambolli, një burrë që e kemi takuar kur kemi ardhur sërish këtu. Ka qenë mësues dhe me kishën është marrë prej kohësh. I ati ka qenë në epitropinë e kishës, kujdestar...Historia e ushtarëve tashmë tregohet ndryshe. Unë do ua them që ka eshtra, pohon plaku:“Unë, i vogël, me një Pirro shkonim dhe mbanim gjëra në kishë. Një ditë ikëm në mal dhe kemi shkuar në ahishte në Moravë...Duke bërë dru, jo te pjesa e parë, por tek e dyta, unë u tremba dhe pashë kocka të vdekurish dhe pastaj rendëm t’ua tregonim të vjetërve. Skeleteve u dalloheshin kockat sepse ishin tretur ndërsa rrobat ishin.

Njëri dallohej se ishte nëntoger dhe tjetri ishte me gradë tjetër. Rrobat ishin prej leshi”. Gruaja hidhet: Po rrobat? “Unë s’gënjej. Fronti ka qenë në Moravë dhe në Gramoz dhe u pykëzua në Qafë të .. Ua morëm italianët...I pamë këto kockat folëm me hyzmeqarët dhe në manastir. Ata ngarkuan dikë që ti merrte dhe ai që do merrte dru do merrte me vete edhe kockat. Pastaj i morën në kishë. Hapën dy gropa dhe i varrosën dhe kaq. Dhe tamam në Shën Mëri. Tashti erdhi koha u bë një kryq dhe për eshtrat tona dhe ata të tyre. Ç’të keqe ka?”. Tani biseda ndizet ashpër. Të dy pleqtë kundërshtojnë njëri-tjetrin. Gruaja i thotë se nuk di gjë, por burri këmbëngul, ndërsa kryqi thotë se është i gjithë fshatit. Ajo që është shkruar, sipas tij, është për të gjithë ata që prehen aty.

Në fakt, në gjithë këtë histori, nuk kuptohet se pse grekët e instrumentalizuan kaq shumë. Po këtë më thuaj?-i bërtet plaka. Ç’ne grekët. “Është lavdia e të rënëve...E mirë, nejse. Morën vendimin tonë për të treguar që ishte fshati i parë që hapi kishën dhe si i tillë duhet të ketë kryq. Kjo është puna. Sa për eshtrat, unë vetë, kam shtatë njerëz të racës sime dhe nuk e di se ku i kanë eshtrat. Dhe unë s’jam dakord për ato punimet që janë bërë. Duhet të na kishin pyetur..

Në kohën e monizmit ato varre i kishte ushtria dhe kullosnin bagëtia dhe unë më 1990 bëra mure. Kishte kocka kudo, por askush nga fshatarët nuk erdhi”, gjen pajtimin burri. Pse nuk u pyet fshati?-ia pret plaka. Plaku bën një parabolë për Krishterimin dhe pak më vonë më thotë se në gjumë i është fanitur dikur besimi. Bashkë me një grup burrash krijuan një komitet për ringritjen e kishës ortodokse, dhe kur Shqipëria digjej dhe përcëllohej më 1991, ai bareste për të shpënë besimin dhe për të filluar besimin. Gruaja e ngacmon dhe më tej, por burri tashmë më tregon gjërat që ngjajnë disi si ekumenike: Si përhapën mundësinë e besimit. “Pse grekët bëjnë memoriale atje ku njerëzit janë nevojtarë. Mjaft fole për bëmat e tua”?-ia pret gruaja gjysmë me shaka. Ai bëhet sërish serioz. Sipas burrit, janë rreth 7000-8000 ushtarë grekë të varrosur në Shqipëri dhe patjetër që shumë syresh janë dhe afër fshatit të tyre. “Dikush në Ersekë më ka thënë se e ka edhe sot e kësaj dite”, insiston burri. Gruaja i hidhet më keq. Jo dhe jo.

Historia e burrit është shenjë, që vendasit, vllehët (tashmë vendas) dhe OMONIA për të treguar shenja devocioni kanë ndërtuar mbi një varrezë fshati, varret e të cilit janë të paidentifikuara. Në ditën e Çlirimit të Greqisë memoriali i thjeshtë i boboshtarëve u konsiderua si një vend i shenjtë e të rënëve grekë, kurse qyqari që e ndërtoi, 44 vjeçari, Alqi Koroveshi akuzohet për “dhunim të varreve” dhe tashmë ka pohuar, sipas medies, se ishte vënë nga OMONIA për ta ndërtuar. Ndërsa, media shkruan, kryqi vazhdon të zbardhojë në Shën Mëri, kishën që mban emrin e shenjtes së fshatit, ndërsa pleqtë e mbetur shkëmbejmë muhabetet e televizorit, ku ata për pak ditë dhe ku ta dish mbase të fundit në jetën e gjallë, ishin protagonistët e Shqipërisë.

Pak orë më vonë, ndërsa kthehem kujtoj ritualin e fshatit dhe si banorët varrosën një grek të panjohur thjesht për të mos e lënë pa varr dhe sesi dhjetëra vjet më vonë, pasardhësit e tyre do të grindeshin dhe do bëheshin pjesë e një politike, e cila nuk do t’ia dijë për asgjë. Po errësohet. E moshuara më përshëndet dhe na këshillon për rrugë kthimi të mbarë. Burri largohet i qetë. Është fillimi i vjeshtës së tretë 2010.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama