Nomadet e Durresit mallkimi i lakmise

Nomadet e Durresit, mallkimi i lakmise
Dikur, ngjitur me shinat e trenit pas plazhit ishte një kanal i madh dhe diku punonte hidrovori, që derdhte tej ujërat. Ato rridhnin të qeta në vazhdën e tyre të detyruar, kurse pak banorët e plazhit, zbritur nga e gjithë Shqipëria, jetonin thjeshtë dhe përkorë. Sot, kjo përrallë idilike ka mbaruar. Njerëzit, rendur pas lakmisë, kanë ndërtuar mbi kolektor, mbi kanal, thjesht për të pasur atë që s’u takon. Pasojat: prej vitesh të tëra banorët e plazhit mbyten dhe u janë kthyer shtëpitë edhe në dimër si kabina plazhi të braktisura... Ata, vetë, tashmë si nomadë, shtegtojnë ku të munden...

“E sheh atë pallatin atje? Ja, atë të madhin! Sa u bë ai, vetëm jemi përmbytur”. Teksa e këqyrim bashkë në këtë ditë të lagësht janari, e pyesim thjeshtë burrin: Pse nuk ankoheni? “Po pse, pak herë e kemi bërë? Askush nuk do t’ia dijë. Mo prefekt, bashki e ku ta di unë kë tjetër...”. Burri është kryefamiljari i njërit prej shumë shtëpive, që janë nën ujë në zonën e hekurudhës tek Plazhi i Durrësit. Shpjegon pa e kthyer kokën dhe na heq udhë drejt lagjes së braktisur. Zanoret me bashkëtingëlloret e mbyllta, që çlirohen në eter prej çizmeve të gjata, me monologun e zvargur të tij, e bëjnë bisedën shumë monotone, në një nga zonat e sotme më të përmbytura të vendit. Përballë, si ai, venë e vinë pak banorë, të gjithë të trishtuar dhe të pagojë.

I ngjan një pavijoni të tërë heshtakësh në natyrë. Banorëve të ish-Hekurudhës tashmë u ka mbetur vetëm të mallkojnë dhe nëmin. Kuptohet, nën zë. Sepse Zoti, Qeveria, Vendorët dhe Robi nuk i dëgjon asfare më. Prej javësh, shtëpitë i kanë të pabanuara, kurse prej disa vitesh, shumë familje u duhet normalisht të shtegtojnë si nomadë e të jetojnë me qira. Shqetësimin e tyre e ridëgjoj në mëngjes nga një banor, që më duket se e tepron disi me ankesën në një talk-news të përditshëm te NEWS24. Një orë e gjysmë më vonë, më duket tejet i përkorë në shqetësimin e vet, sepse gjendja e plazhit është vërtetë katastrofike.
...
Po ndërsa ne e këqyrim në TV dhe me pult shkojmë në ndonjë kanal tjetër, ku interioret e shtëpive dhe qetësia të lëbyrin sytë, banorët, sapo fillojnë shirat e para, mendojnë shtegtimin dimëror. Todi, me të cilin  po bisedojmë, kur fillojnë shirat e para, bën një ritual gati mekanik. Merr me radhë redaksitë dhe u kërkon ardhjen e kamerave. Pastaj, përsëritet njëlloj si më parë. I prin, veshur me çizmet e gjuetisë drejt shtëpisë së vet, rreth 200 metra larg “Adriatikut” dhe me radhë i gjezdis edhe tek fqinjët. Ne e kapëm sapo mbaroi një intervistë lokale për “KLAN” Durrës. Tregonte me dorë. Zvargur. Gazetarët mbarojnë punë shpejt. Njëri syresh rri në makinë, kurse operatori shkon dhe pak më tutje dhe bën disa plane në ujë. Kap ndonjë banor të rastit, që arrin të kalojë dhe ndonjë shfaqje “spektakolare” të ndonjë makine, që ngre valë uji.
 
Todi

Kur gazetarët ikin, neve jemi më ‘të ngeshëm’. Ai po ashtu. I është kthyer si argëtim, që shqiptarët ta shikojnë ku jeton. Theodhori Kondo, kështu quhet gjatë, është një burrë simpatik që po i afrohet shtegut të shtatëdhjetave. Ka qenë tornitor me të shtatën dikur dhe mikut tim i shpjegon markat e tornove të fundit. Jetonte mirë, e megjithatë regjimin e shkuar e urren. Ai na prin udhë dhe madje do gjenden çizme dhe për mikun tim. Pasi, nëse nuk ke çizme këtu je i mbaruar. Një adoleshent (pa çizme), që vjen përkundrejt, hipën në një mur dhe vazhdon mbi shtëpitë, për të përfunduar tek banesa e vet. Në Shkodrën e përmbytur, këtë e kam hasur në Xhabie. Rituali i një djali, që bënte cirk me vuajtjen. Ky i sotmi më qesëndis pak dhe e ka më të thjeshtë. “Ja dhe ky që ka bërë këtë supermarketin e ka bërë mbi kanal”, na heq vëmendjen Todi. Tani mjediset pranë pallatit janë pothuaj të përmbytura, kurse vetë banorët ankohen me të gjithë.

Ankohen ata që kanë sjellë katrahurën. Ankohen dhe banorët. Burri na bën udhë tek një nga fqinjët. Uji është gati në nivelin e 50 centimetrave, kurse një pusi në oborr, i ka mbetur vetëm gryka. Përreth, gjithçka noton qetazi. “Ja, shiko!” Disa enë po lundrojnë qetazi për diku. Tani shikoj që Todi është i vrarë disi në fytyrë tek hunda. Më shpjegojë ngeshëm se i janë ngatërruar diku këmbët natën. Na duket zgjidhje e mirë që e kemi hasur qysh nga fillimi. Na përcjell në shtëpinë e vet. Ka gruan dhe tre fëmijë. Të tre këta janë jashtë. Tani e ka nxjerrë edhe të shoqen për ta përballur vetë... Hap vetëm krahët dhe më tregon përreth, ku me hamendësi mund të gjykosh se si mund të jetë pranvera.

Pas tij, bidesë i ka ardhur uji deri në buzë dhe ujërat e zeza tashmë janë përzier me ujin e zakonshëm të përmbytjes. Një ere keqe endet pa fund. Burim infeksionesh. Eh, kjo është e fundit këtu. Burri ka mbledhur me plastmasë motorin e vogël. Ka stakuar korrentin dhe ka marrë masa që uji të paktën të mos i futet në shtëpi. Disa rroba të vjetra notojnë lirshëm, kurse plehrat enden kudo. Pak ditë më parë i ka ardhur dhe prefekti. Nuk kemi ç’të bëjmë, i ka thënë. “Vërtetë, çdo bëjë?”-më thotë  Kemi parë dhe dy shtëpi. Në njërën s’ka njerëz ose nuk preferojnë të dalin asfare. Kanë vendosur nga dy blloqe guri mbi njëri-tjetrin për të ecur në mes. Përndryshe, uji që i afrohet të 50 centimetrave mund të të bëjë gjëmën. “Këtu nuk jetojnë as derrat dhe jo më njerëzit. Dje i bëra një prag betoni derës nga brenda, që të mos futet  uji brenda”, më thotë burri.
...
Situata është kritike kudo në zonën e Shkozetit, por më shumë në pjesën e plazhit, ku banorët kanë nisur të protestojnë hapur ndaj autoriteteve dhe strukturave lokale. “Të mos provojnë të na vijnë për votat, këta plehra. Na mbesin tek dera kur duan votat”, më thotë një grua krejt e zbathur. Shfaqet befas me një qese të stërmadhe plehrash nga kuadri i një dere, ku fotografojmë dhe na qesëndis. “Pse zbathur? S’kam çizme”, - më thotë. Do ftohesh! “Le të ftohem. Tashti nuk na bën përshtypje asgjë... Ah këta plehrat...”. Largohet pa folur. “Po deri kur do zgjasë kjo situatë?

A kemi Qeveri. Na kërkon vetëm votat dhe po na harron edhe me këta të bashkisë që vinë si skutha”, më përsërit dikush. Pak kohë më parë, këtu te hekurudha pas plazhit, banorët kanë bllokuar rrugën dytësore, duke mos lejuar asnjë automjet të kalojë nëpër të, kurse akuzat për pushtetarët qendrorë dhe vendorë ishin gati nëmje, sepse vërtetë ata u japin premtime elektorale dhe nuk arrijnë dot të zhbllokojnë dhe as t’i mirëmbajnë kanalet kulluese që ndodhen jashtë funksionimit. Më shumë akoma, nuk marrin masa ndaj kundravajtësve të tillë. Todin e pyes për dëmshpërblimet, por ai njësoj si të gjithë Banorët e plazhit dhe Shkozetit më thotë me qesëndi se kurrë s’është kompensuar asnjëherë për dëmet e shkaktuara, edhe pse vlerësimet bëhen pas çdo përmbytjeje.
 
Astriti

Endemi kudo nën sipërfaqen e ujit dhe pak minuta më vonë aty na përcjell po Todi. Astriti, i zoti i shtëpisë, është duke dëgjuar lajmet. Qëndron tek dera pa folur. Astrit Diko jeton i vetëm. “Zoti më mori mendjen dhe ardha këtu në fillim të ’90. Jemi pesë vetë dhe të tjerët i kam nisur”, më thotë. Më fton për raki, por më duket sakrilegj të qëndrosh e të pish në një fatkeqësi të tillë. Më tregon një biçikletë të ndryshkur dhe se si e shtyn. Portokallet janë të zhytura në ujë deri te kurora, kurse oborri i rregulluar është krejt mbi një suprinë të lëngshme ngjyri hiri që reflekton. Punon roje nate, kurse ditën vjen e rri në shtëpi që të ruaj gjënë e vet. Hajdutët i kanë të këndshme këto ditë, javë, kur njerëzit ikin të shpëtojnë kokat dhe shëndetin.

Ndaj, ai rri këtu. Që të më tregojë se si e shtyn, më bën një xhiro hipotetike përreth shtëpisë me një biçikletë krejt të ndryshkur. Befas shpërthen. Duket se është idhnak. “Mos t’ua shof surratin”, me thotë, teksa nga një radio diku thuhet se kryebashkiaku Vangjush do vijë nga ora tre e pasdites dhe pohon se kjo është hera e parë që qyteti përmbytet në këto përmasa. Heshtim pak. Kryebashkiaku ia vë fajin mungesës së fondeve që kanalet nuk pastrohen. Dhe, shton edhe faktin se ndërtimet e shumta dhe pa kriter, syresh pranë kanalit ose sipër tij, janë një tjetër shkak që këto dy zona përmbyten vazhdimisht gjatë dimrit. Shkak tjetër është edhe bllokimi i kolektorëve, që pastaj i jep dërrmën këtyre banesave.

“Po ky m...me Berishën, ku është. Pse dërdëllisin, atëherë? Po hë pra, i gjegjemi. Ti sërish do ia japësh votën. “Unë? Kurrë!”, më thotë Astriti. Banorët janë të hidhëruar dhe disa më guximtarët u përpoqën që të bllokojnë dhe rrugën nacionale në shenjë proteste, por janë ndaluar nga policia. “Ia bëfsha... Po pse ne?! Pse nuk i ndalojnë plehrat?! Ah mos ardhtë këtu biri i kurvës!”. Biri i Kurvës më duket si Providenca tek Don Zhuani i Pushkinit. Ti e ke thjesht si koncept. Pak minuta më vonë miqësohemi. Më jep tre portokalle dhe më fton të qëndroj. I them se do kthehem, por jo tani afër. E lë, ndërsa ai ndez një duhan duke lëshuar tej rrathë të stërmëdhenj tymi. Nuk flitet më për elektroshtëpiaket, kurse dyshekët, divanët, dollapët janë krejt jashtë përdorimit prej lagështirës dhe ujit, që u është futur brenda.
 
Moza

Brenda është njëlloj në shtëpitë e përmbytura. Ujë me ngjyrë si gri, që filtron dhe rrezatimin jo të plotë të diellit dhe orendi të ngritura njëra mbi tjetrën. Blloqe për të ecur mes shtëpisë dhe harta-harta uji në mure. Mimoza Bena, 48 vjeçare, vetëm do më ankohet dhe ankohet. Por ruan një tis buzëqeshjeje, që tregon se është e mësuar me këtë rrethanë. Ka dy vajza, ndërsa jetojnë vetëm me rrogën e të shoqit prej 25.000 Lek... Ankohet. Një moment ngre zërin, por më kot. Ikim bashkë në shtëpi dhe shikojmë. Është vërtetë katastrofë... Më vjen keq se e kthej nga udha. Mezi çajmë udhën dhe po mezi kapërcejmë te kryqëzimi i tabelave. Me shumë vështirësi hapim derën e shtëpisë, teksa të gjitha gjërat janë ngritur mbi tulla. Uji është stacionuar në shtëpi në nivelin e 40 centimetrave.

Vjen instinktivisht të shikojë se mos ndodh ndonjë gjë, por është krejt indiferente. Sikur s’është shtëpia e saj, pasi ngrehina i ngjan një shtëpie të sajuar dhe shkëputur nga realiteti, ngaqë fle mbi ujë. Vajza e madhe që e ka të martuar e ka ftuar t’i bashkohet, por s’ka pranuar. Shikoje vetë! - më thotë. Uji edhe këtu është në nivelin e bidesë, kurse deri në buzë të divaneve duken gjurmët që lë vala e ujit, që lëviz prej këmbëve tona. Shtëpia është jashtë përdorimi, kurse frigoriferët dhe orenditë janë ngritur me blloqe guri.  Ke frikë se të vjedhin?, - i bëj një pyetje, që më duket pa sens në fund. “As nuk më bëhet vonë fare, se do më bëjnë nder po mi vodhën këto. Shiko si i ka bërë uji? Nuk kam lënë vend pa shkuar, por asgjë dhe asgjë... Nuk e di çfarë njerëzish janë këta...”. Ndahemi.
...

Pak metra më tutje, jeta vazhdon e qetë. Shoferët me makinat që drejtohen në aksin e jugut hedhin ndonjë vështrim dhe kaq. Zona e plazhit, e padukshme nga udha kryesore, jeton fatkeqësinë e vet. Prej mëkatit. Prej papërgjegjshmërisë. Prej makutërisë. Moza më përshëndet që tutje. Kurse Todi ka dalë sërish jashtë dhe na e bën thjesht me kokë. Është dimri i vitit 2013.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama