Nobeli nuk ndryshon vlerat e Kadarese

Nobeli, nuk ndryshon vlerat e Kadaresë

Georges Perec dhe Ismail Kadare. Çfarë e tërheq anglezin David Bellos në letërsinë e shkrimtarit shqiptar dhe atij francez që iu desh të ndahej nga jeta pa i mbushur të 60-at. Burri që ka një ndjesi (ashtu siç thotë dhe vetë të lindur për letrat), i sheh lidhjet si diçka të pashmangshme, të destinuara për të ndodhur, ashtu si ai moment i vitit 1990, kur për herë të parë mori në duar "Dosjen H" të Ismail Kadaresë.

"Ishte një magjepsje", kështu e shpjegon me anglishten e tij atë kohë kur i duhej t‘i rikthehej herë pas here "Dosjes H", një libër që e kishte tunduar që në fletët e para. Lidhjet e një përkthyesi me librat nisin vetëm prej dashurisë. Ndryshe, Bellos beson se suksesi i përkthimeve të tij në gjuhën angleze të shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare nuk kishte për të ndodhur.

Profesor në "Princeton University" i letërsisë frënge, Bellos, ky burrë me një kulturë të admirueshme, këto kohë iu është përkushtuar përkthimit të veprave të Kadaresë.

"Man Booker Prize" çmimi që ai mori për përkthimin e veprave të Kadaresë në gjuhën angleze në vitin 2005, ka konsoliduar opinionin si një përkthyes korrekt dhe i mirë i letërsisë.

Janë gati 17 vjet që Bellos jeton "Shqipërinë" e Kadaresë mbrëmjeve në apartamentin e tij, duke besuar se asnjë vend tjetër gjatë gjithë jetës së tij nuk ka përmasa kaq të bukura dhe të trishta, falë përshkrimit gati-gati magjik që i ka bërë Kadareja.

Ky burrë mund të flasë gjatë për përkthimin, për atë akt gati- gati sublim që ndodh me të, sa herë ulet për të përkthyer në gjuhën angleze librat e shkrimtarit Kadare.

Nëse Georges Perec, shkrimtari francez që ai ka përkthyer në gjuhën angleze ka një tjetër perceptim të realitetit, Kadare për të i ka të gjitha fuqitë e një shkrimtari që di të bëjë letërsinë e vërtetë. Ai nuk do të flasë gjatë për ndryshimet mes shkrimtarëve që ka zgjedhur për t‘i kthyer në anglisht, duke besuar në sekretet që secili mbart dhe duke dashur t‘i mbajë për vete ato intimitete mes përkthyesit dhe autorit.

Ai ndjehet i magjepsur nga mënyra sesi shqiptarët e admirojnë shkrimtarin e tyre, duke thënë se "nuk ka shembull ekuivalent të fenomenit Kadare në Francë, në Gjermani apo në Britani që nga ditët e Viktor Hygos apo Gëtes".

Për Bellos nuk janë vetëm subjektet që vijnë nga një vend i izoluar kaq kohë nga Perëndimi, por dhe stili me të cilin Kadare i rrëfen ato, që e bën letërsinë e tij të jetë koherente sot në botë. Anglezët e duan Kadarenë, sepse gjejnë përmes historive që ai rrëfen ato ndjesi që secili prej nesh kërkon t‘i gjejë në një libër. Asnjë kritik apo gazetar nuk do të ulej të shkruante qoftë edhe disa radhë për një libër, nëse ai nuk do t‘ia vlente. Por mënyra sesi shtypi anglez kërkon të analizojë deri në detaje personazhet dhe historitë e Kadaresë, rrëfen se gjuha me të cilën Bellos e ka përcjellë letërsinë e tij nuk e ka "tradhtuar" origjinalin (pasi ai përkthen nga frëngjishtja), dhe që Kadare ka mundur të jetë me të gjitha ndjesitë që letërsia e tij mbart në botën anglofone.

A e kujtoni kohën kur ratë në kontakt me librat e Ismail Kadaresë dhe çfarë dinit për Shqipërinë para se të njihnit letërsinë e tij?

Nuk kam ditur asgjë për Shqipërinë deri në momentin kur botuesi im më kërkoi të lexoja përkthimin në gjuhën frënge të veprës "Dosja H". Ishte fillimi i viteve ‘90-të. Mund t‘ju them se jam magjepsur nga leximi i këtij libri. Kështu filloi e gjitha kjo histori.

A mund të na rrëfeni takimin e parë me Kadarenë dhe vizitën e parë në Shqipëri, cilat ishin përshtypjet?

Jam takuar me Ismail Kadarenë në Londër, duhet të ketë qenë viti 1993 ose 1994 (nuk më kujtohet saktë), kur ai ndodhej aty për të mbajtur një fjalim në Institutin Francez. Më është kërkuar të jem përkthyesi i tij gjatë fjalimit. Më pas jam takuar disa herë me të në Paris, në Londër e në Nju-Jork. Pas shumë viteve jam njohur mjaf mirë me autorin dhe familjen e tij. Nuk e kam vizituar Shqipërinë deri në vitin 2005. Kur e vizitova, më ka pëlqyer pamasë.


Ju përktheni romanet e Kadaresë nga një gjuhë e dytë siç është frëngjishtja. Sa mendoni se nuk e tradhton një gjuhë e dytë origjinalin?

Nuk mund të gjykoj nëse përkthimi frëngjisht e tradhton veprën origjinale në gjuhën shqipe të Ismail Kadaresë. Por ajo çfarë mund t‘ju them është se romanet e Kadaresë në gjuhën franceze janë tepër të fuqishme, të bukura dhe e gjitha ajo çfarë lexon në atë gjuhë i ngjan një letërsie tepër inteligjente.

Gjithnjë e pyes Ismailin për çështjet e stilit, interpretimit, apo përdorimit të emrave dhe të referencave lokale në versionin anglisht që unë përgatis. Por ai zakonisht më thotë që të bëj ashtu si unë mendoj se është më mirë.

Cili është për ju libri më i dashur nga Kadareja dhe pse?

Cilën nga veprat pëlqej unë më shumë? Dua t‘ju them se kjo është një pyetje shumë e vështirë. Për arsye të ndryshme, ndjej një dhembshuri të madhe për "Prilli i thyer", "Kronikë në gur", "Urdhri i verbër", por edhe për librat "Pallati i ëndrrave, "Pasardhësi" dhe "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" të cilët jo vetëm për mua, por edhe për kritikën janë kryevepra. Mendoj se secili roman i Kadaresë vazhdon të bëhet më i dashur nëse lexon më shumë romane të tij. Bukuria e tyre qëndron në faktin se ato janë pjesë e një koherence ku lidhen dhe pasqyrojnë një botë të letërsisë së vërtetë.

Si do ta vlerësonit letërsinë e Kadaresë mes dy periudhave, asaj social-realiste dhe pas viteve ‘90-të?

Mendoj se stili dhe librat e Kadaresë nuk kanë ndryshuar gjatë 45 viteve të karrierës së tij. Është diçka magjike ajo që ka ndodhur me stabilitetin dhe koherencën që ka imagjinata e tij.

Mua më duket se ndryshimi i rrethanave politike dhe sociale ka pasur pak ndikim në të.

A është çmimi "Nobel" pika më kulmore e karrierës dhe vlerës së një shkrimtari. Si do ta gjykonit këtë çmim në raport me Kadarenë?

Sigurisht që do të ishte diçka pozitive nëse Ismail Kadare do të fitonte çmimin "Nobel", por nuk ka aspak rëndësi nëse ky çmim i jepet edhe dikujt tjetër. Ka më shumë shkrimtarë që e meritojnë këtë çmim, sesa fituesit realë të tij. Qëndrimi i Kadaresë në botën e letërsisë nuk do të ndryshojë nga ky çmim apo nga ndonjë tjetër.

Ç‘mendoni për letërsinë e vendeve post-komuniste, duke u nisur nga Shqipëria. Cili do të jetë vendi i kësaj letërsie në botë?

Mendoj se shumica e vendeve të Evropës Lindore ose "vende post-komuniste" siç i quani ju, kanë kultura të tilla, në të cilat letërsia luan një rol më të madh se sa në vendet Perëndimore.

Personalisht jam shumë i emocionuar nga mënyra se si shumica e shqiptarëve e nderojnë dhe përulen para një shkrimtari si Kadare. Kjo, pasi roli i "shkrimtarit kombëtar" pothuajse është zhdukur fare nga Perëndimi. Nuk ka shembull ekuivalent të fenomenit Kadare në Francë, Gjermani apo në Britani që nga ditët e Viktor Hygos apo Gëtes. Me shpresë që kjo të zgjasë!

Flitet shumë për mungesën e një kritike. Në Evropë apo Perëndim kritika pothuajse vijon të jetë një instrument, i cili nuk del dot nga lidhjet private. Ju ç‘mendoni për kritikët dhe rolin e tyre?

Kritikët e letërsisë së mirë gjithnjë kanë qenë përjashtim, jo vënës të rregullave. Xhelozia dhe hakmarrja nuk janë aspekte të reja në jetën e librave.

A mund të na flisni pak për veten tuaj, çfarë ju tërhoqi të bëheshit një përkthyes, e aq më tepër i një autori shqiptar. Do të dëshiroja të dija edhe nëse keni përkthyer autorë të tjerë dhe cilët janë ata?

Gjithnjë ndodh diçka që të shtyn drejt gjërave që vërtet i do. Ndoshta kështu ndodhi edhe me mua. Unë nuk kam qenë asnjëherë përkthyes me orar të plotë. Jam profesor i letërsisë dhe thjesht

ka rastisur që unë të jem i privilegjuar për të qenë përhapës i

shkrimtarëve që unë i admiroj në botën e anglisht folësve.

Përkthimet e mia të rëndësishme, përveç librave të Ismail Kadaresë janë veprat e Georges Perec.

Çfarë jeni duke përkthyer tashmë nga Kadareja?

Sapo kam përfunduar përkthimin e romanit "Kështjella", që do të botohet vitin e ardhshëm nën titullin "The Siege".

Çfarë e ka bërë sipas jush të dashur Kadarenë në botën anglofone, në të cilën ju e sillni veprën e tij?

Ajo që e bën punën e Kadaresë aq të suksesshme në gjuhën angleze është mjeshtëria e tij e të shkruarit, rrëfimi i tregimit që është njëkohësisht edhe "lokal" edhe "internacional", mënyra e jashtëzakonshme për ta lidhur veten e tij me traditën e madhe ndërkombëtare, ndoshta të përjetshme. Kërkimi që ai i bën universit në imtësi. Janë interesante dhe shumë të bukura aludimet e tij konstante për Shekspirin dhe Homerin apo Danten, të cilat e ndihmojnë rrëfimin e tij të jetojë gjatë në mendjet e lexuesve në gjuhën angleze.

Per informacione te metejshme per Ismail Kadaren klikoni ketu

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama