“Njeriu me Armë” është një meshë nga kompozitori nga Wellsi Karl Jenkins, me nëntitull "Një meshë për paqen". Kjo pjesë është porositur nga Muzeu Mbretëror i Armëve me rastin e festimeve të mijëvjeçarit (1999) dhe i është dedikuar viktimave të Kosovës. Në thelb të saj është koncepti anti-luftë dhe është bazuar në një meshë katolike, të cilën Jankis e kombinon me burime të tjera, kryesisht nga kënga popullore, “Njeriu me Armë” e shekullit të 15-të, në kohët e para dhe të fundit të veprës. Kjo pjesë është shkruar për orkestër, kor dhe solistë. Tekstet për këtë vepër janë zgjedhur nga drejtori i atëhershëm i Muzeut Guy Wilson.
Megjithatë përveç pjesëve nga mesha e zakonshme, teksti ka edhe fjalë nga burime të tjera historike dhe fetare, përfshirë lutje islame, fjalë nga Bibla dhe nga Mahabharata (poemë epike indiane). “Njeriu me Armë” tregon për rrezikun e fillimit të luftës, e kombinuar me momente reflektimi; tregon tmerret që lufta sjell; dhe përfundon me shpresën për paqe në mijëvjeçarin e ri, ku “pikëllimi, dhimbja dhe vdekja do të mposhten”. Gjithçka nis me një marsh të plotësuar më vonë me tone të mprehta të pikalos, që luajnë rolin e flauteve të bandave ushtarake, dhe krejt kjo shoqërohet me fjalët e këngës franceze të shekullit XV, "L'homme armé". Pas një pushimi reflektues të thirrjes së besimtarëve (ezanit) dhe pjesës “Kyrie”, fragmenti "Më shpëto nga njeriu i përgjakur" thërret për ndihmën e Zotit kundër arm iqve dhe kjo me fjalët nga Libri i Psalmeve.
Pjesa “Sanctus” ka frymë ushtarake e përcjellë nga "Himni para sulmit". "Sulmi!" paraqitet me tekstin e John Dryden dhe Jonathan Swift, i paralajmëruar nga boritë luftarake dhe pastaj këngës, e cila në fund sjellë agoninë e britmave të vdekjes. Pas gjithë kësaj pason një heshtje e frikshme e fushëbetejës pas aksionit, heshtje kjo që thyhet nga një bori e vetme. "Flakët e zemëruara" përshkruan skenat tmerruese pas bombardimit të Hiroshimës, ndërsa "Flakadani" tërheq paralelen me fragmente të shkëputura nga poema epike indiane Mahabharata.
Nën dirigjimin e Baki Jasharit, interpretojnë: solistët, kori dhe Orkestra Simfonike e Filarmonisë së Kosovës. Solistët janë: Besa Llugiqi (soprano), Liridon Sadriu (Tenor) dhe Safet Berisha (bariton). Ky Koncert zhvillohet në kuadër të implementimit të marrëveshjes për kalendarin e përbashkët kulturor, i cili është miratuar në takimin e zhvilluar nga dy ministritë përkatëse ( Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Kosovës).