Nje udhetim me tren

Nje udhetim me tren
Një shije të hidhur të lë sot vetë fjala tren. Togfjalëshi “udhëtar treni” është paradoksalisht sinonimi i margjinal, pensionist, i braktisur, i pazoti, borxhliu. Shumë njerëz kanë turp kur thonë se kanë udhëtuar me tren, kjo sidomos për moshat e reja. Mua, teksa po shkoja së bashku me dy shoqet e mia për të marrë linjën Durrës-Tiranë, më pushtuan ndjesi kontradiktore. Them e kanë për turp, sepse brezi ynë përdor për transport mjetet automobilistike si makinat, furgonat, autobusët, ndërsa me tren sot udhëtojnë vetëm ata persona të shtresës së ulët sociale dhe pleq. Përveç turpit ishte dhe emocion i madh, sepse ishte hera e parë që unë do të udhëtoja me tren. Pra, një eksperiencë e re. Gjatë rrugës Plazh-Durrës mendoja se si do të ishte treni, në çfarë gjendjeje dhe sa i sigurt, sepse kisha dëgjuar se ky lloj transporti nuk përdorej pothuajse fare dhe kushtet ishin skandaloze. Sapo arritëm te stacioni i trenit në Durrës, sytë më shkuan menjëherë për të parë trenat nga larg se në çfarë gjendjeje ishin.

Po shikoja njëkohësisht me frikë e me kureshtje. Treni gjarpër të jepte përshtypjen sikur do të të kafshonte e do të gllabëronte me lëngun e vet helmues. Pamja e jashtme e trenave ishte njësoj siç kisha dëgjuar, skandaloze, e mjerueshme. Të frikësonte se edhe brenda do të ishte njësoj ose më keq. U afruam. Jashtë sallës së pritjes ishin afishuar në një tabelë oraret e trenit për linja të ndryshme. Pasi lexuam orarin, hymë tek salla e pritjes së qytetarëve për trenin. Ishte ora 4 e pasdites. Në atë sallë gjendeshin shumë pak njerëz bashkudhëtarë. Kjo ishte një shenjë që tregonte se sa i përdorur është ky lloj transporti nga njerëzit e sotshëm. U përpoqa të bindja veten se nuk ka mundësi që treni të niset me 10 veta. Mendova se isha herët dhe se treni im nisej në orën 4:40 dhe njerëzit nuk kishin ardhur akoma të gjithë. Unë u përpoqa të ulesha në një nga stolat e shumtë ngjyrë blu për të pritur trenin, por ishte e pamundur. Të gjithë ishin të pistë. Fillova të bëja ecejake në atë sallë aq të madhe, e ftohtë dhe e zbrazët sa të jehonte zëri.

 Treni vinte për 35 minuta. Në atë sallë gjendej një dhomë e vogël ku qëndronte sportelistja, një zonjë shumë e dashur dhe e gatshme për t’ju përgjigjur pyetjeve tona për transportin hekurudhor. Ajo na tregoi se cila pjesë e popullsisë; mosha, përqindja e popullsisë që e përdorin sot këtë transport, në krahasim me para vitet ’90. Ajo tha: “Numri i popullsisë që përdor trenin si transport ka rënë shumë sot. Njerëzit që përdorin trenin janë njerëz të shtresës së ulët sociale, pleq dhe studentë, por me përqindje shumë të vogël edhe këta. Fluksi më i madh i udhëtarëve që përdorin këtë transport është në verë”. Pasi morëm përgjigje nga sportelistja, blemë biletën për Durrës-Tiranë.

Bileta kushtonte 70 lekë, ndërsa vajtje-ardhje kushtonte 110 lekë. “Invalidët e blejnë biletën me gjysmë çmimi”, - tha sportelistja. Duke pritur me padurim që akrepat e orës të ecnin dhe treni të vinte, fillova të vështroja me imtësi njerëzit që ishin pranë meje. Ishin 2-3 burra të moshuar, një çift romësh bashkë me një fëmijë të vogël, të qarat klithëse të të cilit jehonin në të gjithë sallën. Ora shkoi fiks. Treni erdhi. Emocionet kontradiktore të miat u zgjuan sërish, këtë herë akoma më të mëdha. Teksa po i afrohesha trenit me të cilin do të udhëtoja, për një moment ngurrova të hyj. Treni nga pamja e jashtme ishte i mjerueshëm. Ai ishte i tëri i mbuluar nga pisllëku. Të gjithë xhamat ishin të krisur aq shumë, sa të krijonte idenë se do të thyheshin nga çasti në çast.

Hymë brenda.. Gjendja nuk ishte dhe aq keq sa kishim dëgjuar. Pamja e jashtme e trenit të gënjente e të linte përshtypjen se dhe brenda do të ishte njësoj si jashtë, skandal, por jo, për fatin tonë të mirë. Gjendja ishte e mirë, le të themi, sa për një udhëtim normal. Sediljet, dritat, higjiena ishte mirë, por normal që linte shumë për të dëshiruar në krahasim me komoditetet e sotme. Xhamat ishin në një gjendje sikur të kishte ndodhur luftë më parë. Pasi i bëmë një shëtitje trenit, vendosëm vendin ku do të uleshim. Pranë nesh ishin dhe dy njerëz të tjerë, një burrë rreth të shtatëdhjetat, dhe një djalë rreth të njëzetat. Nisja u duk e qetë, pa rreziqe. Shpejtësia e trenit ishte rreth 25-35 km/h.

Nga mesi i udhëtimit e pyeta atë plakun që ishte afër nesh, për një krahasim të transporti hekurudhor në këtë kohë që jemi sot dhe në kohën e tij, kur ai ishte i ri. “Treni filloi të përdorej për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore. Atëherë ishte i vetmi transport e përdorej nga të gjitha shtresat sociale. Në atë kohë aq i mbipopulluar ishte, saqë dhe gratë rrinin në këmbë me fëmijë në krahë. Sot ky transport nuk përdoret pothuajse fare dhe është lënë në harresë nga shteti, duke ndërtuar infrastruktura, rrugë të reja, autostrada”, - tha i moshuari.

Teksa ai po fliste, vura re mënyrën e tij të të shprehurit me shumë nostalgji. Në fytyrën e tij lindte një buzëqeshje kur fliste për infrastrukturën që kishte treni në atë kohë dhe me një trishtim kur fliste se sa keq ka arritur ky transport sot. Gjatë kohës që po flisnim me të, vjen përgjegjësja e trenit dhe dëgjon bisedën tonë. Ajo ndërhyn duke na shpjeguar pse ky transport ka arritur në këtë gjendje.

“Trenat sot nuk janë në kushte komode siç i kërkojnë sot njerëzit. Kjo vjen si pasojë e mungesave të fondeve të mjaftueshme për amortizim”, - thotë përgjegjësja. Ajo na shpjegoi edhe faktin pse xhamat ishin të krisur, gati për t’u thyer, kuriozitet ende i pashuar...

“Xhamat i thyejnë njerëzit e paditur, injorantët, të cilët nuk kanë me çfarë të merren kur çojnë lopët të kullosin. E shtyjnë kohën duke goditur me gurë xhamat”, - tha përgjegjësja e trenit. Në atë çast isha ulur pranë dritares. Më zuri paniku. Ndërrova vendin dhe po rrija gjithë kohës me ankth se do të gjuanin xhamat me gurë nga momenti në moment, udhëtimi filloi të trazohej. E dëshpëruar, e pyeta se përse nuk i ndërronin këto xhama kur gjendja e tyre është e mjerueshme dhe përgjigjja e saj ishte e prerë: “Këto xhama janë kristali, janë shumë të trashë dhe me shumë vështirësi mund të depërtojë guri. Xhamat vijnë nga Gjermania dhe kushtojnë shumë shtrenjtë. Ne nuk mund t’i ndërrojmë xhamat, sepse ata thyhen çdo ditë nga të goditurat me gurë”. U ula sërish tek sedilja ku isha ulur në fillim. Kësaj radhe isha pak më e lehtësuar nga fjalët e zonjës, përgjegjëse.

U ktheva të shijoja udhëtimin tim me tren. Po vështroja me shumë kureshtje nga dritarja e pathyer. Vura re se treni kalonte në zonat e pasme urbane, përmes kanalizimeve të ndotura, togjesh plehrash, barakash. Dritarja e trenit është një media kritike. Ajo ta shfaq realitetin e hidhur dhe nuk e zbukuron siç e bëjnë mjetet e tjera më komode të transportit. U errësua. Njerëzit kishin ikur në shtëpi dhe nuk mund të shihja më veprimet e tyre. U largova nga dritarja e rashë në mendime. Pse shteti e ka lënë në harresë këtë transport që duhej të ishte transporti kryesor?

 Transporti hekurudhor është më eficient, më pak i kushtueshëm, më ekonomik për të gjithë njerëzit. Nuk do të ngecnim në trafik për orë të tëra me radhë, siç ndodh me mjetet automobilistike. Përdorimi i trenit do të ulte qarkullimin e makinave dhe si pasojë, ndotjen e ajrit. Një tjetër avantazh është mundësia e pakët për aksidente, të cilat ndodhin përditë në aksin rrugor automobilistik. Vallë pse nuk përdoret ky lloj transporti, kur në vendet e tjera të botës zë vendin kryesor si për lëvizjen e qytetarëve, ashtu edhe për atë të mallrave?

Pse nuk përdoret kur të ofron këto avantazhe? E vetmja përgjigje që unë mund të gjej është dobësimi i infrastrukturës së transportit hekurudhor dhe lënia në harresë nga shteti për shumë vite me radhë. Sokol Olldashi, ministri i Transporti tha në një gazetë: “Shteti ynë ka filluar të marrë masat për të rregulluar të gjithë infrastrukturën e transportit hekurudhor, duke ia dhënë me koncesion kompanive të ndryshme private të huaja”. Sot, për të ndërtuar nga e para këtë infrastrukturë, për të funksionuar ky transport, duhen shuma të mëdha financiare. Shpresojmë që ky projektplan me kompanitë private të funksionojë e shumë shpejt e të shohim frytet për transportin hekurudhor.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama