Nje peizazh pa horizont- Ekspozita e Shpetim Kercoves autorit qe pikturon kohen

TIRANË, 16 Nëntor / ATSH / Klajdi Musabelliu / "A landscape without horizont", ose e thënë në shqip "Peizazhe pa horizont" titullohet ekspozita e piktorit Shpëtim Kërçova, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 20 nëntor në ambientet e galerisë "Zeta" në kryeqytet.

Si njëra prej gjinive të pikturës, peizazhi, dhe më konkretisht ekspozita "A landscape without horizont" përmes syve të Kërçovës fton publikun dhe miqtë e pikturës tek perceptimet dhe përjetimet e artistit, dhe gjithashtu i çon ata nëpër vende të ndryshme si bashkëudhëtarë me piktorin, sepse peizazhet nuk janë vetëm për t'u soditur, por ato rrëfejnë edhe histori për vende të cilat njerëzit vështirë t'i shohin apo vizitojnë nga afër.

"Cikli i pikturave të Shpëtim Kërçovës është një rrugëtim këndngushtë në hapësirë, por i shtrirë në kohë aq sa hijet e objekteve e subjekteve na udhëheqin nëpër stinë të ndryshme" shprehet narratorja dhe kuratorja e ekspozitës Alketa Kurrizo.

"Pikturat e Kërçovës përcjellin ndjenjën klaustrofobike që karakterizon hapësirat tona publike, ndërsa ne bashkëjetojmë me sajesa peizazhes urbane të ndërtuara nga njerëzit për të qenë "skenografi të gjelbra" mes ndërtesave, ndërsa shohim se sa shpejt bimësia në to harliset duke krijuar një jetë të sajën", vijon Alketa Kurrizo.

E në fakt magjia e peizazheve të humbura të Tiranës dhe jo vetëm tashmë ka vetëm një alternativë për tu "përkujtuar" dhe përjetuar jo vetëm nga nostalgjikët dhe ambientalistët, por edhe miqtë e natyrës së bukur, frymëzuese dhe artistike, dhe pse jo alternativën e ekspozitës së Kërçovës, i cili pasi merret me gjelbërimin si "skenografi", kohë pas kohe e mbush atë me njerëz, objekte dhe ngjarje, çka dëshmon se autori kërkon të rikthejë në jetë pamjet e zhdukura, duke i dhënë jetë nëpër veprat e tië.

E në këto hapësira midis kornizash, hapësira këto të mbetura të pauzurpura apo të pashkatërruara nga urbanizimi, Shpëtim Kërçovës i ka ngelur të pikturojë vetëm kohën....

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama