Nje ndalese ne stacionet ligjerimore te Rexhep Qosjes

Nje ndalese ne stacionet ligjerimore te Rexhep Qosjes

Rexhep Qosja! Një emër. Një personalitet gjigant i kombit. Klasik dhe modern i kulturës shqipe. Vepra e tij mbetet çelës i emancipimit dhe modernizimit të vetëdijes sonë historike e artistike, një monument albanologjik. Ajo përfshin shumë fusha, si: letërsi, estetikë, histori, letërsi, kritikë, gazetari, filozofi dhe ideologji e kulturës kombëtare dhe përbën tashmë një gjenealogji shpirtërore, një shkollë, një sistem. Çfarë tërheq dhe mahnit aq shumë në librat e tij? Ndoshta është forca e mistershme e fjalëve, që duket sikur vjen drejt e nga burimi i gjuhës. Shkrimtaria e tij si në librat e mirëfilltë letrarë, dhe ata joletrarë shquhet prej një force tërheqëse që në të vërtetë është efekti i shumëfishtë i ligjërimit të tij, i një patosi individual. Teknika e tij rrëfimtare përmban kërkimin e tij të paepur të së vërtetës, qoftë kjo artistike, qoftë historike. Universi i tij intelektual është në harmoni me ndjeshmërinë e tij vizionare.

Zanafilla e veprës së tij nuk është një akt i veçuar. Libri i parë, “Episode letrare” (1967), i Qosjes përmbledh shkrime për libra të tjerë. Pra, shtresa e parë e teksteve të tij është kritika letrare. Shkrimet studimore si: “Për traditën kundër tradicionalizmit” (1967), “Prometeizmi në poezinë shqipe” (1968), “Letërsia Kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve” (1972) e ndonjë tjetër u botuan së pari nëpër revistat dhe gazetat e kohës. “Gjurmime albanologjike”, “Fjala”, “Jeta e re”, “Rilindja” etj., shprehin qartë edhe idenë: vështrim i pjesës në raport me të tërën. Struktura analitike e këtyre studimeve dëshmon kështu evropianizimin e hershëm të mendimit shkencor në fushën e letërsisë shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Është koha e polemikave për vendin që zinte letërsia e re që zhvillohej në Kosovë, vazhdimësi e letërsisë kombëtare apo episod i veçuar.

Esetë dhe shkrimet e tij studimore për vepra letrare nuk janë të natyrës eksperimentale, por një ndërmarrje me vetëdije intelektuale. Ato i përfshiu në dy libra “Kontinuitete” (Vazhdimësi) dhe “Panteoni i rralluar” (1972, 1973). Duke lexuar këta libra të lë mbresa të fuqishme erudicioni i gjerë e i thellë i autorit: “Historia e qytetërimit të popullit tonë nuk fillon me ne dhe se ne nuk jemi të parët që vëmë gurin e parë në themelet e saj”. (“Për traditën kundër tradicionalizmit”, 1967, Vepra I: 49). Shkrimi “Tre poetë dhe tri periudha letrare, Naimi, Asdreni dhe Migjeni” (Vepra I: 74), shpjegon domethënien e veprës së tyre, duke përcaktuar skemat e frymëzimit “Naimi: Njeriu-Kombi-Kozmosi”; “Asdreni: Vetja-Shoqëria-Natyra”; “Migjeni: Njeriu-Mjedisi-Mjerimi” dhe argumenton përse këta tre poetë janë edhe përfaqësues të tri periudhave letrare. Përcaktimi është një sinjal i rëndësishëm, i cili lajmëron periodizimin e letërsisë. “Antologjia e lirikës shqipe” (1970) është një antologji vetjake, poezitë janë zgjedhur me dorë të sigurt prej esteti dhe njohësi të letërsisë.

Fryma kritike e Qosjes në shkrimet studimore është bashkëkohore: “Historia jonë letrare pas luftës jo njëherë është treguar e njëanshme qoftë sa i përket metodologjisë, qoftë sa u përket rezultateve të saj duke rënë në vulgarizime sociologjike...” (Vepra I: 205). I sigurt në atë që thotë, ai lëkund dhe shpluhuros që herët një metodë që çonte në rrugë të gabuar, duke vendosur pikën mbi i për çështje të rëndësishme, si: ç’është letërsia kombëtare, periodizimi i saj, pse realizmi socialist ia ngushton frymëmarrjen letërsisë etj. “Panteoni i rralluar” (1973) përmbledh analiza për krijimtarinë bashkëkohore të atëhershme. Në shkrimin “Gjuha simbolike e historisë” ai e quan shkrimtarin Ismail Kadare një ndër prozatorët e shquar të letërsisë shqipe.

Krahas vlerësimit të lartë që i bën më 1970 për romanin Kështjella:  “Mjeshtër i gjuhës dhe i frymës poetike, Ismail Kadare është njëkohësisht njohës i mirë i simbolikës dhe i mitologjisë kombëtare” (Vepra I: 397), në shkrimin “Anarkia e kritereve”, 1973 (Vepra I: 441), e kritikon për librin e tij “Autobiografia e popullit në vargje”, lidhur me disa përfundime të Kadaresë për Naim Frashërin, De Radën dhe Migjenin. Ashtu si vihet re, vitet ’70 karakterizohen nga një vrull i madh krijues. Eshtë një dhjetëvjeçar përplot tituj të rinj, domethënës. Bashkë me dy botimet e lartpërmendura “Vazhdimësi” dhe “Panteoni i rralluar” (1972, 1973), janë edhe “Antologjia e lirikës shqipe”(1970), “Asdreni, jeta dhe vepra e tij (1972), “Vdekja më vjen prej syve të tillë”(1974), “Shkrimtarë dhe periudha”(1975) “Anatomia e kulturës”(1976), “Mite të zhveshura”(1978), “Prej tipologjisë deri te periodizimi”, (1979) etj.

Romani i parë i Rexhep Qosjes

Rexhep Qosja përbën një progres sasior dhe cilësor të rrallë. Midis autorëve të shumtë është shfaqur një shkrimtar i çuditshëm, ligjërimi letrar i të cilit qëndron midis klasikes dhe modernes. Romani i tij i parë “Vdekja më vjen prej syve të tillë” përbën një moment vendimtar në formën e të shkruarit letrar. Ai ka një pozicionim horizontal historik të shqiptarit në Kosovë, por edhe vertikal si një shpirt i vetmuar e që është, si të thuash, edhe hapësira që i shërben autorit për të ndërtuar një skenë të jetës nën alibinë jugosllave të “vëllazërimit”.

Drama romaneske arrin kulmin kur personazhi kryesor sheh në ëndërr një fantomë dhe këlthet: “Çfarë sysh! Vdekja më vjen prej syve të tillë!” (f. 82). Romani i parë ka mbetur, si të thuash, rruzulli rreth të cilit do të vendosej yjësia e veprës së tij të mëvonshme. Libri u përkthye në frëngjisht më 1994 dhe ka zgjuar komente, të cilat e quajnë zbulim veprën dhe autorin e cilësojnë si “Kafka i Lindjes”. Ndërkohë që në Shqipëri dhe në Kosovë kjo ngjarje kaloi në heshtje.

Koncepti i vdekjes në shkrimet e Qosjes

Zëri i Qosjes është i veçantë e i qartë. Jeta dhe vdekja, të dyja janë mister, dhimbja dhe dashuria janë pronë e njeriut të vërtetë. Romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe monodrama “Vdekja e një mbretëreshe” e kanë fjalën vdekje që në titull; një personazh në dramën “Sfinga e gjallë”, thotë: “Deri kur kështu? Vdekja këtu s’pushon as ditë as natë”. Në dramën “Beselam, pse më flijojnë”, Beselami dhe Hana, që janë njëri prej vëllezërve ndërtues të urës dhe nusja e tij e re, bëjnë një dialog për vdekjen. Në monodramën “Bardha” flitet për lidhjen midis emrit të kukullës Arbëria dhe studentes Arbërie, që u plagos rëndë në demonstratat e vitit 1981 dhe vdiq më pas nga plagët e rënda. Në tregimin satirik, “I ringjalluri i penduar”, Skënderbeu ringjallet nga vdekja si Lazari, por nuk pranon të rrijë gjatë mes bashkatdhetarëve dhe shkon sërish “në vdekje”. Pastaj në romanin “Një dashuri dhe shtatë faje”, mbretëron një atmosferë e rëndë vdekjesh, sepse flitet për varre e varrime. Hana Ujëmiri vdes.

Gjithashtu, romani tjetër “Bijtë e askujt”, mbyllet me vdekje. Do të thoshim se kulti i vdekjes ka lidhje me kushtet, Kosova e pushtuar në atë kohë, gjendja pa perspektivë, por është fjala edhe për ankthin ekzistencial që e mbërthen njeriun. Ngadhënjimi i të shkruarit për lindjen, dashurinë dhe vdekjen, është njëkohësisht edhe një dëshirë për t’u çliruar nga një peshë e dijes filozofike për jetën. Libri “Nocione të reja albanologjike”, na njeh me propozime konkrete “për zhvillimin e organizuar, sistematik dhe cilësor të studimeve albanologjike”, duke i vështruar ato qysh më 1969 në perspektivën evropiane.

Ai thotë se kritika duhet të mbrojë rëndësinë e pluralizmit metodologjik, si kusht elementar i mendimit të lirë. Në Shqipëri realizmi socialist ishte frymë dhe merret vesh as që mund konceptoheshin mendime të tilla. Faik Konicën ai e quan intelektualin e parë shqiptar që ka vetëdije “për kritikën si gjuhë vlerësuese e letërsisë, për opinionin letrar dhe kulturor në përgjithësi, për çështje të metodës së kritikës dhe për çështje teorike të saj”, por njëkohësisht e qorton se nuk i ka shfrytëzuar sa duhet mundësitë e tij krijuese.

Karakteri shumëpërmasor në fushën e letrave

Qosja si studiues është marrë fillimisht me poetikën strukturore të disa veprave letrare, pastaj dalngadalë i është kushtuar përfundimisht një pune madhore: studimit të historisë së letërsisë. Periodizimi, por që është riperiodizim, trajtohet që më 1973, në studimin “Periodizimi i letërsisë shqipe”, përfshirë në librin “Shkrimtarë dhe periudha” 1975 dhe rititulluar “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne”. Aty shfaqen karakteristikat e para të historianit të letërsisë shqipe. Më 1978, ndër të tjera, ai kërkon pavarësi ideologjike të revistave, si dhe hapjen e një shtëpie tjetër botuese në Prishtinë, e cila do të mënjanonte “një varg problemesh, që, objektivisht, i sjell ekzistimi vetëm i një shtëpie botuese të letërsisë në gjuhën shqipe”. “Historia e letërsisë shqipe - romantizmi 1-2 -3” është një vepër mjaft e rëndësishme në punën e tij të gjatë kërkimore. Ajo është njëkohësisht vepra më e plotë, më e argumentuar dhe më shteruese e studimeve shqiptare për këtë fushë.

Në vëllimin e parë (Vepra V), pasi përvijon strukturën hapësinore dhe kohore të romantizmit tonë, strukturën gjuhësore e figurative, mitet romantike, tipologjitë letrare dhe trajtat e ligjërimit romantik, Qosja, duke u mbështetur në vëzhgime krahasimtare, arrin në përfundimin se ka një kontekst horizontal dhe vertikal evropian të romantizmit shqiptar. Në vëllimin e dytë (Vepra VI), analizohet konkretisht jeta dhe vepra e autorëve romantikë të etapës së parë që janë: Naum Veqilharxhi, Jeronim de Rada, Anton Santori, Thimi Mitko, Jani Vreto, Pashko Vasa, Gavril Dara i Riu dhe Kostandin Kristoforidhi. Në vëllimin e tretë (Vepra VII) analizohen autorë dhe vepra të etapës së dytë që janë: Zef Serembe, Naim Frashëri, Ndue Bytyçi, Sami Frashëri, Filip Shiroka, Zef Skiroi, Ndre Mjeda. Radha në libër është detyrimisht kronologjike dhe kjo të krijon një ide të qartë për historicitetin e lëvizjes dhe ideve romantike në letërsinë shqipe.

Kështu, për çdo autor kemi një vepër të vogël brenda një vepre të madhe. Veç kësaj, çdo autor ka një biobibliografi të konkretizuar me: kronologjia e jetës, kronologjia e veprave, dorëshkrime, kronologjia e leximit. Për Naimin jepet edhe kronologjia e veprave në gjuhën turke, persiane dhe greke. Për Samiun jepet edhe kronologjia e veprave në gjuhën turke, arabe, dorëshkrime në gjuhën shqipe e turke, si dhe përkthimet në gjuhën turke. Çdo vëllim është i pajisur me një aparat shkencor të hollësishëm siç janë: treguesi i emrave, treguesi i nocioneve dhe i termave themelore, literatura kryesore etj., por gjëja më e veçantë është vendosja e tyre në kontekstin historik kombëtar dhe botëror. Qosja i kthehet figurës së Naimit sërish me një vepër të veçantë, të titullar “Porosia e madhe”, botuar më 1986, e cila mbetet deri tani një nga tekstet më të plota për figurën e Naim Frashërit.

Naim Frashëri është bërë mësues i popullit shqiptar, kurse vepra e tij pjesë e pandarë e vetëqenies së tij shpirtërore dhe morale, sepse në një kohë, vendimtare për shumë kohë të pastajme, ia ka ndriçuar rrugën me porosinë më të mençur, në të vërtetë me porosinë e madhe të veprës së tij të gjithanshme”. “Tri mënyra të shkrimit shqip” është titulli i një libri manifest, të përgatitur për botim më 1979. Aty flitet për shkrimin ideologjik, shkrimin folklorik dhe shkrimin postmodern në letërsinë shqipe. Ky libër është shumë i rëndësishëm për të kuptuar gjenezën dhe vazhdimësinë e frymës kritike në veprën e tij. Libri është i pari në llojin e vet në krejt letërsinë shqipe. Ai përbën një kërkim serioz për ta “diagnostikuar” ligjërimin tonë letrar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama