Nje historian si nje epoke Peter Bartl

Një historian si një epokë: Peter Bartl

Ka dalë këto kohë në Wiesbaden të Gjermanisë, në serinë Albanische Forschungen – Studime albanologjike – libri i Peter Bartlit „Albania sacra. Relacione klerikësh nga Shqipëria. 1: Dioqeza e Lezhës“. Duke të kujtuar qysh në titull serinë e famshme të Daniel Farlatit „Illyricum sacrum“, profesor Bartli na njofton se është ky vëllimi i parë i një serie prej pesë blenjsh me dokumente mbi gjendjen e kishës katolike në Shqipëri të veriut gjatë periudhës së pushtimit turk. Pas kësaj pasqyre të dioqezës së Lezhës, do të vijojnë përmbledhjet mbi dioqezat e Shkodrës, Pultit, Sapë-Sardës dhe Durrësit.

Një sipërmarrje madhështore, po të mendosh se kisha katolike është e vetmja, nëpërmjet arkivave të Vatikanit, ajo që ka dokumentuar vijueshëm gjendjen materiale-shpirtërore të klerit në vendin tonë, tërthorazi edhe të një treve të tërë mjaft të rëndësishme të Shqipërisë në shekujt e paspushtimit turk e deri në ditët tona.

Po kush është profesor Peter Bartl? Ka lindur më 1938 në Cottbus, pas studimit të historisë së Europës Lindore, sllavistikës dhe turkologjisë, ka botuar një sërë studimesh historike rreth Europës juglindore e më ngushtë Shqipërisë. Prej vitit 1980 e deri më 2004 ishte profesor për historinë e Europës Juglindore e Lindore në universitetin e Mynihut. Këtu drejtoi edhe Institutin e Shqipërisë, qendër studimore me bibliotekë të pasur që i kushtohej tërësisht vendit tonë.

Duhet të tregojmë më parë diçka për zhvillimin e albanologjisë në Mynih pas Luftës së Dytë Botërore. Gjendja e re politike pas kësaj lufte, ndërprerja e marrëdhënieve tradicionale gjermano-sllave, bëri që Mynihu të merrte rol udhëheqës në studimet për Europën Lindore dhe Juglindore. Natyrisht kjo u shoqërua me një numër investimesh, edhe të amerikanëve, në të njëjtën kohë që fuqizoheshin dy stacionet radiofonike „Radio Free Europe“ dhe „Radio Liberty“. U krijuan këtu qendra për studime bizantologjike, turkologjike, po kështu më 1953 Shoqata e Europës juglindore. Interesimin për historinë, gjuhën e kulturën e Shqipërisë e rritën në mënyrë të veçantë historianët Georg Stadtmüller dhe Franz Babinger, bashkë me filologun Alois Schmaus. Schmaus ishte profesori etnolog që nxiti krijimin e një katedre më vete për albanologjinë dhe tërhoqi këtu si profesor të parë Martin Camajn, i cili deri më 1970 kishte jetuar e vepruar më shumë në Romë. Stadtmülleri që kishte themeluar edhe Institutin e Shqipërisë (për fat të keq ky dijetar është lënë deri më sot në hije në Shqipëri, për shkak të pikëpamjeve të tij mbi historinë e hershme të shqiptarëve), gjeti te Peter Bartli një nxënës erudit dhe pasardhës të denjë, i cili, si askush tjetër, do të linte vulën e vet në studimet historike-albanologjike të Mynihut, për tre dhjetëvjeçarë të tërë, vëren profesor Edgar Hoesch në botimin jubilar të 65-vjetorit të prof. Bartlit. Udhëtime e hulumtime të shumta, sidomos në arkiva italiane, i dhanë brumin për një numër studimesh, kryesisht për shekujt 16-20, si ato për lëvizjen kombëtare shqiptare: „Muslimanët shqiptarë në kohën e lëvizjes për pavarësi“, 1968, „Ballkani perëndimor midis Monarkisë spanjolle dhe Perandorisë osmane“, 1974, ose për një libër popullarizues për historinë e Shqipërisë: „Shqipëria. Nga mesjeta në ditët tona“, 1995.

Së bashku me Martin Camajn, Gerhard Grimmin etj. Peter Bartli është një ndër mentorët e serisë Albanische Forschungen, pa dyshim më e mira seri albanologjike deri në ditët tona. Kujtojmë që këtu janë botuar, ndër të tjera, monografitë për Hahnin (1964) e Ippenin (1967), „Fjalëformimi i shqipes“ i Camajt, dy vëllimet për ndikimin e turqishtes në shqipe të N. Boretzkyt, triologjia e A. Pipës për vargëzimin popullor shqiptar, De Radën dhe perspektivat sociale të letërsisë shqipe etj.

Mjerisht me daljen në pension të profesorit më 2004 edhe Instituti i Shqipërisë i mbylli dyert në Mynih. Strukturat universitare nuk u treguan të gatshme ta ruanin në ambientet e Institutit të Historisë Mesjetare bibliotekën e pasur, që u detyrua të ndahet nëpër kartona e të flejë në bodrume. Por ish-nxënësi kryesor i Bartlit në studimet albanologjike, më i rëndësishmi historian i ditëve tona në këtë fushë, Oliver Jens Schmitt, aktualisht profesor në Institutin e Europës Lindore në Vjenë, u kujdes që kjo Bibliotekë të transferohej aty: duket se bashkë me të zhvendoset atje edhe pesha që pati dikur Mynihu në studimet albanologjike, së paku për sa i takon historisë.

Pavarësisht nga këto ulje-ngritje që nganjëherë janë të pashmangshme, sidomos kur bien pre e politikës, profesor Bartli vazhdon i patërhequr dhe me të njëjtat energji veprën e jetës së vet. Dëshmia më e mirë është botimi i fundit.

Nga 470 faqe të veprës dokumentat origjinale përbëjnë rreth 370 faqe. Pjesa e parë, studimi, zë rreth 70 faqe. Me shumë vlerë janë edhe ato pjesë që përbëjnë aparatin shkencor të veprës, sikurse konkordancat toponimike, një listë për monedhat, masat dhe peshat e kohës, apoindeksi në fund të librit.

Studimi origjinal ka vlera të shënuara. Ai arrin, me stilin karateristik të Bartlit, frazat e shkurtra e tërësisht konkrete, atipike gjermane do t’i quaja, të japë tablonë e kohës në vijat më të rëndësishme por edhe me detaje të shumta, tronditëse shpesh për vështrimin tonë sot, si ato që po japim në përkthimin e mëposhtëm.

Nënndarjet më të rëndësishme të këtij studimi kanë të bëjnë me Historinë dhe shtrirjen e dioqezës së Lezhës, me famullitë, shkollat dhe selitë ipeshkvnore, me ndërtesat kishtare, me klerikët dhe urdhrat fetarë si atë françeskan, me islamizimin dhe kriptokrishtërimin, në mënyrë të veçantë me popullsinë, organizimin dhe zakonet e saj, siç na përçohen këto të gjitha nga relacionet kishtare.

Dokumentet e botuara në këtë vëllim janë nxjerrë nga pesë seri: Scritture orginali riferite nelle Congregazioni Generali, Scritture riferite nei Congressi, Visite e Collegi, Nuova Serie, Rubrica 109 si dhe nga fondi Missioni të Archivio Segreto Vaticano. Këto seri gjenden në Arkivin historik të Propaganda Fide në Romë dhe janë shfrytëzuar fare pak deri më sot. Sikurse dihet, Kongregacioni i Shenjtë i Propaganda Fide-s (sot me emrin per l’Evangelizzazione dei Popoli) u krijua në vitin 1622. Ai kishte për detyrë të kujdesej për të krishterët katolikë që jetonin në „vendet e të pafeve“, ku hynin edhe katolikët shqiptarë të Perandorisë osmane. Nga ipeshkvët shqiptarë kongregacioni kërkonte relacione të rregullta për gjendjen në ipeshkvitë e tyre. Këto relacione, ku të hollësishme e ku të përcipta, ku të shkruara nga klerikë të huaj e ku nga klerikë vendas, shumë shpesh të ngarkuara me frymë subjektive ipeshkvësh në rivalitet me njëri-tjetrin, me ipeshkvi në rrudhje ose në shtrirje, kalojnë nëpër filtrin e hollë, të mençur e kombinues të historianit, për të ardhur te tabloja që përmendëm më lart.

Një vepër që do të meritonte pa vonesë një botim shqip; një seri që i ka të gjitha mundësitë të realizohet në pesë përbërëset e saj, duke na plotësuar një kapitull të madh të historisë së Shqipërisë të veriut. Natyrisht për këtë opus na duhet t’i urojmë profesor Bartlit: jetë të gjatë dhe përherë energjitë e deritashme.

Nga kapitulli 12: Popullsia dhe zakonet e saj në pasqyrën e relacioneve kishtare

Popullsia e dioqezës vlerësohet në mënyra të ndryshme nga relatuesit. Në këtë mes luan rol të rëndësishëm fakti nëse këta janë shqiptarë ose jo. Në një mendje janë të gjithë me dallimin midis banorëve të malësive dhe atyre të ultësirës. Të parët përshkruhen si të egër dhe primitivë. U përulen më shumë armëve sesa besimit. Ipeshkvi Giorgio Vladagni shkruante më 1687 se ata nuk e ndjenin shumë sundimin turk, ndryshe nga banorët e ultësirës, që ishin vërtet më të përshpirtshëm, por njëkohësisht raja të turqve. Shumë i hollësishëm dhe mjaft kritik është mbi zakonet e malësorëve ipeshkvi Giovanni Topich, një franceskan dalmat. Shkruan se janë tepër të egër. Hakmarrja, përçmimi i vdekjes dhe nënçmimi i jetës njerëzore janë për ta gjëra të vetëkuptueshme. Për kryq e rruzare kanë pushkën, kordhën dhe pisqollën. Po kështu priren shumë nga dembelizmi, shkruan Topich-i: janë përtacë sa s’bëhet dhe pasi punojnë fare pak orë, ndalojnë krejt papritur dhe kapin rakinë ose çibukun. Nuk u jepet fare për zanate. Megjithatë po ky relatues u njeh dhe cilësi pozitive si lidhjen e ngushtë me kishën dhe respektin për ipeshkvin.

... Njëzëri dënohet në relacionet një profesion që ushtronin shumica e malësorëve: grabitja. Qysh në relacionin e parë të vitit 1629 flitet për sulme të mirditorëve, që kishin rrënuar 11 famulli në fushë. Faktin që konflikti midis banorëve të fushës dhe të malësisë ishte një gjendje e vijueshme e konfirmon edhe ipeshkvi Giorgio Vladagni më 1663. Kishin nam të keq sidomos mirditorët. Sipas Zmajeviçit ata grabitnin edhe pa qenë nevoja. Duket se nuk e kishin vetëdijen e padrejtësisë, pasi të grabisje do të thoshte për ta të bëje plaçkë dhe plaçka në luftë kundër armiqve fqinjë ishte një gjë e drejtë. Abati i Mirditës Pal Doda pohon madje se mirditorët merrnin pjesë edhe në tregtinë e skllaveve femra. Por herë pas here këto shpedita grabitëse edhe ndëshkoheshin nga turqit. Kështu më 1666 banorët e Fanit dhe mirditorët për shkak të grabitjeve u zhvendosën me dhunë nga sanxhakbeu Vërlaci, por pas dy vjetësh ata u kthyen në banesat e tyre të vjetra.

Kundër grabitjeve, që bënin pjesë në jetën e fisit, kleri nuk mund të bënte shumë, po kështu edhe në luftën kundër gjakmarrjes...

Ndërkohë klerikët mundoheshin të luftonin të këqija të tjera. Në relacione zënë një vend të gjerë keqpërdorimet (abusi). Kanë të bëjnë këto sidomos me shkelje të së drejtës kishtare të martesës, e cila e kishte burimin në pozicionin e ulët që zinte në shoqëri gruaja shqiptare. Sipas konsullit frëng Wiet burrat i trajtonin gratë si skllave. Relatuesit kritikojnë sidomos „martesën shqiptare“ (matrimonio albanese), të cilën ipeshkvi Nicolo Malci e përshkruan kështu: Lidhja është e planifikuar nga prindët, personat përkatës nuk pyeten. Pas kësaj familja e dhëndrit i dërgon nuses një unazë me një dhuratë të vogël në të holla. Në qoftë se ajo ose prindët e saj e pranonin dhuratën, fejesa quhej e lidhur. Në qoftë se pas kësaj nusja ishte në moshë martese dhe i përshtatej dhëndrit, ky e merrte në shtëpi të vet dhe fillonte jetën martesore pa pritur bekimin e kishës. Vetëm pas disa muajsh, në disa raste pas disa vitesh, bëhej martesa kishtare.

Disa nga relatuesit përpiqeshin të kuptonin arsyet për këtë mënyrë të sjelluri. Burrat atëherë u përgjigjeshin se donin të njihnin më së pari nga afër nusen, të cilën nuk e kishin zgjedhur vetë. Të tjerë donin të mësonin nëse nusja ishte në gjendje ta mbante shtëpinë. Në rast se jo, ajo dëbohej dhe merrej një nuse tjetër. Dhëndri mund ta kthente kurdoherë nusen te familja e saj, kurse nusja nuk mund ta prishte fejesën pa rënë në gjak familja e saj. E vetmja mënyrë për t’i shpëtuar një martese të padëshiruar ishte që ajo të betohej se do të mbetej për gjithë jetën virgjineshë (pas betimit ajo merrte rolin e një burri, ndaj në literaturë quhet edhe grua-burrë). Në këtë rast fejesa mund të prishej, pa rënë në gjak familja e nuses. Si bashkëshorte, në qoftë se i shoqi ose familja e tij e trajtonin keq, ajo kishte vetëm një mundësi shpëtimi: të merrte arratinë në një katund që ishte në hasmëri me katundin e burrit. Kjo mundësi arratisjeje jepet si një tjetër shkak për shtyrjen e martesës kishtare. Ikja e grave të martuara nga burrat e tyre duhet të ketë qenë dukuri mjaft e përhapur, përderisa thuajse të gjithë relatuesit shkruajnë për të.

Ardian Klosi : Gazeta Shekulli

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama