Nje flamur kombetar qe vjen nga legjenda 100 vjecare

Nje flamur kombetar qe vjen nga legjenda 100 vjecare
Kombi krijon idhuj dhe më pas i adhuron ato. Një prej më të spikaturve është Flamuri Kombëtar, trashëgimia e të cilit na vjen nga Dera e Kastriotëve. Thuajse i mbuluar nga tisi i legjendës, ai filloi të shfaqej gjithnjë e më dendur, nga fillimi i viteve ’900, e me shpalljen e pavarsisë, u shndrrua në idhull. Ka qenë i kufizuar vazhdimisht numri i njerëzve që njihnin formën grafike të flamurit që u valëvit më 28 Nëntor 1912. Ata ishin kryesisht historianë e studiues.

Na lipsej liria dhe pasioni, për ta nxjerrë në pah

Dy breza shqiptarësh njihnin përpos se flamurin që stilizoi dhe skematizoi piktori Sadik Kaceli, në vigjilje të Asamblesë Kombëtare të 11 Janarit 1946, ditë kur Shqipëria u shpall Republikë Popullore. Për një kohë të gjatë, qytetarë e institucione ishin të shtrënguar të mësonin e mbanin mend citate e dogma nga shkrime ose thënje të ngurtësuara në kohë, të Enver Hoxhës, Marksit, madje dhe Mao Ce Dunit, por që të mësonin llojin e grafikës të flamurit që u ngrit në shpalljen e Pavarsisë shqiptare, ose të dinin se pse nuk është i pranishëm në arshivë dokumenti i firmosur nga delegatët pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar në Vlorë, nuk ndjehej përfillja e as nevoja?

Tani që koha e kufizimeve ka perënduar, e ndërsa çdo kush është i lirë të studiojë gjithçka, vazhda e të rejave që sillen, synon të ngushtojë përherë e më tepër kufizimin në dije rreth çështjeve që u cilësuan më lart. Ky prag 100-vjetori, përpos marrëzive për ”zbulime epokale” e  përçartjeve se pavarsia e Shqipërisë është shpallur në Durrës, thënje që përbëjnë herezi dhe atentate ndaj historisë, të mjafta për të çoroditur këdo, gjithësesi, ka sjellë, krahas studimeve të thelluara, edhe gjurmë materiale të ditëve kur shpallej Pavarsia, siç është një Flamur Kombëtar. Ky simbol, mbi të cilin ranë theror ajka e atdhetarizmit, mijra shqiptarë të Çamërisë, të Kosovës, të Plavës e të Labërisë, të Pollogut, Dibrës e Korçës, ngritja e tij, valëvitja e të cilit u dha emrin Valon, qindra djemve shqiptarë të Kosovës, është, përmes këtij shkrimi, shtjellë e një objekti konkret.

Një flamur pak i njohur, por me vlera të mëdha

Bëhet fjalë për një flamur të vitit 1912. Mbajtësi i saj, Koleksionisti korçar, avokat Vladimir Molla, shpreh bindjen se flamuri i përket ditëve kur Shqipëria shpallte mëvetësinë. I nxitur për ta studiuar e vlerësuar, kërkova dhe mësova rreth kësaj relikeje, se flamuri që paraqitet i ilustruar, është i kohës dhe ditëve të pavarësisë, ose fill pas saj. Zotëruesi i relikes e mbështet qëndrimin në këto argumente:

Flamuri Kombëtar që po përshkruajmë, hyn në trashëgiminë e koleksionistit, ngase është ruajtur një kohë të gjatë nga Qiriako Progri dhe më pas, nga djali i tij, Andon Progri. Besohet se ky flamur vjen nga ditët e shpalljes së Pavarsisë. Fill mbas aktit madhor në Vlorë, u organizua edhe në Qarkun e Korçës administrata shqiptare. Është e vërtetë se mbas 22 ditësh që u shpall Pavarësia, dmth, më 20 dhjetor 1912, hynë në qytet trupat greke, por sipas dëshmive të dhëna prej Petro Harizit, në “Histori kronografike e Korçës”, administrata, brënda së cilës  hynte dhe shërbimi postar, nuk u prek (të paktën për periudhën e parë).

Ndonëse nuk ka dëshmi të shkruar, gojë pas goje, nga familja Progri ka mbrritur e dhëna se flamuri në ilustrim ka qenë gjatë këtyre ditëve të fundit të vitit 1912 i ngrehur pikërisht në karrocën e postës. I vendosur në lartësi të dukshme, valëvitej gjatë udhëtimit që karroca e postës kryente brënda qarkut, domethënë Korçë-Ersekë-Pogradec dhe Bilisht.

Koleksionisti mbajtës, është i shtyrë të besojë se flamuri ka ardhur nga Vlora në Korçë, që në ditët e para të Pavarësisë. Kështu është trashëguar, brez pas brezi, e thëna. Posta, që në fillim është kontrolluar nga trupat vullnetare ushtarake shqiptare të shtetit të Pavarur, gëlonte nga nacionalistët. Turkoshakët e simbolet e tyre, ishin hequr nga Posta. Më vonë, ky flamur, që mund të jetë mbajtur i fshehur pak kohë, është rivënë përsëri në përdorim, mbas largimit të grekëve nga Korça, madje edhe në periudhën e pushtimit francez.

Fjalët, dinjitet e përkushtim atdhetar, janë nderi i ruajtësve.

Ata që e përdorën dhe e ruajtën flamurin janë at e bir, Qiriako dhe Andon Progri, për të cilët dimë se të dy kanë qenë të përfshirë me armë në dorë në lëvizjen kombëtare shqiptare. Kur koha e shpuri Qirjakon në emigracion, ai u bë anëtar i kolonisë shqiptare të Sofjes, nga ku ndërmoriveprime të shumta për të përhapur shkrimin e mësimin e gjuhës shqipe. Janë ende disa dëshmi të shkruara, përveç atyre që jane botuar në organe të ndryshme të kohës, si psh “Kalendari Kombiar” i Sofjes etj., që flasin për veprimtarinë e tyre atdhetare, si familje.

Te dy, at e bir, kanë qenë të organizuar në nismat e para për krijimin e organeve të mbrojtjes me armë, të drejtuara nga atdhetari i madh, Themistokli Germenji. Një dëshmi e rendësishme sillet nga Gazeta “Koha”, që botohej nga Mihal Grameno, e ditës së shtunë, të datës 29 vjesht’ e parë e vitit 1912, nr.25-45, faqe 4, nën titullin ”Lajme të vendit”, është bërë njoftimi: “Vetdashes (vullnetarë) u shkruan e muarr armët fort shumë si muhamedanë, kështu dhe të krishterë. Midis tyre ndodhet edhe direktori t’ënë, Z. M. Grameno, Goni Katundi, Angjeli P. Mborja, Petro Grameno, Lazo Progri, Qiriako (Qiro) Progri, Miçe Kerenxhi etj.

Sipas gazetës “Koha” të datës 18 mars 1914 (nr.2-48), krahas lajmit për delegacionin që do priste mbritjen e princ Vidit në Korçë, lajmit se qyteti ishte lidhur me telegraf me gjithë Shqipërinë dhe se Posta e Korçës kishte nxjerrë pullat postare  të vlerës 10 e 25 para, ”…me në mes të tyre, zhgabën me dy krerë”, në faqen 4 të saj, botohej lajmi se janë organizuar e kanë filluar punën komisionet përkatëse, duke filluar me financën, punërat civile, të policisë, e mbas kësaj (e para doganës dhe shëndetit publik), përmëndet Komisioni i Kontrollit të Postës, me përbërje z. Kasem Bej e Andon Progri. Të paktën, nga kjo ditë, flamuri i ilustruar ka qëndruar në këto duar e në shtëpinë e anëtarit të këtij komisioni, Andon Progrit, së bashku me shtizën origjinale.

Nga sa shihet, flamuri ka grafikën e versionit të Spiridon Ilos, flamur që zuri vend si ilustrim edhe në faqen e parë të gazetës zyrtare të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, ”Përlindje e Shqipnies”. Gjendja e tij fizike na bind se është më i mirëruajturi, në simotrat grafike të saj.

Koleksionistët të impresionojnë me përkushtimin

Sjellja e provave dhe gjurmëve të kohës mbart vlera të pallogaritshme, sepse në vite të gjata e të trazuara lufte, në kushtet e luhatjeve dhe pasigurisë, në situata anarkie, të mungesës së shtetit e të institucioneve që ka përshkuar jo pak herë vëndin tonë, kanë patur si rrjedhojë paksimin në minimum të vlerave materiale-identifikuese të trashëguara. Kështu, nga periudha e Skënderbeut, e vetmja gjurmë e prekshme brenda tërsisë toksore shqiptare, gjëndet përpos se shqiponja e Derës së Kastriotve në afreskun e murit gjysëm rrethor të absidës, të kripës së kishës të Shna Ndout në Rodon.

Në qendër të absidës, pjesa e poshtme, qëndron si figurë shqiponja dy krerëshe e derës së kastriotve. Edhe kjo, për rastësinë tonë fatlume, sepse për shekuj të tërë, ka qenë e ”fshehur” poshtë shtresave gëlqerore e lëndëve të tjera, petët e të cilave, pasi u kruajtën e ranë në proçesin e restaurimit në vitin 2000, u afruan historianve befasinë e një gjurme historike madhore, shqiponjën me dy krerë të kastriotëve. Pjesërisht të dëmtuar, brezi ynë ka gjetur edhe lëndën materiale nga fushat ndihmëse të historisë, si Heraldika dhe pothuaj tërsisht lëndën nga Veksillologjia (koleksionimi, ruajtja dhe studimi i flamujve) Një mori gjetjesh arkeologjike në shekujt XIX E XX, me gjurmë të rendësishme nga historia e popullit, ose kanë përfunduar në muzeumet e të tjerve, ose janë vjedhur dhe zhdukur pa gjurmë, siç ndodhi me tre stemat mesjetare që ushtria serbe shkuli në 1912-tën, në Luftën e I-rë Ballkanike, nga kështjella e Lezhës, e pas rrëmbimit prej Durrësit, gjurma e tyre humbi. Nga pakujdesia, në gjendje të mjerueshme MARRIM VESH janë edhe katër stemat heraldike me shqiponjë të Himarës.

Nga njoftimet që dalin tani së fundi prej Institutit të Kulturës Popullore, mësojmë se 16 flamuj të vetëm me vlera historike, janë thellësisht të dëmtuar e në proçes restaurimi, ngaqë ka munguar kujdesi dhe kushtet për mirëmbajtjen e tyre. Si rrjedhim, nuk mund të jetë habi për të kuptuar se edhe ato pak gjëra që kanë shpëtuar, vijnë falë instiktit elementar të mbrojtjes e ruajtjes nga populli, siç është shembulli i mbajtjes me përkushtim të këtij flamuri që vrehet te individë si Andon Progri e Vladimir Molla. Me shprehjen e vullnetit të tyre, këta koleksionistë i sjellin shoqërisë shqiptare copëza interesante e krenare të historisë. Dobia që shoqëria jonë nxjerrë prej tyre është e mbetet, parasëgjithash, një vlerë e madhe historiko-kulturore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama