Nisin punimet hiqet shatervani per krijimin e nje pasqyre ujore

Nisin punimet, hiqet shatervani per krijimin e nje pasqyre ujore

Siç edhe u premtua, deri më 21 shtator, datë kur Shqipërinë do e nderojë me vizitën e tij Papa Françesku, sheshi “Nënë Tereza” do t’i nënshtrohet një restaurimi tërësor. Bashkia e Tiranës ka nisur dje punimet, ndërsa pritet që sheshi të shfaqet me një pamje plotësisht të re, disa ditë përpara vizitës së madhe. Duke iu referuar vendimit të Këshillit Kombëtar të Restaurimit, transformimi i sheshit do të ndodhë në një kohë rekord, ndërsa parashikon jo vetëm restaurime, por edhe ndërhyrje rrënjësore, siç është shatërvani i pozicionuar prej vitesh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili do të hiqet. Shkak për heqjen e tij, sipas vendimit të këtij këshilli, është krijimi i një hapësire më të madhe boshe, pasi pikërisht në këtë shesh do të mbahet mesha solemne e Papës. Shpeshherë është folur për heqjen e shatërvanit, rasti më i fundit ishte ai i vitit 2010, kur kryetari i Bashkisë së Tiranës në atë kohë, Edi Rama, premtoi se sheshi “Nënë Tereza” do të rivitalizohej, ndërsa kompania belge e shpallur fituese, për realizimin e kësaj ndërhyrjeje, parashikonte heqjen e shatërvanit, për ta zëvendësuar me instalimin e rezervuarëve me ujë teknologjik, që do të ndërtoheshin në një thellësi prej 9 metrash nga niveli i sheshit.

 

Por, projekti nuk gjeti zbatim, ndërsa sot, 4 vjet më vonë, jetës së shatërvanit të shumëpërfolur i erdhi fundi.Kështu, shatërvani do të hiqet, duke i hapur rrugë ndërtimit të shatërvanëve të vegjël pa basene, që do të krijojnë pamjen e një pasqyrë ujore. Por heqja e kësaj relike të së shkuarës, që prej kohësh është jashtë funksionit, do të shoqërohet edhe me restaurimin dhe pastrimin e fasadave të ndërtesave përreth, si godina e Korpusit të Universitetit, i projektuar nga arkitekti italian në vitin 1939 si “Pallati i Fashos”, ajo e Universitetit të Arteve, kolonat përballë saj, që lidhin Rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe Muzeut Arkeologjik. Gjithashtu do të rikonstruktohen edhe shkallaret e Korpusit dhe ato në krahë të Arteve dhe Rektoratit, mermeri i të cilave është thyer gjatë viteve apo është mbuluar nga barërat. Mësohet se do të jenë specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës që do të kujdesen për zbatimin e projektit fitues. Pjesë e këtij kompleksi është edhe një shtatore e Nënë Terezës, e “strukur” në një kënd, përpara Korpusit, ndërsa pritet të mësohet nëse do të ketë një nismë edhe për zhvendosjen e kësaj shtatoreje, vepër e skulptorit Thoma Thomai. Ndryshimet që priten të transformojnë sheshin “Nënë Tereza”, parashikohen në projektvendimin për rikualifikimin e këtij sheshi, të miratuar në mbledhjen e disa javëve më parë të Këshillit Bashkiak.

 

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi fondin prej 3.3 milionë dollarësh për ndërhyrje emergjente në sheshin “Nënë Tereza”. “Ky investim po realizohet në kushtet e një nevoje ekstreme, si rezultat i rëndësisë së këtij evenimenti, ndikimit social dhe kulturor që ka kjo vizitë për komunitetin e qytetit të Tiranës dhe më gjerë, si dhe afatit të vënë në dispozicion deri në vizitën e Papa Françeskut”, thuhet në vendimin e Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, edhe qeveria në mbledhjen e saj, rreth dy javë më parë, akordoi një fond prej 200 milionë lekësh për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen në kuadër të organizimit të punëve për vizitën historike të Atit të Shenjtë. Para këto të shpërndara në Ministrinë e Kulturës për shpenzimet e realizimit të dekorit, brandimit dhe aspekteve organizative për realizimin e ceremonialit të vizitës dhe Ministrisë së Transportit, për rikonstruksionin e rrugës pranë shoqatës “Petania”, në Bubq, që do të vizitohet nga Papa Françesku.Rreth 56 milionë lekë do të akordohen për pastrimin e fasadave të godinave rreth sheshit “Nënë Tereza” dhe rreth 45 milionë lekë për prishjen dhe transportin e mbetjeve të ndërtimit. “Janë akorduar për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen për rikonstruksionin e Muzeut Historik, rreth 33 milionë lekë, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për punime rehabilituese, që do të kryhen në Pallatin e Kongreseve, po në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes në Shqipëri të Papa Françeskut.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama