Me motivacionin e ruajtjes së kulturës dhe të traditës, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekoruar sot grupin folklorik të Mirditës me titullin “Mjeshtri i madh”. Dekorimi është bërë me motivacionin e ruajtjes e përçimit të kulturës. Ceremonia e dekorimit është bërë në presidencë ku në fund grupi performoi edhe disa këngë tradicionale.
Nishani tha se, ky grup ka mbajtur lart e ka përçuar gjithandej një vlerë të madhe e historike për vendin tonë duke marrë edhe dhjetëra çmime në çdo festival ku kanë qenë pjesëmarrës.
Gjatë ceremonisë së dekorimit, Nishani i dha titull nderi figurave më të njohura Mirditore, të cilat kanë bërë të mundur ruajtjen dhe përçimin e kësaj traditë edhe në brezat në vijim.
Ndërkohë drejtori i pallatit të kulturës së Mirditës Gjergj Marku u shpreh se ky ishte një nga vlerësimet më të mëdha që ky grup ka marrë ndër vite e premtoi se tradita do të vazhdojë të përcillet.
Në përfundim të ceremonisë grupi i Mirditës performoi disa këngë në sallën e madhe të presidencës dhe në prani të vetë presidentit Nishani.