Nishani nderon aktorin e humorit Muharrem Hoxha me titullin Mjeshter i Madh

muharrem hoxhaTIRANË, 6 Nëntor / ATSH-Klajdi Musabelliu / - "Rrema" siç njihet më së shumti aktori i njohur dhe mjaft i dashur i ekranit, teatrit, dhe estradës së Durrësit, Muharrem Hoxha, në një mbrëmje mjaft të veçantë në praninë e mjaft kolegëve, dhe personaliteteve të ekranit dhe jo vetëm, është nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin "Mjeshtër i Madh".

I emocionuar për vlerësimin aktori i famshëm durrsak me mjaft modesti dhe përulje ia dedikoi çmimin miqve dhe kolegëve të estradës durrsake, me të cilët arriti të dilte në pah si fillim, e më pas të shkëlqente për thuajse 30 vjet.

"Rrema" i famshëm ka lindur në Durrës në 18 janar të viti 1954.

Aktori i humorit ka punuar për një periudhë të gjatë (nga viti 1973 deri në 1986) në "Pallatin e Rinisë" në qytetin e Durrësit, ku ka bashkëpunuar me aktorët e famshëm të humorit si Fadil Hasa, Ramazan Njala, Enver Likmeta, Gani Kalaja, Roland Koçi, Sanie Hoti, Xhelal Tafai, Hysen Bashkhysa etj.

Muharrem Hoxha ka marrë pjesë gjithashtu edhe në Teatrin e Kukullave ku ka punuar për 14 vjet.

Në mbrëmjet e Vitit të Ri, në telekomeditë apo programet për fëmijë, ai nuk i ka munguar skenës dhe ekranit ku ka luajtur dhe intepretuar mjaft personazhe.

10Aktivitetet dhe bashkëpunimet e tij me aktorë dhe regjisorë të disa qyteteve të Shqipërisë kanë bërë që ai të jetë një ndër humoristët më të pëlqyer jo vetëm për qytetin e Durrësit, por dhe për qytete të tjera.

Në Shkodër ai ka bashkëpunuar me aktorë të tillë si Zyliha Milotin, Paulin Prekën, Zef Dedën, Gëzim Kruja, Drane Xhoi.

Gjithashtu ai ka luajtur dhe me aktorët e qytetit të Korçës si Zamira Kita, Aleko Prodani, Petrika Riza, Klaudeta Riza, Marko Bitraku, Albana Prodani etj.

Muharrem Hoxha ka luajtur në total rreth 70 role dhe ka bashkëpunuar edhe me aktorët e humorit të qytetit të Elbasanit si Ilmi Belshaku, Dimitraq Topuzi, Antoneta Doka.

Në vitin 2000 artisti është vlerësuar si "Njeriu i shekullit" dhe "Krenaria e qytetit" për Durrësin, ka fituar si "Aktori më i mirë" në festivalin e Dibrës së Madhe me trupën e Korçës me shfaqjen "Ju ftojmë në dasmën e babait".

Në vitin 2003 është nderuar me Urdhrin "Naim Frashri i Argjendë", ndërsa në vitin 2010 ka marrë " Naim Frashëri i Artë".

Në vitin 1983 në qytetin e Lushjes nderohet me çmimin "Laureat i festivalit", dhe po të njëjtin çmim e merr dhe në Fush-Arrëz, në vitin 1989.

Disa prej telekomedive ku Muharrem Hoxha ka marrë pjesë janë në tituj "Para nga qielli", "Tirana viti zero", "Borxhliu", "Dashuri në krisma", etj.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama