Nis prerja e pemeve te Diga e Liqenit Artificial

Nis prerja e pemeve te Diga e Liqenit Artificial

Në të vetmen hapësirë të gjelbër në Tiranë, te Diga e Liqenit Artificial po ndodh një masakër mjedisore.  Në zonën ku Bashkia e Tiranës ka dhënë leje për ndërtimin e pesë objekteve 17-katëshe, po priten pemët dhe po nisin punimet, megjithëse banorët, ALUIZNI, dhe ambientalistët janë shprehur kundër këtij projekti. Dikur aty ishte një hapësirë e mbushur me pisha dhe plepa. Ndërsa tani është mbushur plot me inerte, edhe me degë e trungje pemësh të prera dhe të shtrira në tokë rrëmujshëm. Krimi mjedisor në këtë park ka nisur qysh prej muajt gusht. Kur u mor leja në gusht të këtij viti, ndodhi rrethimi i zonës, edhe u vendos tabela që prezantonte projektin, por nuk u krye asnjë punim. Pas katër muajsh, në muajin nëntor, në një moment që kjo çështje doli jashtë fokusit të medies, nisën të priten edhe pemët e para në zonën ku do të ndërtohet objekti. Vetëm dy punëtorë me një motosharrë prenë më 8 nëntor 10 pemë të këtij parku.

Më shumë sesa këto pemë u prenë, mund të themi se u masakruan. Nga i njëjti trung njëra degë u pre, ndërsa tjetra u la në këmbë. Një muaj më vonë (dhjetor) këta punëtorë u kthyen në këtë park për të vazhduar punimet dhe për ta kthyer parkun në një shesh ndërtimi. Këtë herë ata nuk përdorën motosharrë, por mjete të rënda, me të cilat po bëjnë nivelimin e terrenit, edhe i thyen këto pemë. Ndërsa baraka që dikur shërbente si lavash është shembur duke lënë pas një grumbull me inerte. Për të kuptuar më qartë këtë situatë shihni fotot bashkangjitur shkrimit. Me ndërtimin e këtij kompleksi banimi, mbi 50 drurë parashikohen të priten duke shkaktuar kështu një cenim të kurorës së gjelbër të këtij parku. Aty ku do të ndërtohen objektet 17-katëshe është një grup pishash, disa prej të cilave janë prerë, ndërsa pjesa tjetër do të pritet nëse ky projekt do të vihet në zbatim. Rreshti i plepave që ishte anës rrugës “Sami Frashëri”, pothuajse është prerë i gjithi. Pamja e këtyre pemëve gjysmë të prera dhe të shtrira në tokë, si edhe ardhja e mjeteve të rënda në këtë hapësirë ka shqetësuar shumë banorët e zonës, të cilët shëtisin çdo ditë në këtë zonë.

Bashkia po luan me jetët e 1 milion banorëve

Ngritjen e këtij objekti banorët e zonës e shohin si një shëmtim të këtij parku, pasi ky shesh-ndërtimi është përballë liqenit dhe asaj shëtitoreje që ata e frekuentojnë çdo pasdite. Gjelbërimi, freskia dhe qetësia e këtij parku është një formë argëtimi anti-stres për këta banorë, të cilët tentojnë t’i shpëtojnë smogut të qytetit. Irfan Dauti është një pensionist, i cili del çdo ditë në shëtitoren “Lasgush Poradeci” për të shëtitur edhe për të marrë ajër të pastër. “Gjithë bota flet për shtimin e gjelbërimit ndërsa ne bëjmë të kundërtën. Tirana sa vjen e po betonizohet më tepër. Kjo situatë nuk shkon fare. Kohët e fundit Tirana është populluar shumë, prandaj ka nevojë për gjelbërim. E ka menduar ndonjëherë kryetari i Bashkisë se ku do të marrin frymë 1 milion banorët e saj?! Betonizimi i kësaj zone jo vetëm do ta shëmtojë këtë park, por do e bëjë zonë të pafrekuentueshme për ne që bëjmë një maratonë të shkurtër mes gjelbërimit”, u shpreh ai. Zonja Natasha Bardhi ishte duke ecur në zonën përreth Digës së Liqenit kur ne e ndalëm. Edhe ajo e quan skandaloze shkatërrimin dhe prerjen e këtyre pemëve. “Parqet duhet të mirëmbahen dhe të shtohen dhe jo të masakrohen në këtë ditë. Të dhemb shpirti kur i sheh ato pemë të shtrira në tokë. Ky është turpi më i madh i Bashkisë së Tiranës, që lejon masakra të tilla të ndodhin nën firmën e saj”, shprehet ajo.

Historiku i shkatërrimit

Për lejet e ndërtimit të dhëna në Parkun e Madh të Tiranës ka pasur shumë polemika në të dy anët e partive politike. Pikërisht për projektet e ndërtimit në këtë zonë, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të vitit 2011 kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, premtoi se në këtë zonë nuk do të jepte leje ndërtimi, por do të ngrinte një kompleks sportiv modern. Në vitin e fundit të mandatit si kryetar ai dha leje për ndërtimin e një kompleksi me pesë objekte 17-katëshe dhe 3 kate nën tokë. Bashkia e Tiranës e ka dhënë lejen për këto objekte më 1 gusht të këtij viti. Sipas një sqarimi të bërë nga Bashkia e Tiranës, projekti nuk do të prekë asnjë centimetër tokë publike, por do të zhvillohet vetëm brenda pronës private. Koeficienti i shfrytëzimit të pronës private për ndërtim në këtë zonë është vetëm 40 për qind, gjë që sipas Bashkisë, do të mundësojë kthimin në hapësirë publike për qytetarët, edhe të rreth 20 mijë metrave katrorë, të cilat do të jenë gjelbërim. Mirëpo qysh prej ditëve të para që ky projekt po vihet në zbatim, duke u prerë shumë pemë.       

Bashkia shkel interesin e banorëve dhe rregulloren e saj

Me dhënien e kësaj leje për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe në afërsi të Digës së Liqenit Artificial, Bashkia e Tiranës ka shkelur jo vetëm interesat e banorëve të shumtë të Tiranës, por edhe Rregulloren e Planit të Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë. Në këtë Rregullore thuhet se: “Parku i Madh i Tiranës është në pronësi të Bashkisë Tiranë, e cila zgjedh dhe formën e administrimit të tij”. Rregullorja e Planit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, në të cilën parashikohen rregullat e përdorimit edhe kushtet për zhvillim thotë se, në zonën e liqenit ku është dhënë leja për ndërtimin e 5 kullave, ndërtimi i banesave për banim është e lejuar deri në 7 kate. “Lartësia e propozuar e strukturave e shprehur në kate e propozuar është 7 kate. Aktualisht në nën/njësi mbizotërojnë zhvillime të strukturave të ulëta të veçuara, të cilat zënë 90 për qind të zhvillimeve në territorin e nën/njësisë”, thuhet në Rregulloren e Planit të Bashkisë së Tiranës.

Dëmi kryesor që shkakton ndërtimi në hapësira të gjelbra është ai ambiental. Ambientalisti Lavdosh Ferruni në një prononcim për “Shekulli”-n pak kohë më parë është shprehu se, Tirana është një qytet me shkallë shumë të lartë ndotje për shkak të dendësisë së madhe që ka. Me kalimin e viteve dendësia do të rritet dhe si rrjedhojë edhe ndotja. Duke marrë parasysh parametrat aktualë të ndotjes së ajrit në Tiranë, ky qytet konsiderohet në shkallë rrezikshmërie për jetën. “Në qoftë se kjo shkallë do të vazhdojë të rritet atëherë në vitet në vijim Tirana do të shndërrohet në një qytet të pabanueshëm”, ka thënë ambientalisti Ferruni. Zgjidhja për këtë situatë është që të ndalohet intensiteti i ndërtimit në mënyrë që të ruhet minimalisht ky raport (megjithëse i keq) i banorëve me shpërfaqjen e gjelbër. Në këtë qytet duhet të jetë evident strategjia zero ndërtime. Ndërsa ambientalisti Sazan Guri në një prononcim për gazetën “Shekulli” në muajin gusht është shprehur se, përveç dëmit në mjedis dhënia e kësaj leje ndërtimi në zonën në afërsi të Digës së Liqenit Artificial e bën atë të pasigurt. “Diga e Liqenit përbën një vepër urbane, e cila nuk duhet cenuar apo rrethuar me vepra shtesë urbane. Ne kemi një digë liqen-mbajtëse dhe jo ujëmbledhëse. Prandaj në këtë hapësirë në asnjë mënyrë nuk duhen ndërmarrë hapa për ndërtime urbane. Parë me syrin teknik kjo Digë nuk të lejon që në afërsi të saj të ngrihen vepra të rënda urbane, si për shembull pallate shumëkatësh. Me kalimin e viteve diga është amortizuar dhe nuk është në gjendje të durojë tronditjet e ndërtimeve që po bëhen në këtë zonë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama