Nis Festivali Folklorik ne Gjirokaster/ Rama Popujve qe u kendon zemra jane popuj te bukur

Nis Festivali Folklorik ne Gjirokaster/ Rama: Popujve qe u kendon zemra, jane popuj te bukur

Është çelur  mbrëmjen e sotme në Gjirokastër Festivali Folklorik, “Argjiro-fest-on”. I pranishëm në hapjen e tij ishte edhe kryeministri, Edi Rama, i cili vlerësoi trashgiminë në këngë të shqiptarëve.

“Kjo skenë, ky festival, me emrin e bukur “Argjiro Fest-on” është sot për ne një “trashëgimi” që shpaloset po mbi një “Trashëgimi”. Është festa jonë e bukur dhe e madhe e së bukurës mbarëshqiptare, me grupe që vijnë nga çdo trevë e hapësirë ku këndohet shqip, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, Mali i Zi e Maqedonia, por edhe arvanitas e arbëreshë, edhe shqiptarë të Turqisë e shqiptarë të Zvicrës, sepse e tillë është harta e madhe e shpirtit të këtij kombit të vogël që diti të jetojë me këngën dhe gjuhën e vet, përtej çdo hartografie historike e politike. “Kangë e gjeta e kangë e kndova” thotë vargu brilant i Kangëve të Kreshnikëve. Dhe kështu do të ndodhë vërtetë në këtë skenë e në këtë qytet, teksa artistët tanë më të mirë popullorë do të përcjellin përmes shpirtrave e trupave të tyre pikërisht atë çka kanë trashëguar më të mirë dhe më të qenësishme nga vija e dritës që i lidh me etërit e me etërit e etërve të etërve me radhë, lart në histori për t’ia përcjellë bijve e bijve të bijve më tutje në rrugën drejt të ardhmes. Dhe do të na befasojnë sot, siç i kanë befasuar dikur të parët e tyre udhëtarë, diplomatë e studiues të huaj që nuk reshtën së dëshmuari admirimin e thellë që ndjenjë për larminë dhe veçantinë mahnitëse të veshjeve popullore të shqiptarëve, që nga xhubleta ilirike te fustanella e bardhë (dikur) mbarëarbërore, që nga kostumi i qëndisur i Lunxhërisë te tirqet burrërore të Malësisë; për plastikën marramendëse e impulsive të valleve tona epike dhe elegancën, përkorjen e fisnikërinë e atyre lirike; për mjeshtërinë e lartë të lojës e dijes muzikore dhe harmoninë e rrallë mes zërave e timbrave”, tha Rama.

Rama më tej tha se “larmia cilësisht e dallueshme e këtij folklori përbën një tipar të rrallë që vërteton jo vetëm rrethanat që e krijuan, por edhe një prirje të natyrshme në zemër të kolektives, për një respekt dhe kërkim të përhershëm e të brendashkruar vlerave tona më të mira, për të njohur e çmuar ndryshimin dhe të ndryshmen. Përvoja dhe cilësitë etike më të mira të shqiptarëve na kanë mësuar e garantuar në shekuj, kuptimin dhe pranimin e tjetrit si pjesë e domosdoshme e jetës. Ndaj vjen natyrshëm dhe harmonishëm në këtë festival folklorik, edhe ajo pjesë e jona që na është pasuruar prej vlerave të tjetrit, vijnë elemente të folklorit dropullit, maqedonas, arumun, goran, egjiptian dhe rom, me këngët, vallet, meloditë e kostumet e tyre, në Festivalin e tyre, me pasurinë e çmuar pa të cilën ne nuk jemi dhe nuk mund të ndjehemi të plotë. Teksa bartim me vete këtë trajtë të hijshme e të trashëguar diversiteti, ndjehemi po aq modernë sa çdo europian sot”.

Kryeministri vlerësoi traditën  shqiptare të trashëguar ndër shekuj dhe tha se shqiptarët janë një popull i bukur, si të gjithë popujve  që iu këndon zemra:

“Ky shkëmbim mes popujsh e bashkësish, kulturash e traditash është fytyra e vërtetë e Ballkanit. Askund më tepër se këtu, historia e përbashkët dhe bashkëjetesa e gjatë nuk kanë gdhendur tipare antropomorfike, psikologjike e komunikuesve të ngjashme. Kemi shkëmbyer mes dashurisë dhe urrejtjes, ashtu siç dimë vetëm ne, lëndë gjuhësore e kulturore, legjenda e balada, përfytyrime e mite, të cilat kanë rrugëtuar së bashku me popujt e Ballkanit për të mbërritur sot, përmes vitalitetit të skajshëm që na karakterizon, po së bashku, në një nga shprehjet më interesante të identitetit tonë ballkanik. Nga thellësia e së shkuarës sonë të lashtë, aty ku zu fill vetë emri Europë, visari i çmuar i folklorit mbarëballkanik na jep krenarinë të pohojmë “Po, unë jam ballkanas”, ashtu siç jam shqiptar, ashtu siç është një grek, një turk a malazez, ashtu siç jemi bashkërisht europianë e qytetarë të botës.

 Butrinti, Gjirokastra dhe Berati janë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s përmes historisë dhe arkitekturës së tyre unike, ndërsa iso-polifonia jonë e mrekullueshme është përzgjedhur njëzëri si një ndër 50 trajtat më tërheqëse jomateriale në trashëgiminë shpirtërore të popujve të botës. E kush nuk u mrekullua nga një polifoni labe apo gjirokastrite, kush nuk u drithërua nga “Janinës ç’i panë sytë” dhe nuk u magjeps nga harmonia tronditëse e këngës “Te Rrapi në Mashkullorë”?! Performanca e mistershme e grupeve tona polifonike është e denjë për çdo skenë botërore.

Sepse popujve që u këndon zemra janë popuj të bukur dhe ne shqiptarët jemi një popull i bukur, sepse na këndon zemra. Le të na këndojë pra zemra në ditët e netët e këtij Festivali dhe le t’u këndojë edhe më fort zemra, bijve e bijave të këtij populli që do të ngjiten në skenën e këtij Festivali, për t’i kënduar Shqipërisë që ishte, është dhe do të bëhet!”

Nga skena e Festivalit Folklorik në Gjirokastër , Rama kërkoi një minutë heshtje për viktimat në Kumanovë.

“Ju kërkoj ndjesë por e kam të pamundur ta çel këtë festë të kombit tonë, pa ju kërkuar te gjithëve të mbajmë një minutë heshtje për jetët e pafajshme të humbura në tragjedinë e Kumanovës”, tha Rama


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama