Ngjyrat e jetes terapia ime me e mire

'Ngjyrat e jetes, terapia ime me e mire'

Teksa kishte premtuar se do të ngjitej sërish në skenë, ajo u rikthye. Nuk donte që të zhgënjente publikun që për 40 vite radhazi e ka mbështetur në çdo rol të sajin. “Malli dhe dashuria për skenën më bëri të rikthehesha pas katër vjetësh ‘divorc të përkohshëm’ në skenën e Fierit. E pashë se kisha energji, prandaj besova te vetja”, thotë Hajrie Rondo gjatë një bisede për “Shekulli”-n. Ajo u rikthye me rolin e Jorgjisë, një karakter që qëndronte aq bukur brenda lëkurës së saj, te “Seks vetëm për festa” me regji të Leka Bungos, shfaqje e Teatrit “Bylis” të Fierit. Për tri net radhazi u duartrokit në TKE “Kujtim Spahivogli” nga publiku kryeqytetas pas një mungese të gjatë, për shkak të sëmundjes që ka kaluar vitet e fundit. Ajo numëron mbi 120 role në teatër dhe mbi 40 në kinematografi.

Roli më i spikatur për të mbetet ai i Tanës, mamasë së Gjinos, në filmin “Përrallë nga e kaluara” (1987). Ndonëse është film i realizuar para viteve ’90, personazhet e tij kanë mbetur të gdhendur në kujtesën e çdo spektatori. “Tanën e kisha ëndërr. Zoti ma solli si dhuratë”, thotë Rondo teksa na tregon se ky rol, sikurse dhe shumë të tjerë janë punuar me dashuri prej saj. “Atëherë brezi ishte idealist. E kishte mbyllur mendjen për anën materiale dhe punonte për pasion. Ne kemi punuar në kushte mjaft të vështira.

Në prag të vitit 1990 nuk gjeje dot një copë bukë për të ngrënë, por sërish ne vazhdonim të xhironim filma”, rrëfen plot nostalgji ajo për punën që ka bërë përgjatë atyre viteve, pa dashur të mohojë se dhe sot ka shumë profesionistë, por ende nuk po e tregojnë veten në skenë. Ajo sugjeron për ta që të mos mjaftohen vetëm me bulevardin e Tiranës, por të kenë dëshirë dhe të magazinojnë sa më shumë karaktere. Për të teatri dhe kinemaja kanë ligjet e veta. “Vetëm se në film ke mundësi që ta dublosh disa herë një moment, ndërsa në teatër nuk e korrigjon dot. Unë të dyja i dua. Teatri më ka ushqyer, është qumështi i parë natyral, si fëmija që e merr nga nëna”.

Zonja Rondo, riktheheni në skenë pas katër vjetësh...

Është emocion i madh të ngjitesh në teatrin dhe skenën tënde pas katër vjetësh. Kthehesh me mall dhe dashuri aty ku ke kaluar dhe jetuar më shumë se 40 vjet, ku ke lindur dhe ke rritur shumë e shumë fëmijë. Shijova një rol që më erdhi në kohën e duhur, atëherë kur mua më duhej, prandaj duhet që të falënderoj regjisorin Bungo. Ishte një rol ndryshe nga të tjerët, për shkak të situatës shëndetësore që kalova. Kur në një moment nuk besoja dhe nuk shpresoja se do të rikthehesha më në skenë, sepse, kur isha në kulmin e karrierës, vetëm 60 e ca vjeçe u sëmura.

Leka, jo thjesht më ktheu me një rol, që e ka shkruar enkas për mua, por u ktheva me dëshirë për të bashkëpunuar me një regjisor tradite, jo vetëm për faktin se ai është një nga simbolet e teatrit “Bylis”, por është një regjisor kërkues, që e njeh mjaft mirë mjeshtërinë dhe kuadratin skenik të aktorit. Pastaj do të shtoja kushtet dhe ngrohtësinë që më krijuan dhe më dhanë kolegët që unë të realizoja rolin. Më ka emocionuar shumë kjo gjë, ia dola mbanë.

Emocionet e ditës së parë që u ngjitët në skenë?

Dita e parë ishte gjatë mizanskenës. Të them të drejtën më mbyti një ngashërim, nuk ka fjalë që të shpjegohet kjo gjë. Vetëm unë e di se çfarë kam ndier në ato momente. Emocione kisha dhe në premierë, sepse ishte dita e parë që ngjitesha në skenë pas katër vjetësh, por ngrohtësia që më përcollën spektatorët ka qenë shumë e madhe.

Nëse do të riktheheshim në kohë, si ka lindur dëshira juaj për t’u marrë me art?

Qysh në fëmijëri kam pasur dëshirë që të merrem me art. Ekziston një përsëritje e gjenit dhe kur talenti qëndron brenda, thellë-thellë në gjen, dihet se një ditë do të shpërthejë. Kam një gjen të përsëritur nga im atë, i cili ka qenë artist i padeklaruar jashtë familjes, por në lagje dhe në fis spikaste për humor. Ishte pa arsimin përkatës, por ishte një imitues i shkëlqyer. Gjithashtu ka ndikuar dhe atmosfera artistike e qytetit tim të vogël, traditat e mëdha kulturore, arsimdashëse etj. Gjatë fëmijërisë vjershat unë i mësoja përmendsh, që në klasë, pa i përvetësuar në shtëpi dhe dilja i recitoja. Kjo dashuri për artin më bënte që të bëja valltaren, drejtuesen, recituesen etj., dhe kështu u rashë në sy njerëzve të kulturës. Më vonë në mbarim të shkollës së mesme e ndava mendjen se do të vazhdoja për aktrim. Në kërkesën time për të drejtë studimi kështu e shënova: aktrim, aktrim, aktrim. Kujtoj dhe kinemanë e mbuluar me llamarinë në Delvinë, në vitet që shfaqeshin filmat sovjetikë dhe rusë teksa shkoja fshehurazi me tim atë për t’i parë.

Kishit një aktor/aktore që i referoheshit si model gjatë asaj kohe?

Kisha filmat e parë dhe gjeneratën e madhe e të vyer të aktorëve tanë. Në shkollë të mesme gjatë pushimit çohesha në dërrasën e zezë dhe shkruaja me shumë mburrje, me shkumës, emrat e aktorëve: Kadri Roshi, Sandër Prosi, Margarita Xhepa etj. Nuk e dija as vetë se çfarë lidhjeje shpirtërore krijohej mes meje dhe emrave të tyre. Në vitin 1969, pasi mbarova shkëlqyeshëm gjimnazin në Delvinë, Drita Agolli erdhi me dy pedagogë të tjerë për të bërë konkursin në Sarandë. Në të morën pjesë 20 konkurrentë nga të cilët fituan dy. Në vitin 1972 mbarova studimet dhe që prej atij viti, deri më sot unë kontribuoj në teatrin tim.

Cili ka qenë roli juaj i parë në skenë?

Jam angazhuar në fillimet e teatrit “Bylis”. Unë nuk gjeta aktorë bazë në vitin 1972, por nga viti në vit u plotësua me kontingjent e arriti kulmet edhe me ardhjen e regjisorit Pëllumb Kulla, i cili portretizoi teatrin e Fierit. Më është dashur që në moshë shumë të re, 23-24-25 vjeçe, të luaja role përtej moshës sime, nënash dhe plakash labe, myzeqare dhe veriore. Ndërsa roli i parë ka qenë sërish me Leka Bungon, paçka se nuk arrita që të dilja në skenë, sepse isha shtatzënë me fëmijën tim të parë. Bëra prova në rolin e Ermelës dhe pastaj regjisori i detyruar e dubloi dhe e luajti një aktore tjetër te drama “Historia e një vajze” (1973).

Cili rol ngelet më i veçanti për ju? A keni një rol, të cilin do të donit ta interpretonit dhe një herë nga e para?

Rolet nuk i ndaj dot, sepse secili ka bukurinë e vetë. Jo, jo nuk kam asnjë rol që do të doja ta luaja sërish. Tana për shembull, te “Përrallë nga e kaluara” është një emblemë për mua, sepse më ngjiti më shumë, më dha popullaritet. Zoti ma hodhi nga qielli dhe më tha: Merre, se është për ty. Ka dhe role të tjera, ka dhe nga ata që nuk janë filmuar aksidentalisht dhe për këtë më vjen keq, e kam brengë.

Ishit edhe në restaurimin e filmit “Përrallë nga e kaluara”...

Ishte një premierë dhe një emocion i dytë. Ai film meritonte që të restaurohej, sepse ishte në rrezik për të degraduar. Bravo i qoftë dhe Elvira Diamantit, e cila kontribuoi dy herë, si aktore dhe si drejtoreshë e ASHQF-së, sepse dhe për të është roli më i bukur i karrierës së saj. Të gjithë filmat që rrezikojnë degradimin duhen restauruar.

Përmendët më lart censurën gjatë viteve të socializmit. Ju kujtohen raste konkrete, kur ju është dashur që të ndërprisni shfaqjen?

Mbaj mend që u censurua “Baladë për një grua” e Dritëro Agollit, që e vuri Pëllumb Kulla. Unë kisha një rol të bukur, goxha të gjerë, por dhe pse ishte një vepër madhore që komunikoi shumë mirë me spektatorin, u censurua, se mendohej që atje aludohej për një ministër. Atëherë censura e kohës nuk lejonte që të mendohej keq për ministra, sikur ata ishin të gjithë të papërlyer.

Te cilat nga çastet e lumtura dhe të vështira gjatë karrierës suaj do të ndalnit?

Realizimi i çdo figure ishte sikurse të realizoje lindjen e një fëmije, ashtu i kam përjetuar rolet. Është emocion i fortë, por kur merr ngrohtësi, konsiderata dhe vlerësime, ndihesh mirë. Vlerësuesi më i madh për mua është populli, ai është Zoti i kudogjendur, në rrugë dhe në ambiente të ndryshme.

Ka dhe momente të vështira që roli nuk të ngacmon, por ne duhej të bënim detyrën ose më mirë ishim të detyruar të bënim detyrën. Janë këta tre komponentë që përbëjnë një vepër; materiali, regjia dhe partnerët. Nëse çalonte një nga këta, nuk do të ndiheshe mirë. Ka pasur dhe ngërçe, gjëra të sforcuara, për të cilat kemi qenë të detyruar për të bërë dhe kompromise, “të këqija” do të thosha.

Me shëndet dukeni mirë...

Zoti lart. Zoti para dhe ne mbrapa. Deshi Zoti që luftova shumë, ishte një betejë e madhe dhe them se e fitova dhe këtë betejë. Këto beteja fitohen duke parë jetën me ngjyra të bukura. Kjo është terapia më e mirë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama