Nexhmije Hoxha Jane zhdukur doreshkrimet origjinale te Enverit do e denoncoj ne Prokurori

Nexhmije Hoxha: Jane zhdukur doreshkrimet origjinale te Enverit, do e denoncoj ne Prokurori
E veja e diktatorit: Dorëshkrimet janë vjedhur.

“Akt kriminal i pushtetarëve demokratë, do i drejtohem Prokurorisë së Përgjithshme”

Në një deklaratë për shtyp, shpërndarë ditën e djeshme në redaksitë e thuajse të gjitha gazetave të përditshme, Nexhmije Hoxha i kërkon haptazi Arkivit së Shtetit dorëshkrimet origjinale të ditarëve personalë të të shoqit, Enver Hoxhës. Mungesa e këtyre dorëshkrimeve është mësuar, pasi nusja e saj, Teuta Hoxha, ka bërë kërkimet në Arkiv, pas daljes në televizion e në shtyp të copëzave nga ditari personal i Enver Hoxhës. Pas reagimit të drejtoreshës së Arkivit, e cila komunikon se këto dorëshkrime nuk gjenden, familja Hoxha, me në krye djalin e madh të ish-diktatorit, Ilir Hoxha, do ta ndjekë këtë çështje në organet përkatëse, duke iu referuar kështu Prokurorisë së Përgjithshme.

Me anë të kësaj deklarate, vë në dijeni median dhe opinionin publik të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve, kudo ndodhen, se:

Në Arkivin e Shtetit të Republikës së Shqipërisë janë zhdukur dorëshkrimet origjinale të ditarëve politikë e familjarë të Enver Hoxhës, si dhe dorëshkrimet origjinale të kujtimeve të tij.

Kur ka ngjarë ky akt kriminal i pashembullt, ne nuk e dimë.

Ky fakt u konstatua vetëm kohët e fundit, kur familja e shqetësuar që në disa emisione televizive e në shtyp po flitej e shkruhej nga ndonjë publicist se dispononte dokumente nga arkivi personal i Enver Hoxhës, dërgoi në AQSH pjesëtaren e saj, Teuta Hoxha, që kërkoi në fondet e dosjet përkatëse, ku rezultoi se mungonin dorëshkrimet origjinale.
Ky konstatim iu bë me dije drejtores së Arkivit të Shtetit, e cila pasi bëri verifikimet e saja, na komunikoi zyrtarisht me shkresat nr. 5336/1, më datë 14-12-2011 dhe nr.3112/11, më datë 27-12-2011, për mosekzistencën e këtyre materialeve në fondet e këtij Arkivi.

Kjo zhdukje, vjedhje a përvetësim qoftë, flet për një gjendje jo normale në Arkivin e Shtetit. Është një shkelje flagrante e ligjeve që përcaktojnë funksionimin rigoroz të Arkivit të Shtetit, ku theksohet qartë:( Neni 63.)

“Arkivat mbrojnë jetën intime të personit. Ndalohet njohja, shfrytëzimi dhe publikimi i dokumenteve që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe që cenojnë jetën private të personit. Dokumentet që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cenojnë jetën intime të personit, shërbehen vetëm pasi kanë kaluar, sipas rastit, 50 deri në 150 vjet nga data e krijimit të tyre.”

Përmbajtja e këtij neni është në përputhje me parimin bazë të njohur në gjithë ligjet e shteteve të përparuara mbi arkivat, ku këta trajtohen si tempuj, ku ruhet e mbrohet dokumentimi i historisë së një vendi, të një shteti a personaliteti të shquar, qoftë politik, shoqëror a kulturor.

Enver Hoxha ditarët e tij i dorëzonte, vit pas viti, në Arkivin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, me anë të sekretarit të tij personal, Haxhi Kroi. Ne, si familje, kemi në dispozicion kopjet e këtyre ditarëve.

Arkivi i KQ të PPSH kaloi tërësisht në Arkivin e Shtetit pas ndryshimit të sistemit monist me atë pluralist, menjëherë kur PPSH u transformua në Parti Socialiste.

Përveç sa u parashtrua më sipër lidhur me zhdukjen e dorëshkrimeve origjinale të ditarëve e shumë shkrimeve të tjera, shohim që nga ndonjë stacion televiziv transmetohen fragmente filmash dokumentarë nga jeta private e Enver Hoxhës, pa marrë leje nga familja, siç kërkohet në ligjin përkatës për këtë lloj dokumentarësh. Nuk është fjala aspak për dokumentarë që i përkasin jetës zyrtare, politike e shoqërore të Enver Hoxhës.

Para këtyre shkeljeve të ligjeve, me humbje tejet të rënda për mua si bashkëshorte, si dhe për fëmijët tanë, rrjedhimisht trashëgimtarë të këtyre dokumenteve të Enverit, unë menjëherë pas këtij njoftimi publik do t’i drejtohem institucionit përkatës shtetëror, Prokurorisë së Përgjithshme, të bëjë punën e saj, të hetojë e të zbulojë çfarë lëshimesh janë bërë nga drejtuesit e AQSH dhe të vihet gisht mbi përgjegjësit, kushdo qofshin këta, direkt a indirekt, të brendshëm e jo më pak të jashtëm, të vjetër apo të rinj.

Denoncimi i këtyre shkeljeve në Prokurorinë e Përgjithshme do të bëhet nga djali ynë i madh, Ilir Hoxha.

Familja për këtë humbje të madhe do të njoftojë edhe Qendrën Ndërkombëtare të Arkivave, anëtare e së cilës është edhe AQSH.

Zbulimi i këtij akti të shëmtuar, tepër i dhimbshëm për familjen tonë, duhet trajtuar jo si një ngjarje e rastit, që lidhet vetëm me një person, kundër të cilit, gjatë këtyre 20 vjetëve të demokracisë, është hedhur një mal me baltë dhe janë kurdisur shpifje e falsifikime të paimagjinueshme.

Akti i zhdukjes së dorëshkrimeve origjinale të Enver Hoxhës nga Arkivi i Shtetit duhet parë si pjesë e strategjisë antikombëtare e antihistorike të pushtetarëve demokratë, për asgjësimin e çdo gjëje që i përket së kaluarës 50-vjeçare, përfshi Luftën e lavdishme për Çlirimin e atdheut dhe, pas saj, për ndërtimin e një Shqipërie të re, të pavarur, sovrane dhe me një shoqëri të emancipuar.

Në këtë vit të 100-vjetorit të Pavarësisë e krijimit të shtetit shqiptar, qeveria e Sali Berishës dhe forcat që e mbështesin atë, janë në dilemë të madhe si të mënjanojnë këtë periudhë historike gjysmëshekullore.

Këta njerëz, për të mbajtur fort majat e pushtetit që kanë kapur, bëjnë marrëzira, por sidomos bëhen të rrezikshëm, jo vetëm për një rast të veçantë a persona të caktuar, ata bëhen gjithnjë e më të rrezikshëm për të ardhmen e Shqipërisë e të kombit shqiptar.

NEXHMIJE HOXHA

Flet drejtoresha e Arkivit, Nevila Nika

“Ne kemi fotokopjet, Nexhmija mund t’i ketë vetë origjinalët”



Ditën e djeshme ka ardhur në pjesën më të madhe të redaksive të gazetave kryesore në vend, një deklaratë nga Nexhmije Hoxha. Sipas deklaratës, pretendohet që të jenë zhdukur dorëshkrime origjinale, pjesë nga ditari politik dhe familjar i ish-diktatorit Enver Hoxha. Dorëshkrime që duhet të gjendeshin në Arkivin e Shtetit të Republikës së Shqipërisë. Pas kërkimeve të nuses së Ilir Hoxhës, djalit të madh të Enver Hoxhës, ky lajm i është bërë i ditur edhe drejtoreshës së Arkivit, Nevila Nika, nga verifikimet e së cilës u komunikua zyrtarisht mungesa e ekzistencës së këtyre materialeve në fondet e Arkivit. Duke mos u mjaftuar vetëm me deklaratën për shtyp të znj.Hoxha e për t’i shkuar edhe më tej verifikimit të kësaj deklarate, kemi komunikuar me drejtoreshën e Arkivit të Shtetit menjëherë pas mbërritjes së saj.

Znj.Nika, a jeni në dijeni për shpërndarjen e një deklarate për shtyp në redaksitë e disa gazetave nga Nexhmije Hoxha, lidhur me zhdukjen e dorëshkrimeve origjinale të ditarëve personalë të Enver Hoxhës?

Jam pjesërisht në dijeni të këtij lajmi, sepse deklarata ende nuk është botuar në media, por di thelbin e problematikës së saj, sepse ma kanë komunikuar të tjerë përmes telefonit.

Atëherë, ç’keni për të thënë lidhur me këto dorëshkrime?

Di t’ju them që arkivi i ish-PPSh është dorëzuar në AQ me kërkesë po të Partisë Socialiste, duke e argumentuar se këta arkiva nuk kanë më punë me arkivin e vjetër. Ky arkiv është dorëzuar bruto dhe, që nga viti 1993, u mor nga depot e arkivit të Partisë. Transporti është bërë me mjete të ushtrisë, sepse një pjesë e vogël ka qenë në Tiranë, ka qenë kryesisht në Skrapar.

Që kur ka hyrë në mjediset tona, ka filluar të merret si inventar magazine dhe nuk di të kenë ekzistuar dokumente a kaseta origjinale të Enver Hoxhës.

Përpara se të ishit drejtuese e këtij institucioni, keni qenë punonjëse e Arkivit, keni qenë në brendi të këtij sektori?

Jo, nuk kam punuar në këtë sektor, por këtë gjë e di, nuk janë gjetur asnjëherë dokumente origjinale. Edhe ata që punonin te Instituti i botimeve marksiste-leniniste nuk kanë pasur origjinalet, sepse nuk ua linte kush në dorë.

Pra, nuk kanë qenë asnjëherë?

Nuk di të them që kanë qenë ndonjëherë. Që kur unë kam marrë detyrën, nuk i kemi pasur.

Atëherë, ç’është ky pretendim i familjes Hoxha?

Këtë gjë nuk e di, ata mund t’i kenë edhe vetë dorëshkrimet origjinale në arkivat privatë. Ajo ia ka ditur dhe ua di vlerën, nuk mund t’i ketë lëshuar nga dora kollaj. Kush më shumë përveç saj mund të këtë dorëshkrimet origjinale të burrit të vet?!

Megjithatë, Teuta Hoxha ka ardhur për t’i kërkuar sipas të dhënave të deklaratës, apo jo?

Po, ka ardhur. Ia kam shpjeguar këtë gjë edhe Teutës. Ato që kërkojnë ata, nuk gjenden. Asgjë nuk më kushton që t’ua japim, për më tepër që t’u mohoj të drejtën për t’i pasur, por ne nuk kemi gjetur kurrë asnjë kasetë të tijën.

Djali i madh i Enver Hoxhës, Ilir Hoxha, do të merret më tej me këtë çështje. Do t’i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme…

Janë të lirë të bëjnë të gjitha hetimet, le t’u drejtohen organeve përkatëse. Sa na takon neve, kemi bërë pastrime e kontrollime dhe kemi gjetur vetëm fotokopje të dorëshkrimeve origjinale. Këtë gjë mund të vini ta shihni edhe vetë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama