Neutralizimi i Kanalit te Korfuzit

Neutralizimi i Kanalit te Korfuzit
(Dhjetor 1913, korrik 1914)
(Sipas National Archives, Kew, Londër)

Neutralizimi i Kanalit të Korfuzit, ka qenë një prej çështjeve që është diskutuar në vijim të vendimit të 17 dhjetorit 1913, të arritur në Firence mbi kufirin tokësor të Shqipërisë dhe Greqisë. Ky diskutim ka qenë pjesë e një përpjekjeje tërësore për rregullimin e së drejtës në këtë anë të Ballkanit, në rrethanat e njohjes ndërkombëtare të lindjes së entitetit të ri ballkanik, Principatës Shqiptare, përcaktimit të kufirit jugor të këtij shteti me Mbretërinë e Greqisë dhe në rrethanat e konstituimit politik dhe institucional të këtij vendi.

Kjo përpjekje e Fuqive të Mëdha zhvillohej në kushtet kur Shqipëria e Jugut mbahej ende e pushtuar nga ushtritë fitimtare greke në luftën me Turqinë, dhe kur me këtë vend po negociohej procesi i tërheqjes nga një linjë që fillonte nga Kazaja e Korçës deri në Kepin e Ftelias. Në fund, ky diskutim zhvillohej në rrethanat kur kjo krahinë, e caktuar nga Fuqitë si pjesë përbërëse e Principatës Shqiptare, të pavarur dhe neutrale, u përfshi nga anarkia e lëvizjes së quajtur vorio-epirote, anarki nga e cila ky vend nuk do të dalë deri në fund të vitit 1914 dhe më tutje.

Por çfarë kuptohet me neutralizim? Neutralizimi - Asnjanësimi është një koncept statusi që zakonisht zbatohet ndaj shteteve, ose ndaj çdo territori dhe nënkupton për këta aktorë ose zona, një asnjanësi të përhershme. Duke qenë se kërkesat e asnjanësisë janë të përhershme në këtë rast, fusha e rregullave diplomatike shtrihet si për kohë paqe, ashtu edhe për kohë lufte. Neutralizimi zbatohet zakonisht prej një marrëveshjeje të një numri shtetesh aktore të interesuara,- shpesh herë madje atyre u referohen si shtete garantuese- dhe shteteve të cilat janë subjekte të mirëkuptimit për neutralizim.

Neutralizimi përfshin një sërë angazhimesh të jashtme ushtarake, diplomatike dhe politike. Neutralizimi, në kohën në të cilin po përpiqemi të trajtojmë dhe më përpara, ka qenë një metodë që është përdorur shumë shpesh në menaxhimin e konflikteve, apo parandalimin e tyre, në rrethanat e ekzistencës së sistemit të balancës së fuqisë. Në mënyrë të veçantë gjatë shekullit XIX u ndërmorën një sërë nismash për t’i vendosur shtetet në një asnjanësi të përhershme. Shqipëria është njëri prej rasteve shtete më tipike të kësaj kohe, që lindi si entitet politik i neutralizuar nën garancinë e fuqive të mëdha, ndërsa neutralizimi i Kanalit të Korfuzit është një rast i një territori ujor që do të duhej të rikonfirmohej i neutralizuar në rrethanat e ndryshimeve gjeopolitike të shkaktuara nga luftërat ballkanike, pas lindjes së shtetit shqiptar dhe vendosjes së kufirit tokësor ndërmjet Principatës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Greqisë.

Problemi i neutralizimit të Kanalit të Korfuzit, i ringritur në trajtimin e kancelarive diplomatike të Fuqive të Mëdha, në fund të vitit 1913 dhe gjatë gjithë rrjedhës së vitit 1914 deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, është një problem, pjesë një trajtimi të gjatë të fatit të ishujve Jonianë gjatë rrjedhës së shekullit XIX dhe bashkëngjitet me një seri traktatesh pararendëse ndërkombëtare.

Ishujt Jonianë në përcaktimin historik përbëjnë një grup që përfshin ishujt Korfuzit, Paxo, Lefkada (Sainte Maure), Itaka Kefalonia, Zante, Cerigo dhe një numër ishujsh më të vegjël që varen prej tyre, mes të cilëve bën pjesë edhe ishulli i Sazanit që mbisundon Gjirin e Vlorës. Duke filluar nga viti 1204 Korfuzi dhe më pas të gjithë ishujt e lartpërmendur ranë nën sundimin Venedikas. Edhe gjatë pushtimit otoman të Ballkanit ishujt Jonianë, falë Venedikut, mbetën të pavarura dhe të krishtera dhe ndër pjesët e vetme të Ballkanit që nuk iu nënshtruan pushtimit otoman. Klasat e larta të ishujve kanë folur gjuhën latine, ndërsa shtresat e ulëta të popullsisë gjuhën greke. Pas pushtimit të Republikës së Venedikut më 1797 nga ushtritë franceze të drejtuara nga Napoleon Bonaparti, me Traktatin e Campo Formio-s, ishujt u vendosen nën pushtimin francez, për t’u aneksuar pas disa peripecish më 1807 nën sundimin e drejtpërdrejtë të perandorisë napoleoniane.

Pas rënies së Napoleonit dhe vendimeve të Kongresit të Vjenës me klauzolat e Traktatit të Parisit të 5 nëntorit 1815 , ishujt u vendosën nën protektoratin britanik me emërtimin «Shtetet e Bashkuara të Ishujve Jonianë». Në janar 1817 Britania e Madhe u garantoi ishujve një kushtetutë të re dhe ishujt zgjodhën një Asamble të përbërë nga 40 anëtarë, të cilët këshillonin Komisionerin e Lartë Britanik. Këtë rrjedhë të historisë ka ndjekur edhe Ishulli i Sazanit, i vendosur në hyrjen e gjirit të Vlorës në Shqipëri dhe me një pozitë mbizotëruese në Kanalin e Otrantos.

Me traktatin e 25 prillit 1864 ishujt Jonianë i kaluan Greqisë dhe së bashku me këto ishuj edhe Sazani si një prej varësive të tyre. Pavarësisht nga ky kalim, traktati siguroi një numër lirish të veçanta për banorët e ishujve. Duke njohur Kishën Ortodokse Greke si kishën mbizotëruese, traktati, në nenin e parë të tij siguronte lirinë e plotë të ushtrimit të besimit fetar, tolerancën fetare e mbrojtjen e veçantë të Kishës Katolike Romake në ishuj, dhe pranimin e parimit të barazisë së plotë civile për nënshtetasit. Traktati siguroi edhe asnjanësinë e të gjithë ishujve, ndërsa në rast lufte me Perandorinë Otomane, ky neutralitet do të kufizohej vetëm në ishujt e Korfuzit dhe Paxo.

Me një status të tillë vinte Paxo, Korfuzi e varësitë ishullore të tyre, si dhe Sazani (ishujt që shtriheshin në të gjithë pjesën perëndimore të bregdetit jugor shqiptar: Ereikoussa, Othonoi, Mathraki, Kerkyra) në krizën ballkanike të viteve 1912-1914.

Austro-Hungaria dhe Italia kanë qenë shumë të interesuara që ishujt Jonianë, me rëndësi strategjike në hyrjen e Kanalit të Otrantos, të cilët zotëroheshin nga Greqia, të ishin realisht të asnjanësuara dhe të mos përdoreshin për qëllime ushtarake nga Greqia dhe vendet e Antantës. Po ashtu Austro-Hungaria dhe Italia ishin të interesuara ta shkëpusnin nga sovraniteti i Greqisë Ishullin e Sazanit, i cili kontrollonte gjirin e Vlorës, Kanalin e Otrantos dhe përgjithësisht bregdetin e veri-perëndimor të shtetit të ri shqiptar.

Ndryshimi gjeopolitik në Adriatikun lindor pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar prej Konferencës së Ambasadorëve, asnjanësimi i këtij entiteti të ri, kërkonte njëkohësisht garanci të plota për këtë asnjanësim dhe siguri për ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e Shqipërisë së pavarur në pjesët e saj jugore. Krijimi i një entiteti të ri në Ballkan, në rastin tonë i principatës shqiptare, kërkonte në këndvështrimin austriak, një rimodelim të traktatit ndërkombëtar pararendës që kishte sistemuar të drejtën ndërkombëtare në këtë anë të bregdetit ballkanik. Në fund fare, përfundimi i caktimit në terren të kufirit jugor të Shqipërisë ne pjesën kontinentale, i kishte hapur radhën tashmë procesit të caktimit të të drejtës në hapësirën ujore që ndante Shqipërinë dhe Greqinë në pjesën e ishujve Jonianë.

Për këtë, ministria e jashtme austriake, me 24 dhjetor 1913, u paraqiti një projekt-propozim fuqive të mëdha, projekt i cili kërkonte që Vlora dhe gjiri i saj nuk duhej të përfshihej në zonën e asnjanësuar dhe në këtë zonë mund të lejohej ndërtimi i fortifikimeve. Asnjanësia në bazë të këtij propozimi do të duhej të përfshinte ishujt e Korfuzit dhe Paxo (pra dy ishujt e mëdhenj të Jonit më pranë Shqipërisë). Ujërat ndërkombëtare, sipas këtij propozimi, do të duhej të zgjeroheshin nga 3 milje në 6 milje detare.

Projekt propozimi austriak njëkohësisht parashikonte ndalimin e mbajtjes së një garnizoni ushtarak grek në ishullin e Korfuzit, ose përdorimin e portit prej ndonjë skuadroni grek (neni 2); ndalimin e vizitave të anijeve të huaja të luftës, përfshirë edhe praninë e një kryqëzori eskortë në shoqërimin e perandorit gjerman dhe parandalonte mbrojtjen prej Greqisë në rast të shkeljes së asnjanësisë prej një fuqie tjetër. Me anën të nenit 5 të këtij projekti, Kanali i Korfuzit duhej të mbahej i hapur në kohë lufte për anijet tregtare që nuk transportonin trupa dhe mjete kontrabande lufte. Siç shihet, projekti synonte ta kufizonte jashtëzakonisht shumë rolin e Greqisë në kanalin në mes kontinentit që i ishte lënë në pjesë të rëndësishme Shqipërisë, dhe pjesës veriore të ishujve Jonianë, gjë që në kancelaritë diplomatike të vendeve të Antantës shihej si një përfitim për Austrinë dhe sidomos për Italinë. Në funksion të këtij qëllimi ishte edhe propozimi për zgjerimin e ujërave ndërkombëtare, gjegjësisht pra kufizimin e ujërave territoriale të Greqisë në 3 milje detare.

Përgjigja britanike për ministrinë e jashtme të Austro-Hungarisë dhe të Italisë ka vonuar dhe ka ardhur vetëm me notën e datës 2 mars 1914. Kjo notë iu komunikua edhe qeverisë franceze për vëzhgime të mëtejshme. Nota më sa shihet nga dokumentet pararendëse ka ardhur si rezultat i një sërë konsultimesh me ekspertetet më të mirë britanikë të diplomacisë dhe të flotës detare. Mes këtyre këshillimeve na duket i një rëndësie të veçantë ai i dërguar në Foreign Office prej Admiraliatit të Flotës Mbretërore Britanike, me datën 24 janar 1914. Admiraliati i ka bërë dy vëzhgime shumë interesante teknike: së pari, drejtuesit e flotës mbretërore britanike kujtojnë se duhej që të kundërshtohej çdo përpjekje për t’i mbajtur ujërat territoriale të Korfuzit në një kufi prej 6 miljesh: «Megjithëse nuk ekzistojnë kundërshtime operative të fuqishme praktike në këtë rast të veçantë, parimi i përgjithshëm është i një rëndësie shumë të madhe dhe pranimi i këtij propozimi mund ta bëjë më të vështirë për qeverinë e Madhërisë së Tij t’u rezistojë propozimeve të ngjashme në rastet kur do të ketë të bëjë me pika të një rëndësie strategjike shumë më të madhe.

Kundërshtimi natyrisht nuk duhet të zbatohet për shtrirjen e ujërave neutrale në drejtim të tokës përtej 3 miljeve nga ishujt. Një shtrirje e tillë është nevojshmërisht e nënkuptuar në neutralizimin e kanalit. Së dyti, përkufizimi i Kanalit të Korfuzit ishte për Admiraliatin i pakënaqshëm. « Paralelet e gjerësisë të përmendura në projekt notë, për sa kohë që kufijtë veriorë dhe jugorë të kanalit kalojnë në një farë mënyre drejt Veriut të Korfuzit dhe drejt jugut të ishullit Paxos (dhe ishujve në varësi të tyre), imponojnë që hapësira ujore aktuale neutrale të përkufizohet në mënyrë më të qartë ». Normalisht që një gjë e tillë sipas admiraliatit mund të bëhet pa vështirësi, «por në linja të përgjithshme, do të ishte mirë që neutralizimi të kufizohej në ujërat që formojnë në disa kuptime ngjyrimesh, zona të bashkëngjitura me ishujt respektive, të tilla si gjiret dhe plazhet, të cilat përgjithësisht njihen si pjesë ujërash territoriale».

Bazuar në këto sugjerime Foreign Office ndërtoi variantin përfundimtar të notës.

Sipas projekt-notës së Foreign Office të datës 2 mars 1914, dërguar ndër aleatët e saj për konsultime mëtejshme, para dorëzimit në Vjenë dhe Romë: « ishujt e Korfuzit dhe Paxo ishin tashmë ishuj të asnjanësuar në bazë të traktatit të vitit 1863 ( të modifikuar nga protokolli i datës 25 janar 1864), me anën e të cilit, Britania e Madhe çlirohej nga protektorati i saj mbi ishujt Jonianë, të cilët përfshiheshin nën Greqinë. Asnjanësia e kanalit garantohej prej fuqive nënshkruese, dmth, Austro-Hungarisë (si trashëgimtare e Perandorisë Austriake, shënim imi R.G.), Francës, Prusisë, Rusisë dhe Britanisë së Madhe». Më tej projekt-nota sqaronte që kjo kishte qenë arsyeja pse Konferenca e Ambasadorëve nuk kishte bërë interpretime të mëtejshme në lidhje me sa më sipër. «Veprimi i Konferencës ishte i kufizuar në një rezolutë për sa i përket asnjanësimit, që tashmë përfshin ishujt, dhe që tani duhet të shtrihet edhe në kanalin e Korfuzit.

Për këtë arsye, qeveria e Madhërisë së Tij, e konsideron se ndonjë nënshkrim i ri për sa i përket asnjanësisë së ishujve në fjalë dhe ujërave të tyre, që është përcaktuar më 1863, si një kusht për zotërimin e tyre nga ana e Greqisë, është jashtë diskutimit». « Për më tepër, qeveria Austro Hungareze, duket se nuk e ka vënë re faktin se nën Protokollin e datës 25 janar 1864, kufizimi për sa i përket numrit të forcave ushtarake që do të duhet të mbaheshin në ishujt Jonianë ishte hequr tërësisht. Ky lëshim i ishte bërë Greqisë prej pesë fuqive garantuese dhe duket tani e papranueshme që t’i ribëhen kufizime serish.» «Një shtrirje e ujërave neutrale nga distanca e pranuar prej 3 miljesh në 6 milje detare, sikurse parashikohet në paragrafin e parë të nenit të parë të projektit austro-hungarez (italian), nuk është i pranueshëm për qeverinë e Madhërisë së Tij, duke qenë së është në kundërshtim me praktiken e njohur të të drejtës ndërkombëtare.». «Për sa i përket hapësirës mbi të cilën duhet të shtrihet asnjanësia, Qeveria e Madhërisë së Tij, ndjen disa ngurrime dhe vështirësi në pranimin e përkufizimit të Kanalit të Korfuzit të dhënë në komunikimin e notës së shkëlqesisë suaj (ministrit të jashtëm austro-hungarez- shënim imi RG).

Një hapësirë e detit të hapur që është e përkufizuar prej paraleleve të gjerësisë gjeografike nuk është lehtësisht e përcaktueshme me saktësi dhe për rrjedhojë, dhunime të asnjanësisë të një hapësire kështu të përkufizuar mund të bëhen nxitëse për kërkim faljeje dhe mund të jetë e vështirë për t’u ndëshkuar dhe shtypur. Prandaj qeveria e Madhërisë së Tij i përmbahet asaj se mund të jetë më e lehtë me u marrë më këtë çështje nëse fuqitë, duke marrë në konsiderate asnjanësinë ekzistuese të Korfuzit dhe Paxo, sikurse e shpjeguam më sipër, mund të bijnë në një mëndje të kufizojnë të gjitha asnjanësimet e mëtejshme si më poshtë vijon :

1. Të gjithë shtrirjen e ujërave në mes ishullit të Korfuzit dhe brigjeve të Greqisë dhe Shqipërisë. Ky kanal është lehtësisht i përkufizuar dhe i përcaktuar, ndaj çdo thyerje e asnjanësisë së hapësirës së garantuar do të jetë e sqarueshme pa vështirësi.

2. Brigjet e Greqisë dhe Shqipërisë në një shtrirje deri 6 milje gjeografike të matura në brendësi për një distancë që rastis me ujërat e Kanalit të Korfuzit, duhet të asnjanësohet.»

Në fund fare nota merret me trajtimin e një rasti të veçantë që kishte të bënte me pozicionin e Greqisë ndaj zonës së neutralizuar, në rast se ky vend mund të ishte vend ndërluftues. Për sa kohë Greqia ishte vend asnjanës, ky problem nuk shtrohej për diskutim, por në rast se ky vend hynte në luftë, do të ishte qartësisht e padrejtë për armiqtë e saj që Greqia të lejohej t’i përdorte këto brigje dhe ujëra (sikurse ajo i përdori në rastin e krizës vorioepirote të vitit 1914), si bazë, ndërkohë që armiku i saj të ishte i përjashtuar nga dhunimi i neutralitetit të zonës së kanalit.

Me datën 18 mars 1914 ministria e jashtme franceze përmes Gaston Doumergue, i përcolli pikëpamjen e qeverisë franceze dhe bëri disa sugjerime për sa i përket procedurave që duhej të zbatoheshin në bisedimet e mëtejshme për neutralizimin e Kanalit të Korfuzit : Së pari, ministria e jashtme franceze u tregua e gatshme të bashkohej me propozimet e ministrit të jashtëm britanik Edward Grey, propozime që synonin të shtrinin neutralizimin në të gjithë ujërat në mes ishullit të Korfuzit dhe brigjeve kontinentale të Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo formulë në këndvështrimin francez, paraqitej shumë më praktike se sa formula e propozuar nga ana e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

Në dallim nga qëndrimi britanik, i cili nuk synonte të përforconte parashikimet e traktatit të vitit 1864, traktat që u siguronte ishujve të Korfuzit dhe Paxo asnjanësinë e përjetshme, qeveria franceze mendonte se traktati i vitit 1864 ishte nënshkruar vetëm nga Franca, Britania e Madhe, Rusia, Austria dhe Prusia. Italia, për shkak të bashkimit të saj më 1870, kishte mbetur jashtë një numri aksionesh diplomatike, siç rezultonte edhe në rastin e situatës aktuale në Korfuz.

Prandaj qeveria franceze, në qoftë se nga njëra anë ishte e një mendjeje me Sir Edward Grey, për mos rëndimin e mëtejshëm me detyrime të Greqisë, më shumë se detyrimet që rridhnin nga traktati i vitit 1864, mendonte se një akt i ri për Kanalin e Korfuzit ishte i nevojshëm për pranimin në marrëveshje edhe të qeverisë italiane, si një prej fuqive më të interesuara për rajonin Adriatik-Jon. Më shumë se ndaj Greqisë, Franca synonte me këtë të kufizonte çdo ambicie të Italisë në anën lindore të bregut Jonian.

Një pikë tjetër që e bënte të nevojshme skemën e re të neutralitetit të Kanalit të Korfuzit kishte të bënte me zhvillimet e reja politike në rajon, të arritura me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve dhe pikërisht me krijimin e shtetit shqiptar, shtet asnjanës nën garancinë e Fuqive të Mëdha.

Një pjesë e kanalit tashmë kalonte përgjatë brigjeve jugore të Shqipërisë dhe kjo kërkonte një trajtim të veçantë, mbasi duhej të përcaktoheshin të drejtat dhe detyrimet reciproke të entitetit të ri politik dhe fqinjëve të tij. Greqia, në bazë të nenit 3 të traktatit të datës 29 mars 1864 ishte e detyruar të ruante asnjanësinë. Të njëjtat obligime ishte e nevojshme të ndërmerreshin edhe ndaj shtetit të ri shqiptar. Kësisoj, ndërhyrja franceze rastiste pozitivisht me një nevojën mbrojtëse të shtetit shqiptar në këto anë mjaft të trazuara të territorit të saj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama